365 ditë, pasqyra e një jete të trazuar

180

 Nga Orjola Sula

Zhvillimet e vrullshme të viteve të fundit e kanë tronditur jo pak jetën e gjithësecilit prej nesh. Fatkeqësi natyrore, luftëra të padrejta ndaj njerëzve të pafajshëm apo varfëri e tejskajshme. Duket se e gjithë bota po kalon një krizë të thellë sociale nga e cila zor se do dalë pa pasoja të rënda në kurriz të popujve jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën. Për fat të mirë vendi ynë është ende larg këtyre sfidave të mëdha. E kjo na bën të reflektojmë se çdo ditë që lëmë pas, është bekim për jetën tonë. Në një cikël prej 365 ditësh secili nga ne përjeton momente të vështira, por edhe të bukura që e mbushin jetën me optimizëm dhe dëshirë për të vazhduar përpara. Në fund të një viti çdo shtet bën një bilanc të punës mes sukseseve, arritjeve dhe sfidave për vitin që vjen. Të njëjtin bilanc bën secili prej nesh me veten e tij. A i kam realizuar objektivat që i kisha vënë vetes për këtë vit? Sa i suksesshëm kam rezultuar në përpjekjet e mia për realizimin e këtyre objektivave?

Dikush ka synuar rezultate të larta në mësime, një tjetër ka arritur të fitojë degën e tij të preferuar për studimet e larta apo ka siguruar një vend të mirë pune. Por më të plotësuar ndihen ata që pas shumë vitesh vetmie, më në fund kanë gjetur njeriun e zemrës dhe janë lidhur në martesë apo ata qe kanë plotësuar familjen e tyre me një fëmijë. Të gjitha këto e bëjnë gjithësecilin nga ne të ndihet krenar me veten dhe atë ç’ka arritur përgjatë një viti.

Por jeta nuk është vetëm kaq. Ajo të ofron kënaqësi edhe tek gjërat e vogla. Gjeste apo veprime që për shumë mund të jenë mospërfillëse, për disa të tjerë mund të ndryshojnë rrjedhën e jetës. Shpesh tregohemi të padrejtë duke i thënë dikujt ato fjalë që nuk do donim të na i kishin thënë ne. Pa e ditur çdo ditë lëndojmë ndjenjat e dikujt, qofte ai familjar, mik apo koleg. Para syve tanë kalojnë çdo ditë njerëz që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe tregohemi indiferentë, duke vazhduar rutinën e përditshme, pa u shqetësuar për të tjerët kur në fakt duhet të jemi falënderues për atë që kemi dhe të ofrojmë mbështetjen tonë sa herë mundemi. Jo vetëm materialisht por edhe me një fjalë të ngrohtë a me një gjest të ëmbël që do t’i zbukuronte ditën dikujt….

Jemi akoma në kohë për të ndryshuar mënyrën tonë të konceptimit të gjërave. Viti që vjen do të na japë mundësinë të përmirësojmë vetveten, jo vetëm në punën tonë por edhe në sjelljen me të tjerët rreth nesh. 365 ditë duken një jetë e tërë, por kur mbërrin në finish të këtij cikli, çuditesh me veten se sa shpejt ikën edhe 365 ditë nga jeta jote e ndonjëherë të vjen keq se përse nuk i ke shfrytëzuar ato ashtu siç do të doje. Është pikërisht ky moment që na motivon për të reflektuar duke u përpjekur që të ndryshojmë nga viti në vit. Por të vetëm nuk do ja dilnim dot kurrë në këtë shoqëri të egër e materialiste që mendon mbi të gjitha sesi të përfitojë sa më shumë në kurriz të të tjerëve. Janë njerëzit tanë të dashur, familja dhe miqtë ata që na shtyjnë të ecim përpara edhe në ditët më të vështira. Njerëzit më të suksesshëm në histori kanë qenë ata që pavarsisht vështirësive ekonomike, kanë patur dashurinë dhe ngrohtësinë e familjes. Mësuesja e fillores i dërgon një nënë një letër ku i kërkonte të mos e dërgonte me djalin e saj në shkollë pasi ishte i prapambetur. Nëna ja lexoi letrën djalit me lot në sy duke i thënë: “Mësuesja ka shkruar se djali juaj është një gjeni dhe ne nuk mund t’i ofrojmë atij një shkollim në të tilla nivele. Kështu djali mësoi si autodidakt me nënën e tij në shtëpi dhe pas dhjetë vitesh u bë një ndër shkencëtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Besimi që nena e tij kishte tek aftësitë e të birit, ishte pikërisht burim frymëzimi që ky fëmijë të kthehej vërtetë në një gjeni.”

Por ajo që të bën përshtypje vitet e fundit është fakti se shumica e njerëzve priren që të konsiderojnë arritje shtimin e të ardhurave në buxhetin e tyre personal. Ky lloj materializmi është mjaft i dëmshëm pasi pasurimi i xhepit çon në varfërimin e shpirtit e nuk ka njeri më të varfër sesa ai që nuk ka shpirt dhe ndjenja njerëzore. Pikërisht për këtë po vuan sot njerëzimi. Dalëngadalë po ftohen ndjenjat njerëzore dhe gjithçka po vërtitet rreth pushtetit dhe parasë. Për shkak të interesave të ngushta të disa shteteve në botë, sot me mijëra njerëz po vuajnë pasojat e luftërave të padrejta që nuk po kursen as fëmijët duke lënë tek ata trauma dhe dëme të parikuperueshme. Këto tragjedi ndikojnë në personalitetin e këtyre fëmijëve që tashmë ndiehen të pasigurt për të ardhmen. E çuditërisht bota është tërësisht indiferente ndaj kësaj katastrofë njerëzore duke harruar që secili nga ne mund të kishte fatin e keq të jetonte në këto vende, ku në vend të muzikës apo cicërimave të zogjve dëgjohen zhurmat e llahtarshme të bombave dhe plumbave. Shpresojmë që viti 2017 të jetë një ogur i mirë për këta popuj që nuk duan gjë tjetër veçse ndalimin e gjakderdhjes dhe rikthimin e tyre në atdhe…

Kur të bëni bilancin e sukseseve dhe arritjeve tuaja në një vit, kini parasysh edhe ata njerëz që luftërat, varfëria e tejskajshme apo problemet shëndetësore nuk i kanë lejuar as ta mendojnë se çfarë solli për ta viti që lamë pas. Nëse për ju synimet që doni të arrini janë shumë preçize, ata shpresojnë vetëm se ditë më të mira do të vijnë.

Per të mos u zgjatur, viti 2016 ishte vërtetë një vit i mbushur me suksese, arritje, por edhe dështime. Të paktën shpresojmë që gjatë vitit 2017 të reflektojmë mbi dështimet duke vepruar me mençuri e pjekuri në mënyrë që gjithçka kemi lënë në mes të rruges t’i çojmë deri në fund dhe në meënyrë që prioritetet tona të realizohen sa më shpejt.

Revista “Familja”, dhjetor 2016