Aksidentet dhe siguria rrugore

93

Nga Ledia Hasanaj

Siguria rrugore është një shqetësim i madh shoqëror dhe aksidentet rrugore mbeten problem i rëndësishëm shëndetësor dhe ekonomik me të cilin përballet vendi ynë. Shqipëria përballet me një sfidë të madhe përsa i përket garantimit të sigurisë më të lartë të rrugëve në rajon. Kjo sfidë është veçanërisht e vështirë në një mjedis me zhvillim të shpejtë ekonomik, i cili do të çojë në rritjen e transportit rrugor.

Siguria rrugore është një përparësi në Shëndetin Publik dhe zhvillimin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, prandaj dhe humbjet e papranueshme të shëndetit janë të lidhura me ndikimet negative ekonomike dhe sociale të ndodhura në rrjetet rrugore të tyre.

Siguria rrugore është përgjegjësi e çdo personi prandaj, të gjithë duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë për të ndikuar në familjet tona, shokët dhe bashkëpunëtorët, për të adoptuar mënyra të sigurta të sjelljeve për sigurinë rrugore.

032212 two vehicles totaled after rear-end crashNë mënyrë që shtimi i udhëtimeve të mos çojë në rritjen e numrit të aksidenteve, duhen marrë masa efektive në lidhje me një sërë aspektesh të sigurisë rrugore, siç janë: përgatitja dhe testimi i drejtuesve të mjeteve, kontrolli i mjeteve për drejtim të sigurt, sjellja e përdoruesve të rrugës dhe siguria e infrastrukturës rrugore.

Sipas specialistëve, shoferët sillen me rrugën në mënyrë agresive dhe kriminale, ndërsa policia e shtetit dhe policia rrugore nuk kanë kontroll të plotë mbi rrugët. Për më tepër policia rrugore del anës rrugës për të gjobitur dhe jo për të ndihmuar shoferët që të gjejnë drejtimin e duhur.

Mos vendosja e rripit të sigurimit, moszbatimi i tabelave dhe i sinjaleve dhe përdorimi i celularëve janë disa nga shkeljet që sjellin zakonisht tragjeditë nëpër rrugët e Shqipërisë, për të cilat përgjegjës është vetë autoriteti shtetëror. Drejtuesit kryesor të qarkullimit rrugor theksojnë me shqetësim se Shqipëria nuk ka trashëguar kulturë të trafikut të automjeteve dhe të cilësisë së rrugëve sipas standardeve.

Juridiksione të ndryshme nëpër botë kanë treguar se vdekjet nga aksidentet rrugore mund të ulen në 30 – 50 % me anë të zbatimit të planeve të veprimit të sigurisë rrugore me bashkërendimshumësektorial brenda një strategjie të përgjithshme me shumë ambicie, por njëkohësisht me objektiva të arritshëm.

Analizat e situatës së aksidenteve në Shqipëri, me një numër kaq të lartë të tyre dhe me rritje të papranueshme krahasuar me ato të vendeve të tjera të Evropës, tregojnë se ka një nevojë urgjente për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë problem.

Ka nevojë për të ndryshuar sjelljet jo të përshtatshme të drejtuesve dhe për të përmirësuar edukimin e të gjithë njerëzve të cilët do të marrin pjesë në trafik. Fokusi është njohja e nxënësve me rregullat e qarkullimit rrugor nëpër shkolla. Synimi është jo vetëm sigurimi i jetës së fëmijëve nga rreziqet e mundshme gjatë kohës që ata lëvizin në rrugë, por edhe formimi i sjelljeve të përshtatshme, që ata të reflektojnë nesër si përdorues të rrugës e mjeteve motorike.

Në objektivat për dekadën e sigurisë rrugore 2011-2020, për sjelljen e përdoruesve të rrugës, do të synohet hartimi i programeve gjithëpërfshirëse, për të përmirësuar edukimin rrugor me të gjithë grupmoshat.

aksidentKëtu, një vend me peshë të veçantë ka edukimi i fëmijëve për sigurinë në rrugë. Ndër më kryesorët është ai në fushën e parandalimit të aksidenteve, puna për ndryshimin e sjelljes së përdoruesve të rrugës, si dhe edukimi në shkolla të cikleve të ndryshme.

Qëllimi është të parandalojmë aksidentet rrugore (dhe jo vetëm këto trauma) nëpërmjet edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, përfshirjes së komunitetit, ngritjes së kapaciteve njerëzore për të edukuar dhe dhënë ndihmën e shpejtë në kohë.

Siguria rrugore është një problem kompleks e shumësektorial dhe askush nuk do të mund të arrijë i vetëm zgjidhjen e problemeve të sigurisë me të cilat do të përballet vendi ynë në vitet në vazhdim.

Për zbatimin e një plan-veprimi gjithëpërfshirës dhe shumësektorial, nevojitet një bashkëpunim efektiv ndërmjet agjensive dhe palëve të interesuara, jo vetëm agjensive të rëndësishme qeveritare por edhe sektorit privat dhe OJF-ve.

Duke konstatuar dhe pranuar problemin në rritje dhe sfidat për të ardhmen, qeveria shqiptare ka inicuar dhe hartuar tashmë Strategjinë Kombëtare për sigurinë rrugore dhe zhvillimin e një plan-veprimi shumësektorial, për zbatimin e kësaj strategjie. Zhvillimi i kësaj strategjie ka mbledhur një ekip specialistësh, të cilët kanë analizuar problemin dhe kanë vlerësuar nivelet ekzistuese të sigurisë rrugore për të gjithë sektorët dhe agjensitë kyçe në Shqipëri, ku një vend të rëndësishëm ka edhe Sektori i Shëndetësisë me të gjithë komponentët e saj.

Ky dokument ka për qëllim zgjidhjen e rrethanave, problemeve dhe nevojave specifike të vendit, duke i kthyer kështu rrugët e Shqipërisë në rrugët me të sigurta në rajon.

Realizimi i detyrave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e një trafiku normal për përdoruesit e rrugës, parandalimin e aksidenteve automobilistike, rritjen e edukatës rrugore dhe besimit në komunitet, ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet një ndër përparësitë e Shërbimeve të Policisë Rrugore.

JANAR -SHKURT 2014