Alarmi i mjekut pediatër: Higjiena e nënave, shkak kryesor për sëmundjen e fëmijëve

995

Mungesa e higjienës personale është një nga shkaqet kryesore për sëmundjen e fëmijëve. Kështu shprehet Ylli Berberi, mjek pediatër në Spitalin Continental, Tiranë. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, mjeku flet lidhur me problemet më të mëdha të fëmijëve, duke theksuar se mungesa e higjienës personale tek nëna është një çështje vërtet shqetësuese. “Mungon edukata”, thotë mjeku, teksa vijon se që aty duhet të fillojë trajtimi i fëmijës. Gjithashtu, ai radhit disa nga shqetësimet më të mëdha për sëmundjet e fëmijëve, si dhe kur është mirë që nënat t’i drejtohen mjekut pediatër.

Doktor, cilat janë problemet më të zakonshme në grupmosha të caktuara tek fëmijët?

Fusha e pediatrisë është një fushë shumë e gjerë. Mbarë bota ka vite që e ka specifikuar si degë të veçantë të mjekësisë së përgjithshme, për t’u qartësuar dhe ai mendimi se fëmijë nuk është më si dikur “një i rritur në miniaturë” (një i rritur i zvogëluar), por ka kohën dhe specifikat e veta të maturimit/zhvillimit dhe do një përqasje specifike nga mjeku specialist që quhet pediatër.

Problematikat e fëmijëve janë nga më të ndryshmet, por më të zakonshmet që hasin nënat e fëmijëve, janë disa shenja dhe simptoma deri diku alarmuese, siç është një temperaturë e lartë krejt e zakonshme, ato më natyrë infektive, një çrregullim gastrointestinal (diçka e papranueshme nga organizmi, stomaku, zorrët duke u shoqëruar me të vjella, barkqitje) që kërkojnë padyshim asistenë dhe shërbim pediatrik.

Të tjera sëmundje të zakonshme, kemi edhe virozat që zakonisht i hasim në periudhat e fundtetorit, nëntorit e përgjatë gjithë dimrit bashkë me fillimin e pranverës, që zakonisht prekin rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe shoqërohen me kollë, temperaturë dhe rrufë.

Të tjera më pak të zakonshme kemi pneumonitë, bronkitet, bronkopneumonitë, problemet me veshkat, problemet që kanë të bëjnë me zhvillimin psikologjik të fëmijës, siç është urinimi i pavullnetshëm (njomja e dyshekut), sëmundjet e zemrës, keqformimet e sistemit të poshtëm të kockave (problem i cili mund të zbulohet që herët) etj.

Ku gabojnë më tepër nënat e reja. A janë ato të përgatitura sa duhet?

Kjo ka të bëjë më tepër me shpërndarjen e njerëzve nëpër zona të ndryshme, ku shkalla e zhvillimit nuk është e njëjtë. Megjithatë, duhet theksuar se shkalla e edukimit të nënave lë vend për të dëshiruar, edhe kur bëhet fjala për kryeqytetin, duke filluar që nga mënyra se si e ushqejnë fëmijën, kushtet e mjedisit ku jetojnë e deri tek higjiena personale. Ndonëse janë krijuar kushte shumë më të mira për rritjen e fëmijës krahasur me dekada më parë, ende ka probleme.

Mikrobet mund të transmetohen edhe thjesht nga duart e palara, por jo të gjitha nënat ia dinë rëndësinë. Sa herë që ushqehet fëmija, duart duhen larë. Është një marrëdhënie e ngushtë mes nënës e fëmijës, por shumë nëna nuk i dinë dhe nuk e marrin për bazë.

Pse ka kaq shumë fluks nëpër spitale!? Jo gjithmonë bëhet fjalë për infeksione virale, sepse ato nuk varen nga nëna, por një pjesë e mirë vijnë nga mosmbajta e higjienës së duhur. Për mua, edukimi duhet të fillojë nga higjiena personale.

Çfarë sëmundjesh mund të transmetohen nga një higjienë jo e mirë?

Janë probleme nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ato që janë me natyrë gastro-intenstinale me barkqitje, temperaturë e të vjella, deri në infeksione të ndryshme, siç kemi hepatitet. Për shembull, hepatiti A, (sëmundja e verdhëzës) një infeksion viral, por që merret në rrugë fekale-orale dhe jep dëmtime në mëlçi. Si ndodh!? Një nënë që është e sëmurë, shkon në tualet dhe vjen me duart e palara, kap biberonin e fëmijës, kap lugën etj, lë virusin aty, duke qenë vetë e sëmurë, ia transmeton këtë dhe fëmijës.

Dikur nënat e përgatisnin vetë ushqimin e fëmijës, sot i marrin të gatshme në farmaci/ supermarket. Si e argumentojnë mjekët këtë pjesë?

Unë dua të flas vetëm në emër të konferencave dhe simpoziumeve pediatrike, jo në emër të revistave, gazetave dhe rrjeteve sociale: ushqyerja e fëmijës është e ndarë në periudha të ndryshme, por le të flasim për periudhën e vitit të parë, pasi kjo është dhe periudha më e rëndësishme.

Në periudhën e vitit të parë, kryesisht 6-mujorin e parë dhe menjëherë mbas lindjes, ushqimi më i mirë për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës është qumështi i nënës. Nuk ka industri ushqimore që të prodhojë ushqim më të mirë se qumështi i nënës.

Qumështi i gjirit ka shumë avantazhe, por le të përmendim vetëm më kryesorët: Ka një përbërje kimike shumë të mirë (është i pasur me substanca dhe elemente me përbërës imunitar), është më i asimilueshmë për fëmijën, është nga i njëjti lloj (specie), është ekonomik, nuk ka nevojë për përpunim, hollim etj.

Është e vërtetë se marketingu dhe industria ka punuar shumë në këtë drejtim, ashtu sikurse dihet që ka pasur dhe mjaft debate, por është detyra jonë si mjekë që t’i nxjerrim në pah këto përparësi.

Sa normale është që një fëmijë të mbajë “gjithë kohën” biberon në gojë?

Nuk është aspak normale. Thithja e biberonit “fals” është shpikur nga industrialistët dhe nuk sjell aspak të mira për fëmijën. Në momentin që një fëmijë fillon e qan, për ta qetësuar nëna i fut biberonin në gojë, pa e kuptuar që ai fëmijë mund të jetë duke kërkuar për të pirë apo mund të ketë një shqetësim. Le të bëjmë një analogji të shkurtër:

E para, ti si nënë, ke pasur kaq shumë probleme dhe vështirësi, ndoshta të janë dashur dhe 5 vjet apo më shumë dhe mezi e ke ngjizur, dhe vjen një moment që ti e gënjen fëmijën me një biberon fals.

E dyta, llapaçitja e biberonit fals që fëmija e mban për një kohë të gjatë në gojë, nxit në mënyrë reflektore prodhimin e sekrecioneve të pështymës, duke e ngopur fëmijën me pështymë. Për rrjedhojë ai rritet i brishtë.

E treta, biberoni, duke u futur dhe nxjerrë disa herë nga goja, nuk është më steril dhe rrit mundësistë për infeksione. Ka nëna që e vendosin kudo, e prekin me duar të palara, madje u bie dhe në tokë dhe ia fusin përsëri të palarë fëmijës në gojë.

A vazhdojnë t’i vetëdiagnostikojnë nënat fëmijët e tyre. A ka ndryshuar mendësia?

Nuk mund të them se ka ndryshuar në mënyrë drastike. Siç ka nëna të përgjegjshme që për çdo rast kërkojnë asistencën e mjekut, ka dhe nëna më pak të përgjegjshme

Ka nëna që u drejtohen farmacive? Sa e gabuar është kjo?

Këto gjëra nuk rregullohen vetëm me ndërgjegjësimin e njerzve, por me ligjin e shtetit. Është shteti ai që duhet t’u vendosë sanksione farmacive që të mos japin ilaçe pa recetën e mjekut përkatës. Shkalla e nivelit të ndërgjegjësimit të mjekëve nuk është në nivelin e duhur, por ama një farmaciste e di mirë që kjo është e gabuar.

Më vijnë nëna e më thonë “doktor i kam marrë fëmijës këtë shurup”. Po shurupi është antibiotik dhe unë si mjek e pyes veten disa herë para se ta jap, pasi ai vërtet lufton sëmundjen, por duam apo duam ne, i ka dhe disa efekte të vogla jo fort të këndshme në organizëm.

Në ç’rast një nënë nuk duhet ta neglizhojë kurrsesi dërgimin e fëmijës tek mjeku pediatër?

Nëse një fëmijë papritur bëhet joaktiv (nuk luan), qëndron i përgjumur, refuzon të ushqehet, ka bark, të vjella, kollë dhe temperaturë, nëna duhet të shqetësohet.

Por nga të gjitha këto elemente, pa diskutim temperatura është ajo nga e cila duhet pasur më tepër kujdes. Kjo dhe për faktin se truri i fëmijës është shumë i ndjeshëm. Një fëmijë me temperaturë 39-40, bark dhe të vjella, nuk mund të mbahet kurrsesi në shtëpi për 24 orë. Kaq janë të mjaftueshme që fëmija të dehidratohet dhe për rrjedhojë të kemi humbjen e jetës.

Por përgjithësisht nënat e kuptojnë kur ka diçka që nuk shkon me fëmijën e tyre, edhe kur bëhet fjala për nënat e reja, pasi, përveç njohurive, kanë edhe asistencën familjare.

Doktor, nëse një prind ka urgjencë, a mund t’i drejtohet Spitalit Continental?

Urgjenca pediatrike është në shërbim të pacientëve 24 orë. Kështu që sigurisht që mund të na drejtohen. Përsa i përket shërbesave pediatrike, në Spitalin Continental ne kemi kirurg dhe imazherist që merren vetëm me patologjitë e fëmijëve.

Pacienti këtu merr të gjithë gamën e shërbimeve që duhen për t’i vënë pikën mbi “i” një diagnoze. Që do të thotë nuk ka nevojë për sorollatje: vjen këtu dhe mbaron punë. Krahas kësaj, Spitali Kontinental ka primare edhe sjelljen. Ne punojmë fort që pacientët tanë të ndihen mirë dhe të gjejnë një ngrohtësi familjare.

Marrë nga: Shëndeti.online