Ahed Tamimi, simboli i qëndresës palestinëze

23

Nga Nada Dosti

Imagjino sikur je një vajzë e vogël, e urtë, e butë. Imagjino sikur jeni katër fëmijë të rritur, thuajse jetima, sepse babai është arrestuar nga një ushtri e cila vjen në shtëpinë tënde, në tokën tënde dhe të kërkon të dalësh nga aty. Imagjino sikur në momentin që shikon nënën tënde të përqafojë plot dhimbje, babain tënd që sapo ka dalë nga burgu dhe menjëherë pas kësaj të ta arrestojnë vëllain e madh, ndërsa kushëririn me të cilin je rritur dhe e ke patur si vëlla, ta qëllojnë me një plumb në kokë.

Të gjithë e njohin tashmë Ahed Tamimin, e cila është shndërruar në simbolin e qëndresës palestineze. Më përpara, një tjetër grua, Micheline Awwad, është cilësuar si ikona e qëndresës për shkak të një fotoje të shkrepur në vitin 1987 (gjatë intifadës së parë), duke mbajtuar në duar këpucët e saj të verdha dhe duke gjuajtur gurë ndaj ushtarëve izraelitë në Bejt Sahur, një kilometër e gjysëm në lindje të Jeruzalemit (Kudsit).

Një djalosh, po në moshën e Ahedit, i quajtur Fawzi al-Junaidi, është fotografuar dhe filmuar i mbërthyer nga të paktën 20 ushtarë dhe me sytë e mbyllur. Edhe ai, gjithashtu, u shndërrua në një simbol rezistence.

ahed-tamimi-1080x640

Në vitin 2012, Ahed Tamimi u dekorua nga kryeministri i atëhershëm dhe presidenti aktual i Turqisë, Rexhep Tayip Erdogan, me çmimin “Handghala” për guximin e treguar kur kishte goditur me shuplakë një ushtar izraelit.

Për Ahedin, ministri i arsimit izraelit, kishte thënë se duhet “mbyllur në kafaz dhe duhet flakur çelësi”. Ndërsa ministri i mbrojtjes ka lavdëruar “durimin” e ushtarëve dhe ka paralajmëruar me burgim për këdo që bën rezistencë si Ahedi, qofshin ata edhe fëmijë. Madje, revista online “+972” e ka krahasuar qëndresën e saj me atë të profetit Daud (a.s.) kundër Xhalutit, si simbolin e mundjes së një krijese gjigante nga një njeri i vogël, por me zemër të madhe.

Për të aktivistja muslimane, Amani Al-Khatahtbeh (themeluesja dhe drejtuesja e MuslimGirl.com) hoqi dorë nga çmimi i saj “Çmimi për ndryshimbërësit”, për arsyen e vetme se do të dorëzohej nga lobuesja për ushtrinë izraelite, Gal Gadot, e njohur për rolin e saj në filmin Ëonder Ëomen. Amani theksoi se, ajo promovon barazi për të gjitha femrat e botës dhe nuk është e drejtë që disa të promovohen e dekorohen e disa të tjera të dënohen (duke aluduar këtu për arrestimin e Ahed Tamimin) për aktivizmin e tyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ndërkohë, në mediat izraelite qarkullon një lloj qasje, e cila e shënjestron Ahed Tamimin si një rebele e vogël, adoleshente në kërkim të vëmendjes, si një provokatore që meriton të dënohet dhe asgjë më tepër. Nga ana tjetër është përfolur shumë për durimin dhe guximin e ushtarëve, të cilët nuk ranë në “kurthin” e saj, por qëndruan “stoikë” para “provokimit” të një vajze.

gruaja me kepucet e verdha

Në të gjithë këtë narrativë, skenari është shumë i qartë: një vajzë e njohur për durim dhe butësi që në vegjëli dhe një ushtar i ndërgjegjshëm, për faktin se është nën vëzhgimin e kameras heziton të mbrohet ose kundërpërgjigjet. Asgjë më shumë se një propagandë e qartë, e cila ka si synim t’i paraqesë të pushtuarit si terroristë dhe njerëz të egjër, ndërsa pushtuesit si stoikë dhe durimtarë. Kush i ka takuar nga afër fëmijët palestinezë dhe kush ka luajtuar dhe ka kaluar kohë me ta, por dhe me fëmijët e luftës në përgjithësi, e di mirë se fama dhe nevoja për vëmendje është gjëja e fundit që u shkon ndërmend. Fëmijët e luftës kalojnë në trauma të paimagjinueshme, duke bërë që frustrimi dhe mllefi ndaj padrejtësisë të rritet bashkë me ta, duke e transformuar një fëmijë qingj të butë në një simbol të qëndresës. Fëmijëve të luftës nuk u ka mbetur gjë tjetër vetëm se shpresa për një të ardhme më të mirë dhe Ahed Tamimi ka sakrifikuar të sajën për bashkëmoshatarët e tjerë.

Aktivistët dhe simbolet e qëndresës palestineze janë gjithmonë njerëz të pafajshëm, të pambrojtur. Janë gra, fëmijë, e me raste dhe invalidë, si Ibrahim Abu Thurayyah, i cili humbi të dyja këmbët gjatë luftës së vitit 2008 në Gaza. Ai ndërroi jetë dhjetorin që kaloi në një protestë ndaj vendimit të Amerikës për të kthyer Kudsin në kryeqytetin e “Izraelit”.

Pra, cilët janë terroristët e vërtetë? Të pafajshmit dhe të pushtuarit apo uzurpatorët që në “sy të botës” hiqen si durimtarë?

Mars 2018

1e9c6ada924943ca94b0fca872f360e4_18

ahed-tamimi