A ka vlera arti i krijuar gjatë komunizmit?

97

Dr. Jolanda LILA

Paragjykimet mbi artin e krijuar gjatë komunizmit janë bërë debat i mprehtë i qarqeve intelektuale e artistike në Shqipëri. Letërsia, por së fundmi edhe kinematografia e krijuar nën metodën e realizmit socialist shihen prej disave si elemente regresive, që duhen zhdukur nga qarkullimi, ndërsa disa të tjerë i shohin si elemente me vlerë dhe tepër të domosdoshme, sidomos në këtë kohë ku po reklamohen më shumë antivlerat sesa morali. Këto dy qëndrime ekstreme kanë gjeneruar jo vetëm debate me nota të forta në media, por janë shtrirë edhe në sfera të tjera të veprimtarisë njerëzore, madje sheh edhe njerëz të thjeshtë që debatojnë për çështjen e qarkullimit të artit komunist. Ky debat të përngjan edhe paradoksal, në një kohë që shqiptarët kanë ende probleme shumë të mëdha jetike pa zgjidhur dhe shfaqen krejt indiferent ndaj statistikave alarmante për rritjen e sëmundshmërisë (veçanërisht tek moshat e reja), për uljen e lindshmërisë si pasojë e problemeve ekonomiko-sociale, për cilësinë e ushqimeve që konsumojnë dhe ajrit që thithin çdo ditë. Edhe pse këto janë problemet reale që çdo shoqëri e zhvilluar do t’i kishte në krye të agjendës, në Shqipëri diskutohet për artin e realizimit socialist si burim i së keqes. A është vërtet i tillë dhe si erdhi në Shqipëri kjo metodë?

Metoda e realizmit socialist u huazua në letërsinë shqipe prej Bashkimit Sovjetik dhe zyrtarisht hyri në fuqi si doktrinë letrare e të shkruarit në Konferencën e tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, të mbajtur në datat 9-12 tetor të vitit 1949.

13686247.7e3bc469.640

Në Rezolutën e kësaj konference, e cila pasqyronte frymën e përgjithshme të saj, u bëhej thirrje shkrimtarëve e poetëve shqiptarë që “të bëjnë për vete metodën e realizmit socialist dhe ta bëjnë këtë metodë bazë të krijimeve të tyre letrare; të bëjnë përpjekje për ngritjen e tyre politike, duke përvetësuar teorinë shkencore të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit në lëmin e arteve e të kulturës dhe të japin kontributin e tyre për ndërtimin e letërsisë sonë në formë nacionale dhe me përmbajtje socialiste”.(Cituar sipas, Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist, Tiranë 1978, f. 74.) Vetë termi “realizëm socialist” është gërshetim i koncepteve kryesore të dy fushave prej nga janë huazuar: të letërsisë dhe të sferës sociale, ku njëri paraqet drejtimin letrar të realizmit dhe tjetri karakterin e theksuar social të regjimi politik komunist.

Pas vendimit të përftuar nga Konferenca e tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, partishmëria u forcua gjithnjë e më tepër në krijimtarinë artistike. Në këtë mënyrë, epiqendër e letërsisë dhe e artit në përgjithësi u bë aspekti politiko-social dhe u zvetënuan elementet e tjera të saj që lidhen me përmasat filozofike, ekzistenciale, spirituale dhe erotike.

tumblr_mgh5tpm9L41rmrm2ho1_500

Realizmit Socialist në Shqipëri më i egër sesa në vendin burimor

Pavarësisht se metoda e realizmit socialist u huazua nga ish-Bashkimi Sovjetik, vendi ynë e tejkaloi masën e ashpërsisë dhe të egërsisë së vendit të origjinës gjatë instalimit të kësaj metode. Ekzistojnë dy arsye kryesore që e përligjin këtë lloj pohimi dhe na bëjnë të kuptojmë shkallën e lartë të egërsisë së pushtetit totalitar në Shqipëri: Së pari, në vendin tonë nuk lejoheshin shkrimtarët e poetët disidentë dhe as qarkullimi i veprave me përmbajtje a elemente disidente. Ndërsa në ish-Bashkimin Sovjetik lejoheshin veprat disidente, te cilat estetikisht dhe ideologjikisht ishin në kundërshti me regjimin komunist. Në këtë kuadër vlen të përmendin rastin e shkrimtarit Boris Pastërnak, vepra e të cilit mori edhe çmime e vlerësime nga kritika dhe më pas u ndëshkua nga sistemi.

Në artin dhe letërsinë shqipe censura ishte e shumëfishtë: niste me autorin dhe shtrihej në të gjitha hallkat e tjera, tek redaktorët, botuesit etj, të cilët kishin jetën në rrezik.  Pra, censura kishte pllakosur çdo hallkë të procesit komunikues të veprës me lexuesin, gjendje e cila i kishte car krijuesit drejt autocensurës.

Së dyti, shtrirja dhe niveli reagues ndaj veprave që ishin në kundërshti me ideologjinë komuniste kishte tipare të ndryshme nga vendi burimor. Në Bashkimin Sovjetik debati zhvillohej ndër radhë të specializuara letrare dhe ishte i kufizuar, ndërsa në Shqipëri reagimi ishte shumë i ashpër dhe në debat përfshiheshin lakenjtë e servilët e pushtetin, të cilët shpesh nuk kishin kurrfarë lidhjeje me artin. Fryma kritike shtrihej edhe në uzina e kantiere, në mbledhje të posaçme të grupeve e njerëzve që paragjykonin vepra pa i lexuar dhe mbi të gjitha pa e kuptuar se për cfarë bëhej fjalë.

Sipas nesh, këto dy arsye që lidhen me hallkën më të rëndësishme të komunikimit të artit, konkretisht moslejimi i krijimtarisë disidente dhe më tej, reagimi i egër e masiv ndaj veprës me tipare antikomuniste  e bëjnë më të egër metodën e realizmit socialist në Shqipëri sesa edhe nga vendi i cili e shpiku atë.

unnamed-5-2

Këndvështrimi i sotëm për artin e krijuar në komunizëm

Kur gjykojmë sot ashpërsisht dhe ironizojmë mbi disa elemente të artit të krijuar përgjatë komunizmit duhet të marrim parasysh dy faktorë: Në radhë të parë, kushtet në të cilat u krijua kjo krijimtari, ku në çdo moment hidhje hapat nëpër një terren të minuar. Në radhë të dytë, faktin se censura, propaganda dhe antivlerat ekzistojnë edhe në artin që krijohet në ditët e sotme në Shqipëri, ndonëse është me trajta e forma të tjera.

Kur gjykojmë një periudhë të caktuar në planin artistik duhet të nxjerrim në pah veprat më përfaqësuese të saj dhe aspektet që i karakterizojnë ato për t’u mbijetuar kohërave dhe jo të paragjykojmë në formë kategorike dhe “en bloc” të gjitha veprat, filmat etj, sepse kjo nuk tregon asgjë më shumë, sesa primitivizëm dhe mohim të gjithçkaje, pavarësisht nëse ka vlera apo jo. Ndonëse gjatë kësaj periudhe u prodhuan shumë vepra, vetëm një pjesë e tyre kanë arritur të depërtojnë deri në ditët e sotme. Padyshim koha është përcaktuesi më i mirë i vlerave dhe nuk mundem një grusht njerëzish të anatemojnë apo të përmbysin, me një të rënë të lapsit, atë që skalitur me profesionalizëm dhe prej dekadash qarkullon nga brezi në brez.

Revista “Familja”, prill 2017