15 vjet revista “Familja” (2000 -2015)

48

Nga Armida Plumbi

Aty ku familja është në qendër të vëmendjes!

Revista “Familja”, organi mediatik i Shoqatës Kulturore “Gruaja”, mbush këtë vit plot 15 vjet.

Në vitin 2000, revista “Familja” ka nxjerrë numrin e saj të parë, si organ mediatik i përmuajshëm i Shoqatës Kulturore “Gruaja” dhe tashmë numërohen rreth 140 numra të botuara.

Që në fillimet e saj, ajo është ideuar dhe konceptuar si kontribues në sensibilizimin e opinionit publik rreth fenomeneve kulturore dhe sociale, në të njëjtën kohë ndryshimin e paragjykimeve që i drejtohen femrës myslimane.

Gjithashtu, kjo revistë u ka dhënë mundësinë gjithësecilit të ngrejë zërin për çështje që nuk duhen kaluar në heshtje.

Revista “Familja”, nisi misionin e saj pas një periudhe të gjatë zbrazëtie mediatike të Islamit, ku regjimi komunist pothuajse kishte shfarosur gjithçka. Kështu me botimin e saj të parë në vitin 2000, u çel një dritare e re për familjet shqiptare, veçanërisht ato të besimit islam.

Vlen të përmendet mbështetja dhe kontributi i jashtëzakonshëm i intelektualëve myslimanë për shkrimet e tyre me vlerë dhe sidomos puna ndër vite e: prof.dr. Ruzhdije Qafmolla, znj. Neriman Gjinali, znj. Mërvete Kuka, prof. dr. Sadije Bushati, dr. Ilmie Mara, prof. dr. Shpresa Ahmetaga, znj. Jolanda Lila, znj. Merjem Lumi, znj. Albana Muja, znj. Elona Muça, znj. Afërdita Dema, e shumë bashkëpunëtorë dhe korrespondentë nga vendi dhe bota, të cilët kanë dhënë kontribut, që revista “Familja” të vazhdonte udhën e nisur.

Për vite me radhë “Familja” ka dalë si revistë e shtypur, në fillim e përmuajshme dhe më pas e njw herw nw dy muaj.

Duke parë që sasia e informacionit në ditët e sotme dhe nevoja e lexuesit për informacion sa vjen e shtohet, tashmë risi e kësaj reviste është formati on-line www.revista-familja.com, një projekt i cili e vazhdon punën e tij me gjithë seriozitetin e mundshëm dhe të nevojshëm.

Ky website do të rifreskohet çdo ditë me materiale të reja, ku çdo lexues do të ketë mundësinë të shfletojë on-line dhe të bëhet pjesë e shkrimeve të saj.

Në janar të këtij viti si rrjedhojë e dinamikës dhe kërkesave të kohës, ky format vjen me një larmishmëri rubrikash, si: aktualitet, brenda familjes, shëndeti i familjes, në fokus, bardh e zi, ta themi hapur, opinion, jetë njerëzish, shkruaj edhe ti, udhëtim, ide për shtëpi, kuriozitete, kulturë etj.

Kapitali i vetëm i revistës, janë lexuesit e saj. Ndaj në këtë vit të 15-të të daljes së numrit të parë, falënderojmë të gjithë lexuesit në çdo cep të Shqipërisë dhe përtej kufijve, kudo në diasporë për mbështetjen dhe interesin e treguar.

 Rev. Familja, shkurt 2015