17 vjet revista “Familja”

215

 Revista “Familja”, organi mediatik i Shoqatës Kulturore “Gruaja”, mbush këtë vit plot 17 vjet.

Në vitin 2000, revista “Familja” ka nxjerrë numrin e saj të parë, si organ mediatik i përmuajshëm i Shoqatës Kulturore “Gruaja”.

Që në fillimet e saj ajo është ideuar dhe konceptuar si kontribues në sensibilizimin e opinionit publik rreth fenomeneve kulturore dhe sociale, në të njëjtën kohë ndryshimin e paragjykimeve që i drejtohen femrës muslimane.

Gjithashtu kjo revistë u ka dhënë mundësinë gjithësecilit të ngrejë zërin për çështje që nuk duhen kaluar në heshtje.

Revista “Familja” nisi misionin e saj pas një periudhe të gjatë zbrazëtie mediatike të Islamit, ku regjimi komunist pothuajse kishte shfarosur gjithçka. Kështu me botimin e saj të parë në vitin 2000, u çel një dritare e re për familjet shqiptare, veçanërisht ato të besimit islam.

Vlen të përmendet mbështetja dhe kontributi i jashtëzakonshëm i intelektualëve myslimanë për shkrimet e tyre me vlerë dhe sidomos puna ndër vite e: prof.dr. Ruzhdije Qafmolla, znj. Neriman Gjinali, znj. Mërvete Kuka, prof. dr. Sadije Bushati, dr. Ilmie Mara, prof. dr. Shpresa Ahmetaga, znj. Jolanda Lila, znj. Merjem Lumi, znj. Albana Muja, znj. Elona Muça, znj. Afërdita Dema, e shumë bashkëpunëtorë dhe korrespondentë nga vendi dhe bota, të cilët kanë dhënë kontribut, që revista “Familja” të vazhdonte udhën e nisur.

Për vite me radhë “Familja” ka dalë si revistë e shtypur, në fillim e përmuajshme, më pas e përdymuajshme dhe tashmë është çdo muaj pranë lexuesit.

Duke parë që sasia e informacionit në ditët e sotme dhe nevoja e lexuesit për informacion sa vjen e shtohet, tashmë risi e kësaj reviste është formati online www.revista-familja.com, një projekt i cili e vazhdon punën e tij me gjithë seriozitetin e mundshëm dhe të nevojshëm.

Ky website rifreskohet çdo ditë me materiale të reja, ku çdo lexues ka mundësinë të shfletojë online dhe të bëhet pjesë e shkrimeve të saj.

Si rrjedhojë e dinamikës dhe kërkesave të kohës, ky format ka ardhur me një larmishmëri rubrikash, si: Editorial, Aktualitet, Brenda familjes, Shëndeti i familjes, Në fokus, Koment, Bardh e zi, Ta themi hapur, Opinion, Jetë njerëzish, Shkruaj edhe ti, Udhëtim, Ide për shtëpi, Kuriozitete, Perla dhe urtësi, Kulturë etj.

Kapitali i vetëm i revistës janë lexuesit e saj. Ndaj në këtë vit të 17-të të daljes së revistës “Familja”, falënderojmë të gjithë lexuesit në çdo cep të Shqipërisë dhe përtej kufijve, kudo në diasporë për mbështetjen dhe interesin e treguar.

 —————————————-

Revista “Familja” – “The Family” magazine

Address: Str. Ali Demi, P. 14, Ap. 1, P.O. Box: 2905, Tirana- Albania

Tel/Fax: +355 4 2340089; Mobile: +355 67 2063706

Web: http://www.revista-familja.com ; E-mail: revista.familja@hotmail.com

Fb: https://www.facebook.com/Atykufamiljaeshteneqendertevemendjes/