Aktualitet sfidues

65

Marrëdhënia nuse-vjehrrë është një nga më të përfolurat sot. Duket se raporti mes tyre jo vetëm që duhet trajtuar me kujdes por duhet ditur se si të ndërtohet.

Çfarë duhet të bëjnë bashkëshortët, çfarë nuset, e si duhet të sillen “nënat xheloze”? Të gjithë kanë fajet dhe përgjegjësitë e tyre.

Një nga diskutimet më të pashmangshme, që ndodh të bëhen rëndom, sidomos mes vajzave të sapomartuara e grave është marrëdhënia tipike nuse-vjehrrë.

Problemet mes tyre, xhelozitë, zënkat, hatërmbetjet, ironitë, apo siç rrallë ndodh një marrëdhënie e mirë, e mbarëvajtur me kujdes, përbën një nga debatet më emocionale në historinë shoqërore. Kjo ka ndodhur shumë shpejt, që në momentin kur Havaja( Eva) u bë vjehrrë.

Shumë prej komedive e kanë trajtuar si një nga subjektet më të pëlqyera, duke vënë në qendër gjithë dilemat dhe peripecitë që shkakton ky raport i vështirë e real mes grash.

Shumë martesa thuhet se janë shkatërruar për shkak të nënave xheloze, vjehrrave, që i duan djemtë e tyre më tepër se ç’duhet, sidomos në momentin kur në jetën e tyre shfaqet një bashkëshorte që merr drejtimin e jetës së tij.

Në të vërtetë komeditë përpiqen të pasqyrojnë realitetin në të cilin jetojmë e konfrontohemi çdo ditë, duke i ngarkuar ca dhe me efektet hollivudiane të ngjyrosura edhe me shumë hiperbolë, apo krahasime nga më qesharaket që regjisorët i bëjnë për të patur sukses.

Megjithatë thelbi që transmetohet është po ai, problematika e një raporti të vështirë vjehrrë-nuse që jetohet sot, e për më tepër që është i përbotshëm. Nuk është një stereotip shqiptar. Ndaj mos ta marrim çështjen shumë personale.

Por ç’duhet bërë në këto raste? Ajo që sugjerohet është vendosja e kufijve mes çiftit të ri dhe vjehrrës, sa më parë për përcaktuar qartë hapësirat e gjithsecilit: “Jeta jonë është e jona dhe duam ta bëjmë ne, ashtu si na pëlqen”.

Kjo është një moto e çifteve të reja, të sapomartuara, që shpesh nuk arrin të thuhet me zë të lartë për shkak të pamundësive apo barrierave të ndryshme që ekzistojnë. Nga ana tjetër edhe nuset, apo bashkëshortet e reja, duhet të dinë të sillen me maturi e ta trajtojnë këtë raport me shumë delikatesë.

Për të dyja palët ka mënyra dhe mundësi për t’u përmirësuar që jeta juaj të bëhet më e lehtë.

Përpara se marrëdhëniet mes jush dhe vjehrrave tuaja të prishen, apo në të kundërt të përmirësohen, është e nevojshme të krijohet një background (kuptim) më i thellë se pse ato sillen ashtu.

Siç është thënë edhe më parë, jo të gjitha janë njëlloj, dhe ato shfaqen me të gjitha format e këtij stereotipi. Po pse duket se të gjitha vjehrrat janë njësoj? Thjesht sepse ato janë nëna.

Kështu e shpjegon shkenca e psikologjisë. Këto gra kanë qenë nëna për të paktën 18 vite, para se të jetojnë me nusen apo dhëndrin e tyre. Kanë rritur fëmijët e tyre të dashur për vite me radhë duke bërë të pamundurën për ta, për t’u kujdesur në momente të vështira apo gëzimi.

Janë munduar t’u realizojnë çdo dëshirë përmes sakrificave dhe gjendjeve të ndryshme emocionale. I kanë veshur, ushqyer, mësuar në shkollë, duke qenë kështu të vetmet gra në jetën e tyre. Të parat ku fëmijët e tyre u janë drejtuar për këshilla, në rast nevoje.

E papritur fëmija e tyre, djali ka dikë tjetër. Nuk ka rëndësi nëse fëmija e tyre është vajzë apo djalë. E sapoardhura-i, që vjedh vëmendjen e tyre, e sidomos afeksionin, shihet si një armik-e.

Edhe pse jo të gjitha vjehrrat nuk e ushqejnë ndjesinë negative të urrejtjes, ekziston gjithmonë një shkallë e vogël xhelozie dhe posesiviteti. U duket sikur po humbasin atë me të cilin ndanë gjakun për nëntë muaj e për të cilët sakrifikuan në gjithçka.

Personi i ri, nuk ka bërë “asgjë” krahasuar me atë që kanë bërë nënat e bashkëshortëve dhe duan t’i uzurpojnë ato. Kjo është “e padrejtë”!

Por padiskutim që bashkëshortët duhet t’i mbështesin nuset.

Të dy të martuarit si nusja ashtu dhe djali duhet të jenë më se dakord për kufijtë që duhen vendosur mes këtij raporti delikat që krijohet me prindërit e dytë.

Për shembull, nëse nusja nuk do të donte që mamaja e bashkëshortit të futej në dhomë pa trokitur (asnjëherë nuk i dihet se ç’mund të ndërpresë), atëherë patjetër ai duhet ta mbështesë bashkëshorten e tij.

Në fakt është e nevojshme që burri duhet ta forcojë këtë lloj marrëdhënie rregullash dhe kufijsh, pasi nëse ai ia lë në dorë nuses, gjërat mund të jenë të vështira për të dhe marrëdhëniet nuse-vjehrrë janë më të lehta për t’u acaruar.

Nëse kufijtë nuk ishin të nevojshëm më parë kur nipërit vijnë në jetë,  ato do të jenë absolutisht të nevojshëm për t’u vendosur. Asgjë më shumë se sa një mbesë/nip që lind nuk e përfshin atë në raportin e çiftit. Ajo do të jetë e sigurt nëse ata janë mirë me shëndet dhe se asgjë nuk i lëndon.

Përcakto një fushë të qartë të rregullave. A duhet që ajo të kontrollojë se si mbesa/nipi është veshur? Sa ndikim duhet të ketë ajo në mbarëvajtjen e jetës së fëmijës së vogël? Janë të gjitha këto diskutime delikate, por në një moment të caktuar gjërat duhen ndarë e përcaktuar qartë.

Vetëm kështu nuk do të ketë hatërmbetje, ankesa apo mosmarrëveshje mes njëri-tjetrit.

Mars-prill, 2014