100 VJET SHTET SHQIPTAR

62

Çdo shtet është karakterizuar me atë çfarë i ka ofruar shoqërisë, ku ka jetuar dhe kjo shoqëri  është dizenjuar e tillë, që ka mbartur vlera e realitete popujsh që vijnë e ikin, por në hartën e dizenjimit vlerorë të sistemeve njerëzore i lënë historisë pika të rëndësishme reference.

Kështu, ndërsa çdo popull numëron arritjet e tij, shikon drejt lartësive, proklamon performancat  ndër vite, shteti shqiptar këtë vit i tregon shoqërisë së tij, por edhe shoqërive të tjera, një momentum festiv. Ky momentum po afron kalendarisht, por që në fakt ka kohë që ka ardhur për nga moblizimet që ndiehen kudo. Është pikërisht muaji nëntor që shënon përmbushjen e një 100-vjeçari, e një shekulli plot e përplot sakrifica, mundime e sfida të shumta.

Popuj të tjerë kanë festuar 100 vjetore e madje 200 vjetorë të krijimit të tyre si shtet, të krijimit të kushtetutave të tyre e në këtë drejtim populli shqiptar sa entuziast, por edhe refletues, sikur kërkon të shfaqë tek shoqëria jonë 100 vite demokraci, liri, fitore dhe frymëmarrje. Por në realitetin i cili flet shumë hapur, gjysma e këtij shekulli nuk i gëzon të tre epitetet e lartpërmenduara, përveçse “frymëmarrjes”. Më pas, në vazhdën e ecejakeve që çdo popull botërisht ka vuajtur, derisa më pas ka duartrokitur për përfundimet e mira, edhe populi shqiptar  iu bashkëngjit botës së lirë që kishte kohë që e priste.

Dhe vit pas viti, cikli jetik rrodhi me dy dekada përpjekje, jo të ngelura në tentative kundrejt lirisë së vërtetë, por gjithsesi të mundimshme, ashtu siç edhe realizohen gjërat e vërteta e të shenjta siç është liria.

Koncepti i lirisë që mbart në vetvete ky 100-vjeçar është se nga çlirimi i Shqipërisë realisht u njoh liria e vendit nga zgjedha e huaj, ndërkohë që shumë vite më pas, për hir të së vërtetës duhet thënë se shteti shqiptar njohu lirinë në dimensionet e saj. Lirinë e vetes së tij, lirinë e fjalës, shprehjes së lirë, besimit, shtypit, zgjedhjes, vendimmarrjes dhe shumë asete të tjera që t’i ofron jo vetëm demokracia, por edhe disa vlera të patjetërsueshme njerëzore e të pazëvendësueshme si urdhëresa hyjnore, siç është besimi dhe vlera e tij për njerëzimin.

Pikërisht në këtë aspekt, përballë këtyre “dy lirive”, shteti shqiptar njeh më së shumti atë lirinë pasuese, lirinë që e përgëzoi dhe e shmangu nga vargonjtë e mohimit të shumë prej vlerave njerëzore, ku ndër to është vlera e besimit, e njohjes së Zotit, përvetësimit të moralit të mirë etj.

100 vjet shtet shqiptar janë majftueshëm për ta brumosur vetëdijen shqiptare se shumë prej vlerave që i kanë munguar, po të ishin prezente ndër ta do ta ngrenin akoma më shumë drejt piedestaleve të qytetarisë e vlerave humane.

Gjithsesi mjaftojnë këto dy dekada lirie ta dallojnë popullin shqiptar si popull që e deshi lirinë  dhe besimin dhe nuk shkoi shumë që të ravijëzohej në hartën e perceptimeve dhe të popujve të tjerë, jo vetëm rajonalë, por edhe të përtejmë si shteti me shumicë muslimane, me shumicë besimtare në një Zot të Vetëm.

100 vite shtet shqiptar do donim të ishin 100 vite islam dhe dije që të çon për tek dyert e islamit. Por pa e ekzagjeruar do thonim “Po, 100 vite pavarësi, 100 vite islam!”, pasi edhe pse u dënuan dhe u ndaluan endjet e paraardhësve tanë për islamin, besimtarë e dijetarë muslimanë përgjatë po këtij shekulli që po festojmë sot, sërish jetët e tyre janë ngjallur me dëshirat e tyre ndaj ngritjes së islamit, duke na u trashëguar neve. Ne pasardhësve të tyre na kanë trashëguar ndjenja e dashuria për besimin, pa lënë këtu mënjanë caktimin e Zotit mbi ne dhe këdo, pasi pa udhëzimin e Zotit nuk do ishte mbushur asnjë saf as në kohën e mohimit, por as edhe në kohën e lirisë së madhe.

Është mirësia e Zoti që na bëri të tillë, të festojmë. Është mirësi që na dha jetët e të shikojmë ku gjendemi, ku na hedh viti e dekada, e madje ku na hedh shekulli i ri, duke shpresuar të mos jetë shekulli i plakur, por shekull i ri që gjeneron vitalitet, dije e kreativitet, optimizëm për të ecur në rrugën e Zotit. Për t’u ndierë krenarë se vitet e shekujt e tjerë është premtim i Zotit që do lulëzojë Fjala e Tij. Vetëm duke njohur Zotin, Dhuruesin e Lirisë së Madhe, mund të njohim e të ndiejmë jo vetëm këtë 100 vjeçar lirie, por edhe shekuj e shekuj të tjerë.

Kudo ndiehen përgatitje me plot pompozitet e me lozhet që dallohen për nga nuancat e  nacionalitetit; në çdo aspekt e suazë jete administrative, shoqërore, ekonomiko-politike; çdo gjë pret të ndryshojë apo të ridimensionohet në kuadër të 100 vjetorit të shtetit shqiptar dhe kjo, si çdo ngazëllim, na bën të ndiehemi njerëzorë, na shton dëshirën e ëndjen për të qenë të lirë e të pavarur.

Por, përpos kësaj, bota e besimit në Zot, shoqëria besimtare duhet të jetë akoma më tepër e ngazëllyer tek numëron 100 vjeçarët e arritjeve në besim, në përmirësim të vetes dhe të të tjerëve  për të përftuar kështu një shoqëri të begatë, që di të festojë çdo ditë lirie dhe jo vetëm çdo përvjetor. Në vazhdën e këtij panangazhimi që po bën qeveria shqiptare e mbarë administrata në çdo nivel të saj, ndiehet një fuqi moblilizuese, e cila është nxitëse për të festuar.

Parë në aspektin islam të të festuarit lidhet me arritjet që realizohen e që arrin besimtari e më pas i kororëzon me një festë reale e kuptimplotë, siç edhe janë festimet e festave tipike – bajramëve.

Në këtë drejtim, fare pranë kësaj feste, mbi 100 vjet shtet shqiptar, bota islame feston festën e bajramit – festën e lirisë së vërtetë, çlirimit nga dogmat ngulfatëse të mosbesimit, duke i ofruar besimtarëve kohë për falje e shpëtim, ngazëllim shpirtëror e padiskutim liri.

Ndër shumë qasje të tjera lidhur me mobilizimet mbi “100 vjet shtet shqiptar”, sërish mbeten hapësira për ta rimenduar në vetet tona në ndiehemi krenarë pse jemi bijë të këtij shekulli apo jo. Në e shfrytëzuam sa duhet apo na shfrytëzoi së tepërmi, e të tjera pyetje që na bëjnë më kërkues ndaj vetes e pastaj më festivë ndaj çdo feste.

Revista “Familja”, Nentor -Dhjetor 2012