Abdulatif Arnauti: Opusi im poetik mbetet Shqipëria, edhe pse kam lindur e jetuar në Siri

58

Pengu më i madh i jetës sime: Djegia e bibliotekës personale dhe dorëshkrimeve pa fund, që gjendeshin në pritje të dritës së botimit.

Kush është Abdulatif Arnauti?

Abdulatif Arnauti është një nga personalitet më të rëndësishme të botës arabe, ai njihet gjerësisht si shkrimtar, poet, studiues i gjuhës dhe i letërsisë arabe, publicist dhe mbi të gjitha ai mban kurorën e meritës si përkthyesi i parë i letërsisë shqiptare në gjuhën arabe.

Origjina e prindërve të tij është nga Kosova dhe që prej vitit 1913, ata kanë emigruar drejt Sirisë, si shumë shqiptarë të tjerë, të cilët u shpërndanë anekënd për t’i shpëtuar represionit serb të kohës.

Edhe pse ka lindur dhe vijon të jetojë në Damask të Sirisë, Abdulatif Arnauti, sot 81 vjeç, vazhdon të krijojë dhe njëherësh të përkthejë autorët më të mirë të letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Azem Shkreli etj. Firmën e tij të prurjeve artistike e shkencore e mbajnë 61 vepra të zhanreve e llojeve të ndryshme të krijimtarisë. Pavarësisht se krijimet e veta i ka shkruar në arabisht dhe paçka se ai është rritur në një mendësi dhe kulturë të ndryshme nga ajo shqiptare, veprat e Abdulatif Arnautit mbartin kryekëput frymën shqiptare dhe botëkuptimin e kombit tonë. Këtë e pohon edhe Shkrimtari Ismail Kadare, në parathënien e hartuar me rastin e publikimit në gjuhën shqipe të vëllimit poetik “Zjarri i mallit” (Sh. B. “Naim Frashëri, 1985), ku motiv mbizotërues në këtë libër me poezi është dashuria për rrënjët e kombëtarësisë dhe vajtimi i fatit të shqiptarit që endet në emigrim.

Për herë të parë, Abdulatif Arnauti jep një intevistë për mediat shqiptare dhe posaçërisht për emisionin “Kontakt letrar” në radio Kontakt. Intervista vijuese paraqet fakte tronditëse nga jeta e shkrimtarit, që nga djegia e dorëshkrimeve të fundit të tij prej bandave rebele siriane e deri tek peripecitë jetësore të familjes së tij. Ai flet edhe për përvojën përkthimore dhe takimet me Kadarenë e Agollin, që prej vitit 1981. Për më shumë, ju ftojmë të lexoni intervistën vijuese:

Kur ka emigruar familja juaj drejt Sirisë?

Në vitin 1913 im atë pati ndërmend që të shkonte në Arabi Saudite (afër Mekës e Medinës), por kur mbërritën në Siri u ndalën aty sepse gjetën mikpritjen e popullit sirian. Duke qenë se shqiptarët ishin njerëz punëtorë, sirianët i punësonin ata dhe për këtë arsye, edhe i respektonin shumë, duke u krijuar kushte të përshtatshme jetese.

Si e mësuat gjuhën shqipe?

Herën e parë gjuhën shqipe në versionin e folur e kam mësuar nga nëna dhe babai, të cilët gjithnjë na flisnin shqip. Në lagjen ku jetonim kishte shumë shqiptarë dhe mbaj mend që flisnim shqip kur luanim me fëmijët e tjerë, madje unë deri kur kam nisur shkollën nuk dija asnjë fjalë arabisht. Më pas kur shkova në shkollë fillova të shkruaja e të lexoja arabisht. Mësuesit e mi u habitën nga shkrimi im dhe nga përvetësimi i shpejtë që i bëra gjuhës arabe dhe që prej asaj kohë, njëra prej mësuese të mia më tha se në të ardhmen do të bëhesha shkrimtar.

Në cilën moshë keni filluar të shkruani?

Kam nisur të shkruaj poezi për dashurinë që kur isha 16 vjeç. Ndërsa rreth moshës 18-vjeçare kam shkruar romanin me titull “Aroma e Hyrit”. Ky roman lindi nga dashuria e madhe që ndjeja unë për një vajzë, e cila nuk pranoi të lidhje me mua, por u martua me një mjek, sepse ai ishte më i pasur se unë. Këtë histori reale nga jeta ime unë e bëra subjekt romani, por kur e shoh tani mendoj se romani im i parë nuk ka vlerë.

Çfarë ka ndodhur me bibliotekën tuaj?

Ah, mos më pyesni më mirë…(përlotet teksa flet). Kam pasur një bibliotekë shumë të madhe, të cilën e kisha ngritur në një apartament të ri që bleva në Damask. Çdo ditë unë shkoja punoja në këtë bibliotekë dhe në mbrëmje kthehesha në shtëpi. Ai mjedis ishte streha ime shpirtërore e përditshme, në të cilën më shoqëronte shpesh edhe gruaja ime. Kjo gjë ndodhte përditë deri para një muaji e gjysmë, kur një mëngjes e gjetëm të shkrumbuar nga zjarri. Rebelët sirianë kishin shkatërruar gjithçka në atë apartament dhe librave u kishin vënë zjarrin. Aty gjendeshin të gjitha shënimet, përkthimet dhe krijimet e mia. Aty gjendeshin librat që i kisha të trashëguar prej gjyshit dhe babait tim dhe libra të tjerë në gjuhë të ndryshme. Aty gjendej pjesa më e vyer e jetës sime dhe e shpirtit tim. Unë tani kam mbetur i shokuar dhe nuk di nga t’ia nis. Projektet e mia e prenë në mes dhe puna ime shumëvjecare humbi brenda pak çastesh.

Po brezi pasardhës a i ka ruajtur traditat dhe sa flitet sot gjuha shqipe ndër shqiptarët e Sirisë?

Brezi pasardhës nuk i ka trashëguar pothuajse fare as traditat dhe as gjuhën. Në vitin 40-të shqiptarët filluan të shpërndaheshin, nuk jetonin në të njëjtat lagje. Nëpër shkolla mësonin arabisht dhe shumica prej tyre martohen me arabë, e normalisht që gjithçka është zbehur, për të mos thënë që çdo gjurmë e shqipes është zdukur.

Në Siri nuk ka shkollë shqipe, madje edhe një që u hap para disa vitesh u mbyll, për shkak se nuk kishte asnjë nxënës të interesuar për të mësuar shqipen.

A keni miq shqiptarë, të cilët i keni njohur që nga fëmijëria juaj?

Po, kam shumë miq shqiptarë, por shumë prej tyre e kanë harruar gjuhën shqipe. Shumica e miqve të mi, sot janë figura me kontribut madhor në kulturën dhe artin arab, si romancieri Maaruf Arnaut, piktori Abdulkadir Arnaut, dijetarët Muhamed Nasiruddin Albani, Abdulkader Arnauti, Vehbi Gavoçi etj. Gjithashtu, shumë vite më parë kanë ekzistuar edhe klubet e arnautëve në Siri, ku të gjithë mblidheshim e diskutonin çështje të ndryshme sociale e kulturore.

Keni kontakte me shqiptarët sot dhe si po e përjetojnë kohën e trazirave?

Për shkak të situatës në Siri, nuk është se tani kam shumë kontakte me shqiptarët atje.
Cilat janë profeisonet dhe zanatet e shqiptarëve në Siri?

Janë inxhinierë, mësues, nënpunës dhe punëtorë. Ata janë të përfshirë dhe janë integruar mirë në Siri.

Sa njihet letërsia shqipe në vendet arabe?

Në vendet arabe nuk e kanë ditur fare se çfarë është letërsia shqiptare. Unë kam filluar të përkthej duke bërë përkthime të materialeve letrare dhe të studimeve mbi historinë e Shqipërisë. Libri shqiptar atje ka qenë tërësisht i panjohur, por tashmë situata ka ndryshuar, sepse përveç meje ka edhe shumë të tjerë që përkthejnë si Dr. Muhamed Mufaku, apo përkthyes nga gjuhët e tjera, si Affif Imashkija që ka përkthyer romanin “kështjella” prej frëngjishtes në arabisht me titullin “Tamburet e shiut”.

Çfarë pikëtakimesh ekzistojnë mes kulturës shqiptare dhe asaj arabe, përderisa urat e komunikimit po shtrihen kaq dendur?

Lidhja që i bashkon këta dy popujt është shumë e fortë. Lidhja më e fuqishme është çështja e  besimit fetar musliman, që ka lënë gjurmë të mëdha për hedhjen e bazave të kulturës së dy popujve. Muslimanët janë të njësishëm, pavarësisht vendit të botës ku ata jetojnë. Gjithashtu, një tjetër ngjashmëri mes kombeve unë e shoh tek gjendja sociale e politike, e shoh tek dhimbja e te shpresat e përbashkëta të njerëzve, por edhe te persekutimet, me të cilat u ballafaquar popujt përkatës.

Shqiptarët emigruan në vendet arabe nën gjurmët e faktorëve të panumërt, por ajo që e bën më të fortë lidhjen mes kombeve është fakti se emigrantët shqiptarë jetuan në vende të ndryshme të Arabisë Saudite. Vendet arabe u kanë hapur dyer vijimësisht për shqiptarët, duke u ofruar miqësinë e vëllazërinë dhe duke mos e kthyer ardhjen e tyre për përfitime meskine, por duke baskëpunuar në mënyrë njerëzore të shkëlqyer, gjë e cila shëmbëllen fisnikërinë e popullit arab. Unë personalisht, ndjehem në Siri si një ndër  qytetarët e Damaskut dhe për asnjë çast nuk jam ndjerë i paragjykuar, apo nuk më janë mohuar të drejtat dhe mundësitë qytetare. Prandaj gjithë kjo klimë miqësore e gjithë këto gjëra të përshkakëta nuk janë rastësi, por janë një element që lexuesin arab e bën të pranojë natyrshëm frutet e kulturës shqiptare. Ata përqafojnë me dashuri letërsinë dhe kulturën shqiptare, ashtu siç përqafuan dhe pranuan komunitetet shqiptare që të bashkëjetojnë pranë tyre.

Për çfarë ndjeheni më tepër krenar që jeni shqiptar?

Ndjehem krenar për mbiemrin tim, për gjuhën dhe traditat që i kam ruajtur me fanatizëm dhe patjetër ndjehem krenar për dinjitetin që e karakterizon figurën e shqiptarit në çdo kohë.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë shqiptarët?

T’i rikthehen vlerave më përfaqësuese të tyre si bujaria, ndershmëria dhe puna. Gjithashtu, u them të gjithë bashkëkombësve të mi që ta duan librin dhe kulturën, sepse kjo është rruga më e sigurtë dhe më e bukur për të ecur në jetë.