5 arsyet pse Shqipëria i mahnit vizitorët e huaj

70

Jolanda Lila

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më tepër vëmendjen e të huajve si një nga destinacionet e mrekullueshme dhe të paeksploruara. Ky destinacion shpesh është identifikuar si një vend ish-komunist dhe vetëm kohët e fundit kanë dalë në dritë resurset dhe magjitë natyrore e kulturore që bart.

E gjendur për gati 50 vjet nën regjimin izolues komunist, Shqipëria u ekspozua më tepët si një faktor propagandistik, ku derën e hapi vetëm për vendet e ish-kampit socialist, sesa si një vend me potenciale turistike të dukshme e të zhvilluara prej shumë shekujsh. Vlen të kujtojmë udhëpërshkrimet dhe veprat e autorëve të mirënjohur botërorë mbi Shqipërinë për të kuptuar mbresat që lë ky vend tek gjithkush që e shkel. Kujtojmë për shembull kryeveprën e letërsisë angleze “Shtegtimet e Çajld Haroldit” e autorit Xhorxh Bajron që ka 360 vargje për bukuritë shqiptare, mbresat e udhëtimit në veri të Shqipërisë nga antropologia Edit Durham etj. Megjithatë, regresi në pikëpamje të politikës izoluese komuniste jo vetëm për sektorin e turizmit, por edhe për jetën e shqiptarëve në përgjithësi, bëri që pas viteve ’90 ky vend të ishte thuajse i panjohur për të huajt.

maxresdefault

Sot, pas 25 vjetësh demokraci, situata është krejt ndryshe, sepse turistët e huaj po shtohen nga viti në vit. Sipas statistikave zyrtare, këtë vit është rritur 20 përqind më shumë numri i të huajve që kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë, ndërkohë që vitin e kaluar e kanë vizituar Shqipërinë rreth 3 milion turistë.

Mediet më prestigjioze ndërkombëtare i kanë bërë jehonë atraksionit turistik që ofron Shqipëria, duke e konsideruar si “perlën e Ballkanit”, “Greqia e ardhshme në turizëm”, “destinacion fantastik ku mund të gjesh gjithçka” etj. Arsyet pse duhet vizituar Shqipëria janë të shumta dhe për këtë do të bindeni vetëm kur ta prekni nga afër këtë vend, por në vijim po ju paraqesim disa nga më kryesoret:

  1. Vija bregdetare dhe pozicioni gjeografik

Shqipëria gjendet në perëndim të Gadishullit të Ballkanit dhe 1/3 e territorit shqiptar laget nga deti Adriatik dhe Jon. Ky vend ka brigje të mrekullueshme, brigje ranore dhe shkëmbore, të padhunuara ende nga duart e industrive të mëdha. Sezoni turistik i plazheve çelet në muajin maj dhe përfundon në fund të muajit shtator, pra gjysma e vitit është e përshtatshme për plazh, e kjo favorizohet edhe nga klima mesdhetare dhe prania e diellit në pjesën më të madhe të kohës. Gjatë verës temperaturat mesatare janë nga 25-35 gradë C, ndërsa gjatë dimrit 1-10 gradë celsius.

  1. Malet e paeksploruara

fb_img_1467792153669

2/3 e hapësirës së Shqipërisë përbëhet nga pyjet dhe gjelbërimi. Përveç ajrit të pastër e të freskët, kjo hapësirë ofron edhe mundësinë për të zhvilluar aktivitete e sporte të shumta të turizmit të gjelbër. Kryesisht bukuritë e maleve shqiptare janë të paeksploruara. Ka një larmi destinacionesh malore që ofrojnë gjithçka, madje të huajt i krahasojnë me alpet e Zvicres.

Kështu, një nga zonat mjaft të rëndësishme turistike malore janë Alpet e Shqipërisë, të cilat gjendet në veri të vendit. Pikat kryesore të tyre janë: Thethi, Razma, Boga, Vermoshi, Lugina e Valbonës, etj. Por edhe në jug ka zona malore atraktive siç janë Voskopoja, Dardha,  Drenova, Vithkuqi në Korçës, maja e Llogarasë në Vlorë etj.

  1. Burimet ujore (lumenjtë dhe liqenet)

fb_img_1468004202448

Natyra shqiptare është mjaft e pasur me burime ujore, lumenj dhe përrenj të shumtë. Numërohen rreth 200 burime me prurje uji mbi 200 litra në sekondë. Në një raport ndërkombëtar  të publikuar 5 vjet  më parë, Shqipëria rezultonte e treta në Evropë për cilësinë e ujit të pijshëm, i cili ka parametra mjaft të mira për konsum.

Burime me vlera kurative janë edhe ato të ujërave termale të quajtura llixha. Këto burime ndodhen në disa qytete të Shqipërisë. Janë të shquar për bukurinë dhe veçantinë e tyre burimet e ujërave të Syrit të Kaltër në Delvinë, të Ujit të Ftohtë në Tepelenë, të Drilonit afër liqenit të Ohrit, etj. Rrjeti hidrografik i territorit të Shqipërisë përbëhet nga 11 lumenj kryesore, që së bashku me degët e tyre dhe përrenjtë e mëdhenj me ujë të vazhdueshëm arrijnë numrin 152. Gjithashtu, Shqipëria është shumë e pasur me liqene. Krahas liqeneve të mëdhenj të Shkodrës, Ohrit dhe Prespës gjenden disa dhjetëra liqene të vegjël. Liqenet shqiptare përbëjnë shumë rekorde në gadishullin e Ballkanit, si në aspektin e gjatësisë, ashtu edhe të gjallesave brenda tyre.

  1. Trashëgimia kulturore e shpirtërore

Shqipëria zotëron një trashëgimi kulturore e shpirtërore mjaft të pasur. Kjo trashëgimi reflektohet në arkitekturën e shumë objekteve të kultit, ku dominon arkitektura e stilit osman, por edhe në shumë amfiteatro, kështjella e kala shekullore që bartin një histori plot lavdi e domethënie. Qytete të tëra në Shqipëri janë shpallur si monumente kulture dhe mbrohen nga UNESCO (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara).  Qytete si Berati, Butrinti dhe Gjirokastra janë ndër pasuritë kulturore mijëvjeçare shqiptare që janë shpallur monumente kulture, për shkak të rëndësisë së tyre unike në sferën ndërkombëtare. Në listën e kryeveprave të kulturës orale e jomateriale të botës, midis 43 shprehive më spikatëse kulturore të popujve të gjithë botës, UNESCO ka regjistruar edhe iso-polifoninë shqiptare të jugut.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve. Pavarësisht se mbi 70 % e popullsisë janë muslimanë dhe pjesa tjetër katolikë, ortodoksë dhe bektashinj, mes tyre ekziston një harmoni dhe tolerancë që shpesh është përmendur si vlerë historike për t’u marrë shembull botëror.

fb_img_1467577208689

  1. Ekonomizim i kohës dhe i xhepit

Të udhëtosh në Shqipëri nuk kërkon ndonjë planifikim të madh financiar, pasi mund të bësh pushime e të shijosh njëherësh natyrën e malit, të detit dhe të liqenit dhe të paguash çmime shumë të arsyeshme. Infrastruktura e nevojshme, natyra e virgjër dhe bujaria e shqiptarëve e bëjnë të paharrueshme vizitën në këtë vend.
Duke qenë se distancat nga njëri destiancaion tek tjetri janë relativisht të shkurtra, brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore mund të vizitosh disa nga destinacionet më pikante e të bukura. Përveç shijimit të natyrës shqiptare, me shumë interes janë edhe pjatat shumëngjyrëshe të kuzhinës tradicionale, ku ushqimi bio mbretëron në tryezat e restoranteve dhe hoteleve shqiptare.

Nuk mbetet asnjë koment për të bërë, gjithçka e thonë edhe opinionet e tekste e botuara nga të huajt për bukuritë e vlerat e këtij vendi.

 

Revista “Familja”, tetor 2016