A pranohen dhuratat nga jobesimtarët me rastin e festave të tyre?

87

Pyetje: A pranohen dhuratat nga jobesimtarët me rastin e festave të tyre? Po ne, a lejohet t’u bejme atyre dhurata me rastin e këtyre festave?

Dhurata është një çështje të cilën feja Islame i ka dhënë rëndësinë e duhur. Ajo i jep kënaqësi jo vetëm personit që i dhurohet, por edhe dhuruesit. Në konceptin fetar dhuratë quhet: “kur një person i jep një tjetri diçka me qëllim që të fitojë sevape (shpërblime prej Zotit) dhe të shtohet dashuria mes tyre pa ia lypur dhe pa i vendosur kushte”. Ndryshe nga sadakaja, e cila i jepet vetëm kategorive te posaçme për të mbuluar nevojat e tyre dhe jepet vetëm për të shpresuar shpërblimin tek Allahu i Madhëruar. Ndërsa dhurata i jepet të varfërit dhe të pasurit, jepet për të forcuar lidhjet dhe për të shtuar dashurinë mes dy palëve, por gjithashtu qëllimi i dhënies së saj mund të jetë fitimi i shpërblimit prej Allahut të Madhëruar.

Allahu i Madhëruar në Kuranin famëlartë tregon gjendjen e profetit Zekeria (paqja qoftë mbi të), i cili i lutet Allahut dhe thotë: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë, se Ti me të vërtetë je Dëgjues i lutjes” (Al-Imran 38). Gjithashtu në ngjarjen ku flet për profetin Sulejman (paqja e Allahut qoftë mbi të) dhe Belkisën, mbretëreshën e Jemenit, e cila popullit të saj i tha: “Unë do t’ju dërgoj atyre një dhuratë me qëllim që të shikoj se me çfarë do të kthehen lajmëtarët” (En-Neml 35). Belkisa në këtë rast dëshironte që me dhuratën që i dërgoi Sulejmanit (paqja e Allahut qoftë mbi të) të arrijë që të fitojë respekt dhe dashuri nga Sulejmani, me qëllim që ai t’i lërë ata të qetë dhe të mos i ndalonte nga adhurimi i diellit. Por Sulejmani lajmëtarëve u thotë: “Madje ju duhet të gëzoheni me dhuratën që do t’ju japim” (En-Neml 36-37). Allahu i Madhëruar e ka konsideruar dhuratën legjitime sepse ajo afron zemrat dhe përforcon lidhjet e dashurisë mes njerëzve. Pejgameri Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Dhuroni që të duheni” dhe thotë: “Në rast se i vjen ndonjërit prej jush prej vëllait të tij diçka, të cilën ai as e ka kërkuar dhe as e ka dëshiruar, atëherë le ta pranojë e mos ta kthejë sepse ky është furnizim që Allahu ia ka dhënë atij” (sahihut-tergib 839). Madje pejgameri Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të) ka nxitur në pranimin e dhuratës edhe nëse ajo është diçka e vogël, ku thotë: “Nëse një këmbë deleje më dhurohet do ta pranoja, dhe nëse ftohem në një gosti do t’i përgjigjesha ftesës”.

Prandaj që të gjithë dijetarët islamë janë të mendimit se dhurata sipas legjislacionit islam është e lejuar e në disa raste është e pëlqyeshme, sepse me anë të saj arrihet forcimi i lidhjeve farefisnore dhe shtimi i dashurisë, nganjëherë është e nevojshme për të ndihmuar dhe për t’ia shpërblyer dikujt më mirë se sa ai të ka dhënë ty dhe ndonjëherë është e ndaluar.

Ndërsa në fushën e të drejtës islame dhurata është përpiluar në bazë të kushteve të caktuara. Duhet që dhurata të plotësojë kriteret si vijon:

  1. Dhurata te jetë reale dhe një send material.
  2. Dhurata të jetë pasuri e vlefshme.
  3. Gjithashtu dhurata të jetë një send i pronësueshëm në llojin e vet. Në këtë aspekt nuk vlen dhurimi i zogut në mal apo i peshkut në det, apo dhurimi i pronave të përgjithshme, si p.sh. xhamive etj.
  4. Dhurata të mos jetë e bashkëngjitur dhe e pandashme me pronën e dhuruesit në mënyrë të përhershme, si p.sh. të dhurojë shtëpinë pa truallin apo pemën pa tokën. Por duhet të ndahet dhe të dorëzohet në mënyrë që të zotërohet nga i dhuruari.
  5. Gjithashtu duhet që dhurata të jetë e pastër, e ndarë dhe jo e përzier, sepse shtënia në dorë e saj nuk vlen sikurse është pengu, i cili nuk dhurohet sepse ai nuk është plaçkë apo rob që të dhurohet.

Ndërsa përsa i përket dhuratës nga jobesimtarët, dijetarët thonë se lejohet pranimi i dhuratave prej tyre, përveçse kur dhurata në vetvete bie në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e fesë Islame, si p.sh. kur dikush të dhuron pije alkoolike etj.

Gjithashtu dijetarët muslimanë e kanë lejuar pranimin e dhuratave që u bëhen muslimanëve nga jomuslimanët në ditët e festave të tyre. Kjo gjë vërtetohet nga shumë sahabë (shokë të Pejgamerit Muhamed a.s.). Transmetohet se një grua e pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe i  thotë: “Ne kemi rreth e rrotull zjarrpuçistë (mexhusij) dhe kur ata kanë festat e tyre na sjellin dhurata, a t’i pranojmë ato? Ajo tha: mishin e therur nga ata mos e hani, por hani frutat që ju dhurojnë”. E njëjta gjë transmetohet nga Ebi Berzeh (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili kishte komshinj zjarrpuçistët (mexhusijtë), të cilit i dhuronin me rastin e festës së nevruzit apo të mehrexhanit dhe ai porositi familjen e tij dhe u thotë: “Pranoni frutat, ndërsa çdo gjë tjetër kthejani” (ibn Ebi Shejbeh 8\88).

Pranimidhuratave (3)Pra dhurata prej tyre nuk pranohet në rast se plotëson kushtet e mëposhtme:

  1. Dhurata në vetvete të jetë haram dhe të jetë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e fesë Islame, si p.sh. kur dikush të dhuron pije alkolike etj. Imam Muslimi transmeton nga Ibn Abbasi, i cili thotë: “Një person i dhuroi pejgamerit Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të) pije alkoolike. Pejgameri Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të) i tha: A e di që kjo është haram? – Jo! –  tha ai. Atëhërë tha t’ia jap dikujt se gëzohet. Po me se gëzohet ai? – tha pejgameri Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të). Tha: Gëzohet se i them ta shesë. Pejgameri Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të) i thotë: Ajo që është haram, pija e saj është haram edhe shitja e saj”.
  2. Kur dhurata është pjesë e ibadeteve të tyre, si mishi i therur për ta, veza e pashkës, apo simbole fetare të tyre si kryq etj., të cilat tregohen qartazi edhe në hadithet e mësipërme.

Gjithashtu lejohet dhënia e dhuratave një muslimani për jomuslimanin, gjë e cila bëhet për ta afruar në fenë islame. Imam Buhariu transmeton nga Aishja, e cila thotë: “Pejgameri Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të) e pranonte dhuratën dhe shpërblente dhuruesin me diçka më të mirë se ajo”.

Por gjithashtu dhurata në disa raste është e ndaluar që t’ju jepet jobesimtarëve. Rastet kur është haram që t’u bëhet dhuratë jobesimtarëve është në rastet e festave të tyre, sepse kjo është ndihmesë që u bëhet jobesimtarëve në udhën e tyre të gabuar, si dhe në një farë mënyrë tregon pëlqimin tënd ndaj këtij devijimi të udhës së Allahut.

Shejhul Islami Ibn Tejmija Allahu e mëshiroftë në librin “Iktida’ siratul-mustekim” thotë: “Është e ndaluar për muslimanin shitja që ai bën ndaj jobesimtarëve me sende të cilat u nevojiten në festat e tyre si ushqimi, veshmbathja etj., apo dhurimi i tyre me këto raste është ndihmesë për ta në festë, prandaj është haram”. Në librin Hashijeh Ibn Abidin: “Dhurimi me rastin e nevruzit, mehrexhanit, vitit të ri nuk lejohet, sepse dhurimi me rastin e këtyre festave është haram, madje edhe nëse i vlerëson këto festa ashtu siç i vlerësojnë jobesimtarët bën Kufr (mohon Zotin)”.  Allahu e di më së miri.