104 vjet pavarësi, me mendjen tek ti e dashur Shqipëri!

115

Orjola Sula

Vjeshta e artë, në muajin nëntor duket edhe më e bukur. Përvec gjetheve të zverdhura e kuqerreme që shtrojnë rrugët si një tapet i praruar, qielli skuqet nga flamujt kuq e zi të cilët valëviten kudo. Dy data të shënuara, 28 dhe 29 Nëntori na kujtojnë çdo vit sakrificat e popullit shqiptar për liri e pavarësi. E rrallë në mbarë botën që një popull kaq i vuajtur i ka rezistuar pushtimeve të njëpasnjëshme dhe padrejtësive të popujve fqinjë. Dhe ajo që është më e çuditshme, kurrë nuk kemi pretenduar të pushtojmë, por vetëm jemi mbrojtur, duke synuar të ruajmë trojet tona. E megjithatë, edhe sot e kësaj dite shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të ndarë. Kosova tashmë është një shtet i pavarur, por gjithnjë me mendjen dhe zemrën tek Shqipëria e madhe. Ndërsa të tjerë shqiptarë që jetojnë në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni apo Greqi, vazhdojnë luftën e tyre për të drejtat që u takojnë. Pavarësisht kësaj, pozita e shqiptarëve në Ballkan sot është shumë më e mirë se e paraardhësve tanë më 1912. Aderojmë në Organizata të rëndësishme ballkanike madje synojmë edhe futjen në Bashkimin Evropian.

Për shqiptarët sot kudo në botë janë krijuar lehtësira. Qindra shqiptarë jetojnë si emigrantë në vende të ndryshme të botës për një jetë më të mirë. Ata më shumë se kushdo e ndiejnë mallin për vendlindjen. Edhe pse jetojnë e punojnë jashtë atdheut, mendjen gjithnjë e kanë këtu. Mjafton një ndeshje futbolli apo një festë kombtare që flamujt kuq e zi të valëviten në shtetin më të largët ku ka shqiptarë. Po, po, nuk është aspak çudi. Bota virtuale na ka ofruar mundësinë të shohim me sytë tanë sesi festojnë nëpër rrugë shqiptarët e Amerikës, Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Zvicrës e kudo nëpër botë duke valëvitur flamujt me shqiponjën dykrenare. Në këto momente gjaku të ndizet, sytë të mbyshen me lot dhe krenaria të bën të pranosh se sa bukur është të jesh shqiptar. E di se shumë nga ne që jetojmë këtu, në këtë vend të vogël ku duket sikur asgjë nuk funksionon, i kanë humbur shpresat për një jetë më të mirë. Ndonjëherë mendojmë të lemë gjithcka e të shkojmë në kërkim të së ardhmes në një tjetër shtet. Por më besoni, nuk është aspak e lehtë. Sakrificat që duhet të kalosh për të nisur nga e para në një vend të panjohur janë sfilitëse. Shumë emigrantë shqiptarë janë kthyer të zhgënjyer pasi nuk kanë gjetur mbështetje, madje shpesh janë paragjykuar. E ku ka më mirë se të jesosh në vendin tënd. Në këtë vend me bukuri natyrore që i ka zili kushdo, me një të shkuar të artë e me tradita e zakone të rralla mes të cilave mikpritja që i bën përshtypje çdo turisti të huaj. Ndiehesh krenar kur të huajt njohin heroin tonë kombtar Skënderbeun, Nënë Terezën, Ali Pashë Tepelenën apo të tjerë personalitete të shquara të historisë që i kanë shtuar vlerat vendit tonë. Një tjetër cilësi e shqiptarëve është atdhedashuria. Që në djep foshnjat mëkohen me këngë e vjersha për atdheun. Dashuria për vendlindjen e ka mbajtur të bashkuar kombin tonë ndër shekuj. Në të gjithë botën njerëzit lëvizin nga një shtet në tjetrin në fuksion të punës, duke synuar një jetë më të mirë. Por duket se me ndërrimin e shtetësisë, për ta nuk ka më rëndësi vendi ku kanë lindur ndaj nuk e kthejnë më kokën pas. Ndërsa për shqiptarët është krejt e kundërta. Dashuria për atdheun për ne është një ligj i pashkruar që na e lënë amanet prindërit. Kudo që janë, shqiptarët krenohen me të shkuarën e lavdishme si një ndër popujt më të vjetër në Ballkan. Shumë personalitete me famë botërore e pranojnë me krenari se kanë gjak shqiptar. Madje, pasi vizitojnë Shqipërinë, ata largohen me përshtypjet më të mira duke marrë me vete simbolet shqiptare e duke u krenuar me to përpara mediave të të gjithë botës. Përtej zhgënjimeve apo kritikave ndaj qeverive që na drejtojnë, shqiptarët kurdoherë do të pranojnë me krenari se të jesh shqiptar është një nder dhe privilegj i madh. Në çdo kohë ne do ruajmë dinjitetin tonë si një komb në dukje i vogël por me vlera të mëdha historike, morale e njërëzore. Ndaj është kaq i dashur për ne muaji nëntor. Bashkë me festat e pavarësisë dhe çlirimit, ai na forcon ndjenjën e atdhedashurisë, respektin për vendin tonë dhe për njëri-tjetrin.

Revista “Familja”, nentor 2016