A po preket letërsia nga “moda” e banaliteteve?

60

Nga Jolanda Lila

Misteri i njeriut qëndron te heshtja e Zotit, letërsia qëndron te misteri i fjalës…

Zhvillimet shoqërore të një vendi janë përcaktuese edhe për prirjen zhvillimore të letërsisë. Pa dashur të mohojmë vlerat estetike të kultivuara pas viteve ‘90 dhe larminë e stileve, zhanreve e tematikave të rrokura nga autorë të traditës apo të rinj, duhet pranuar se letërsia shqipe, ashtu si fusha të tjera të veprimtarisë shoqërore e shpirtërore, në shumë raste, është infektuar nga fenomeni i banalitetit. Mediokriteti dhe banaliteti janë fenomene të pashmangshme në çdo sferë të mendimit njerëzor, por vlerësimi i bajatizimit të fjalës artistike në vend të injorimit e përbuzjes së saj i jep trajta serioze problemit, për të mos e parë thjesht si një fenomen sporadik. Dhënia e Çmimit Kombëtar të Bibliografisë “Lumo Skëndo”  poetes Rita Petro është dëshmi jo thjesht e përdhosjes së emrit të Lumo Skëndos, por është  tregues i rrënimit të sistemit të vlerave të letërsisë shqipe.

Cili është kumti i këtij çmimi? Juria e përbërë nga kritikë letrarë, emrat e të cilëve vijojnë të mbeten anonimë, i orienton lexuesit drejt një teksti mediokër si në planin formal, po ashtu edhe në planin përmbajtjesor  dhe krijuesve u tregon modelin referencial që u garanton suksesin dhe marrjen e çmimeve. Ky lloj teksi është i denjë për çmimin, edhe pse bie ndesh kryekëput me motivacionin për të cilin jepet: “Çmimi Kombëtar i Bibliografisë “Lumo Skëndo” është një çmim që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe politikës shqiptare, Lumo Skëndo (Mithat Frashërit) veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare. Për herë të parë ky çmim u dha në vitin 2006”.  Nuk e dimë se ku qëndron lidhja logjike mes motivacionit dhe librit të vlerësuar. Përgjigjen nuk e presim as ne dhe as qindra e mijëra shqiptarë që reaguan ashpër në rrjetet sociale, por që sërish gjithçka përfundoi me një vrimë në ujë, siç shprehet edhe njëra prej anëtarëve të pashpallur të jurisë.

Pa dashur ta izolojmë problemin brenda një autoreje, e cila ka të drejtën e vet të shkruajë si të dojë dhe çfarë të dojë, shqetësues është fenomeni i ngritjes në piedestal të antivlerave dhe promovimi i bujshëm kudo dhe sigurisht jo pa qëllim. Si vend i vogël që jemi dhe për shkak të traditës indoktrinuese prej nga vijmë, ende kemi mbetur peng i “qokave”, ku një shpurë njerëzish të tarafit qarkullojnë gjithçka mes njëri-tjetrit dhe sakrifikojnë gjithkënd që nuk i përket sistemit të tyre.

Letërsia, si art i fjalës duhet të jetë larg artit të marifeteve pragmatike, për shkak se pengon qarkullimin e lirë të vlerave dhe cka është më e rëndësishmja, deformon një sistem të kulturës së receptimit të veprës letrare. Na mjafton mungesa e kritikës së specializuar për orientimin e librave me vlera estetike e artistike, na mjafton propaganda mediatike e promovimit të pseudoautorëve , prandaj nuk mund të pranojmë me normalitet edhe deformime të tilla që përçohen përmes çmimeve të përvitshme. Nuk mund të kthehet në modë artshkrimi dhe leximi joletrarja dhe banalja, sepse kjo e zvetënon tërësisht rolin dhe misionin e letërsisë.

 Revista Familja, mars 2016