5 shenjat e mbiprindërimit

466

Nga Elona Çeço

1. Fëmija ju thërret për çdo problem që has
Është normale që fëmija juaj 5-vjeçar t’ju kërkojë ndihmë për problemet që i dalin, por nuk është normale që fëmija juaj student 19-vjeçar t’ju marrë në telefon sa herë që i ndodh diçka. Mundohuni të edukoni frymën e zgjidhjes së problemeve në mënyrë të pavarur përgjatë rritjes së tyre dhe mos u lëshoni si ambulancë sa herë që shihni fëmijën pak në vështirësi.
2. Fëmija juaj nuk e përballon dot zhgënjimin
Asnjërit nuk i pëlqen zhgënjimi, por nuk është e nevojshme të kalosh në shpërthim të pakontrolluar inati sa herë ndodh një zhgënjim. Elasticiteti i fëmijës është një nga shenjat kryesore të prindërimit të mirë. Nëse fëmija juaj nuk e tregon këtë tipar, do të thotë se ju keni bërë çdo gjë për ta mbrojtur nga zhgënjimet, por në këtë mënyrë ia keni bërë më të vështirë përballjen me zhgënjimet e pashmangshme që të ofron jeta.
3. Fëmija juaj shmang punën dhe mundohet të gjejë rrugë të shkurtra
Nëse ju ia keni zgjidhur problemet dhe e keni mbrojtur fëmijën tuaj nga çdo zhgënjim i mundshëm, shanset janë që fëmija juaj të presë që jeta të jetë shumë e thjeshtë. Mbiprindërimi prodhon pritshmëri joreale tek fëmija dhe nuk i përgatit për jetën e vërtetë. Nëse vëreni se fëmija juaj përpiqet të shmangë detyrat apo impenjimin me aktivitetin jashtëshkollor që ka zgjedhur, mbase kjo ndodh, sepse shumë gjëra i janë bërë gati në jetë dhe tani duhet të mësojë si të punojë fort.
4. Ju shpesh bëni detyrat e fëmijës, merrni në telefon mësuesen apo i dilni krah fëmijës suaj në sy të mësueses
Nëse e kapni veten duke lexuar deri vonë librin e fëmijës suaj për ta ndihmuar të bëjë një përmbledhje, jeni duke mbiprindëruar. Të bësh detyrat e fëmijës nuk është ndihmë. Çfarë do bëjë më vonë kur të jetë student apo kur të shkojë në punë? Nëse fëmija juaj nuk arrin dot në kohë të përfundojë detyrat, jepini një mësim të mirë duke e lënë zgjuar derisa t’i mbarojë ato.
5. Ju kaloni shumë orë në internet duke gërmuar për kopshtet më të mira, vitaminat më të mira, ushqimet organike të duhura etj.
Është shumë e lehtë të kapesh në kurth nga detajet e prindërimit, ku shumë “ekspertë” në kohët e sotme promovojnë më shumë ushqimin organik sesa dashurinë dhe kohën që kërkon një fëmijë. Kjo përfshirje intensive me detajet, jo vetëm që është shenjë e mbiprindërimit, por do ju luajë mendsh.

Shkurt 2018