10 dobitë shëndetësore të kurkumës

97

Irma Bardhoshi

Kurkuma, e njohur gjithashtu si Curcuma Longa, është një barishte e zakonshme, e njohur ndryshe si “Mbretëresha e erëzave”. Ajo karakterizohet me një aromë piperi, me shije te mprehtë dhe ngjyrë të artë. Njerëzit anembanë globit e përdorin këtë barishte në gatimet e tyre.
Sipas gazetës së Shoqërisë Kimike Amerikane, kurkuma, ndryshe e quajtur shafrani i Indisë përmban antioksidantë dhe ka efekt antiviral, antibakterial, antifungal, antikancerogjen, antimutagjenike dhe anti-inflamator.
Ajo është gjithashtu e pasur me shumë vlera ushqyese, si proteina, fibra dietike, niacinë, Vitaminë C, Vitaminë E, Vitaminë K, kalium, kalcium, bakër, hekur, magnez dhe zink. Për shkak të gjithë këtyre faktorëve, kurkuma përdoret shpesh për të trajtuar një shumëllojshmëri të problemeve shëndetësore.
Këtu përmendim 10 dobitë shëndetësore të shafranit të Indisë:
1. Parandalon kancerin
Shafrani i Indisë parandalon kancerin e prostatës, ndalon rritjen e kancerit ekzistues të prostatës dhe madje shkatërron qelizat e kancerit. Hulumtues të shumtë kanë zbuluar se përbërësit aktivë të shafranit të Indisë e bëjnë atë një nga mbrojtësit më të mirë kundër tumoreve. Ajo gjithashtu ka një efekt parandalues ​​kundër qelizave të tumorit, si leuçemia T-qelizave, kancerit të zorrës së trashë dhe kancerit të gjirit.
2. Lehtëson artritin
Përmbajtjet anti-inflamatore në shafranin e Indisë janë të mira për trajtimin e osteoartritit dhe artritit reumatoid. Përveç kësaj, përmbajtja antioksidante e shafranit të Indisë shkatërron radikalet e lira në trup që dëmtojnë qelizat e trupit. Është zbuluar se ata që vuajnë nga artriti reumatoid, por që konsumojnë rregullisht shafranin e Indisë, ndiejnë lehtësim në trupin e tyre.
3. Mban nën kontroll diabetin
Kurkuma mund të përdoret në trajtimin e diabetit duke moderuar nivelet e insulinës. Gjithashtu ajo përmirëson kontrollin e glukozës dhe rrit efektin e barnave të përdorura për trajtimin e diabetit. Një përfitim tjetër i rëndësishëm është efektiviteti i kurkumës për të ndihmuar në zvogëlimin e rezistencës se insulinës, e cila mund të parandalojë fillimin e diabetit tip 2. Megjithatë, kur kombinohet me medikamente të forta, shafrani i Indisë mund të shkaktojë hipoglicemi (sheqer i ulët në gjak). Është mirë që të konsultoheni me një profesionist të kujdesit shëndetësor para se të merrni kapsula të shafranit të Indisë.
4. Zvogëlon nivelin e kolesterolit
Hulumtimet kanë vërtetuar se thjeshtë duke përdorur kurkumën e stinës mund të zvogëloni nivelet e kolesterolit në gjak. Është një fakt i njohur se kolesteroli i lartë mund të çojë në probleme të rënda shëndetësore. Mbajtja e nivelit të duhur të kolesterolit mund të parandalojë shumë sëmundje kardiovaskulare.
5. Rrit imunitetin
Kurkuma përmban një substancë të njohur si lipopolisakaridet, e cila ndihmon në ekuilibrimin e sistemit imunitar. Agjentët antibakterialë, antiviralë dhe antifungalë ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Një sistem i fortë imunitar zvogëlon mundësinë e të prekurit nga ftohjet, gripi apo kollitja. Nëse ju merrni një të ftohur, kollë apo grip, ju mund të ndieheni më mirë nëse përzieni një lugë çaji pluhur të shafranit të Indisë në një gotë qumësht të ngrohtë dhe e pini atë një herë në ditë.
6. Shëron plagët
Kurkuma është një agjent natyral antiseptik dhe antibakterial dhe mund të përdoret si dezinfektues efektiv. Nëse keni një prerje apo djegie, ju mund të spërkasni pluhur shafran të Indisë në zonën e prekur për të shpejtuar procesin e shërimit. Shafrani i Indisë gjithashtu ndihmon në riparimin e lëkurës së dëmtuar dhe mund të përdoret për të trajtuar psoriasis dhe gjendjet e tjera inflamatore të lëkurës.
7. Menaxhon peshën
Pluhuri i shafranit të Indisë mund të jetë shumë i dobishëm në ruajtjen e një peshë ideale trupore. Një komponent i pranishëm në shafran e Indisë ndihmon në rritjen e rrjedhjes biliare, një komponent i rëndësishëm në ndarjen e yndyrave dietike. Ata të cilët dëshirojnë të humbasin peshë ose të trajtojnë mbipeshën dhe sëmundje të tjera të lidhura, mund të përfitojnë nga të konsumuarit e një luge çaji pluhur shafran i Indisë në çdo vakt.
8. Parandalon sëmundjen e Alzheimer
Inflamacioni i trurit dyshohet të jetë një nga shkaqet kryesore të çrregullimeve, si sëmundja Alzheimer. Shafrani i Indisë përdoret për shëndetin e përgjithshëm të trurit duke ndihmuar në heqjen e pllakatës të ndërtuar në tru dhe përmirëson rrjedhjen e oksigjenit. Kjo mund të pengojë ose të ngadalësojë përparimin e sëmundjes Alzheimer.
9. Përmirëson tretjen
Komponentet kryesore të shafranit te Indisë stimulojnë fshikëzën e tëmthit për të prodhuar vrer, i cili më pas përmirëson tretjen dhe redukton simptomat e fryrjes dhe gazit. Gjithashtu, shafrani i Indisë është i dobishëm në trajtimin e sëmundjeve inflamatore të zorrëve, duke përfshirë kolitin dhe ulçerën. Megjithatë është e rëndësishme që të mbahet mend se njerëzit që vuajnë nga sëmundje të tëmthit të fshikëzës nuk duhet të marrin shafranin e Indisë si një shtesë diete, duke qenë se ajo mund të keqësojë gjendjen. Është mirë që të konsumoni shafranin e Indisë në formë të papërpunuar, kur vuani nga një problem i tretjes se ushqimit.
10. Parandalon sëmundjen e mëlçisë
Shafrani i Indisë është një lloj ç’toksifikuesi natyral i mëlçisë. Mëlçia ç’toksifikon gjakun me prodhimin e enzimave dhe shafrani i Indisë rrit prodhimin e këtyre enzimave vitale. Këto enzima vitale prishen dhe reduktojnë toksinat në trup. Shafrani i Indisë gjithashtu besohet të forcojë dhe të përmirësojë qarkullimin e gjakut. Të gjithë këta faktorë mbështesin shëndetin e mirë të mëlçisë.
Duke pasur parasysh përfitime të shumta shëndetësore të kurkumës, duke shtuar këtë barishte të fuqishme në dietën tuaj është një nga gjërat më të mira që ju mund të bëni për të përmirësuar cilësinë e jetës tuaj. Ju mund të shtoni shafranin e Indisë në formë pluhuri tek kerri (përzierje erëzash orientale), ta përzieni në gjellat e skuqura, qumësht të ngrohtë dhe madje edhe për sallatë djegëse. Shafrani i Indisë mund të merret në formë të pilulës gjithashtu. Megjithatë, shafrani i Indisë nuk duhet të përdoret nga njerëzit me gurë në tëmth apo bllokim tëmthi.

Revista “Familja”, nentor 2016