Altruizmi, rruga drejt lumturisë

56

Islami është një thesar plotë me këshilla të bukura, të cilat nëse do t’i zbulonin njerëzit dhe të jetonin me to, atëherë ata do të bëheshin njerëzit më të lumtur dhe më fatlum në botë. Këto thesare, depot e të cilit janë të mbushura nga margaritarët e së vërtetës, nuk krahasohen as me shkëlqimin e arit dhe joshjen e perlave.

ALTRUIZMI VS EGOIZMI

Altruizmi, ndjenja e kundërt e egoizmit e bën njeriun të ndjejë dhimbjen e vëllait të tij e kur njeriu ndjen dhimbje është i gjallë, por kur ndjen dhimbjen e tjetrit, atëherë është njeri! Shpirti altruist të mëson të duash për tjetrin atë që ia dëshiron vetvetes dhe të mos duash për tjetrin atë që nuk ia dëshiron vetes. Të jesh njeri i mirë dhe t’u bësh mirë të tjerëve nuk kufizohet vetëm në ndihmën materiale ndaj tyre, por ka një kuptim më të gjerë. Mirësi është të ndihmosh dikë të dalë nga halli që i ka rënë, të pajtosh dy veta që nuk flasin, t’i japësh kurajë dikujt që ka humbur shpresat, t’ia largosh dikujt brengat. Profeti a.s. thotë: “Allahu është në ndihmë të njeriut, derisa ai është në ndihmë të vëllait të tij” dhe “Kush i heq një njeriu një brengë nga brengat e kësaj bote, Allahu do t’i heqë atij një brengë nga brengat e Ditës së Kiametit”. Altruizmi është shpirti i gjallë i besimit, i cili tek muslimanët paraqitet sikur degët që kanë dalë nga një trung apo një shpirt që ka depërtuar në shpirtra të ndryshëm. Madje, në funksion të jetësimit të këtij parimi, Allahu Fuqiplotë i dërgoi profetët.

Bëhu altruist si Pejgamberi (alejhi selam), i cili me këtë cilësi e përcolli mesazhin, e mbajti besimin, e këshilloi umetin, u përpoq me entuziazëm në rrugën e Allahut të Plotfuqishëm derisa ndërroi jetë. Askush nuk e ka arritur shkallën e lartë të altruizmit si Pejgamberi (alejhi selam). Allahu i Lartësuar e bëri personalitetin e Muhamedit (alejhi selam) shembull në të gjitha fushat e jetës dhe për të gjithë njerëzit, siç thotë në Kuran: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun” (Sure Ahzab, 21).

Profeti Muhamed (a.s.), e konsideronte shoqërinë si një trup i vetëm, ndërsa individët si pjesë të këtij trupi, ku nëse lëngon njëra i gjithë trupi e ndien dhimbjen e saj. Ai vendosi  në shoqëri rregulla bashkëjetese që edhe mbretërit do t’i kishin lakmi. Personalitetin e Pejgamberit (alejhi selam) e mishëruan më së miri shokët e tij dhe dy gjeneratat pasardhëse, të qenit model në çdo punë të mirë dhe të dobishme; në çdo aspekt dhe në të gjitha rrethanat.

Bëhu altruist në familjen tënde, ndaj vëllezërve të tu nga gjaku. Kjo duhet të ndodhë mes të gjithë vëllezërve të gjakut, të fesë dhe miqve. Nuk ka dyshim se mes vëllezërve ekzistojnë lidhje emocionale të fuqishme, megjithatë kjo botë me të mirat materiale të saj, i ka sprovuar njerëzit, duke bërë disa vëllezër t’i harrojnë detyrat ndaj të tjerëve. Ata ndjejnë zili, smirë dhe urrejtje për vëllezërit e tyre, në vend të dashurisë, altruizmit dhe vlerësimit, që e shtojnë më shumë dashurinë, lumturinë dhe harmoninë mes nesh. Transmeton Enesi (Zoti qoftë i kënaqur me të) se Profeti a.s. ka thënë:”Nuk e keni besimin e plotë derisa të doni për vëllanë, atë që doni për veten tuaj.” (Buhariu 1/14, hadithi 13).

Bëhu altruist me shoqërinë tënde, sikurse sahabët e Pejgamberit (s.a.v.s.)

Altruizmi ka qenë një nga virtytet e sahabëve. Ata flijonin të mirat vetjake në dobi të të tjerëve. Allahu i Lartësuar ka thënë për ta: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu për ta ka përgatitur për ata kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (Sure Teube, 100).

Kajs ibnu Sad ibnu Ubade ishte një nga shokët e Profetit (alejhi selam). Ai njihej tek njerëzit për bujarinë dhe zemërgjerësinë e tij. Kur ai u sëmurë vuri re se ata qe erdhën ta vizitonin ishin të pakët. U çudit dhe pyeti: “Pse?” Dikush i tha: “Njerëzve u vjen turp të vijnë të të vizitojnë, sepse të kanë shumë borxhe. Kajsi tha: “E ç’vlerë ka një pasuri, e cila pengon miqtë të më vizitojnë?” Më pas urdhëroi një tellall të dalë në rrugë dhe të thërrasë: “Kajs ibnu Sad i fal të gjitha borxhet që i kanë njerëzit.” Thuhet që atë ditë u shqye pragu i derës së shtëpisë së tij nga vizitorët e shumtë (El Mustatref, 1347).

Një ditë Ibn Omeri pati dëshirë të hante peshk. Bashkëshortja e tij gjeti peshk dhe e përgatiti për të. Sapo u ul që të hante, trokiti dera. Ishte një lypsar, i cili i kërkoi t’i jepnin diçka për të ngrënë, si duket era e peshkut të skuqur ishte ndier përjashta. Ibn Umeri i tha të shoqes që peshkun e skuqur t’ia jepte lypsarit, por bashkëshortja i propozoi, që në vend të peshkut që e kishte përgatitur për të, t’i jepnin ushqim tjetër apo para sa të donte, por Ibn Umeri nuk pranoi dhe peshkun ia dha lypsarit për ta ngrënë. Ai vuri në zbatim fjalën e Profeti a.s.: “Nuk e keni besimin e plotë derisa të doni për vëllanë, atë që doni për veten tuaj” (Buhariu 1/14,  hadithi 13).

Kur flasim për altruizmin na vjen në mend historia që na tregon Ebu Hurejra: “Një njeri erdhi tek Profeti (alejhi selam) dhe i kërkoi ushqim. Profeti kërkoi nga gratë e tij ushqim për të, por ato thanë: “Nuk na gjendet asgjë përveç ujit”. Ai pyeti shokët: “Kush e merr këtë njeri si  mysafir në shtëpinë e tij?” Njëri prej ensarëve tha: “Do ta marr unë” dhe u nis bashkë me të për në shtëpi ku i tha gruas: “Mikprite mysafirin e të Dërguarit të Allahut”. Ajo iu përgjigj: “Nuk kemi asgjë tjetër, përveç ushqimit të fëmijëve”. Burri e porositi: “Vendosi fëmijët në gjumë, gatuaje ushqimin dhe në momentin që shtrohet darka fik kandilin (në mënyrë që të mos e shohë mysafiri që nuk ka bukë për të gjithë)”. Dhe kështu u bë. Mysafiri hëngri pa e kuptuar si e kishin gjendjen dhe ata vetë shkuan në shtrat të uritur. Në mëngjes, kur ensariu shkoi tek i Dërguari i Allahut, ai tha: “Sonte Allahu u gëzua me veprimin tuaj dhe ka shpalluar ajetin: “…ata duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve të tjerë sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues” (Sure Hashër, 9).

Ebu Talha el-Ensari ishte më i pasuri prej ensarëve. Ai kishte një kopsht të quajtur ‘Bairuha’. Kur dëgjoi ajetin “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë” [Kur’an 3:92] ai shkoi te Profeti dhe i tha: “Po e dhuroj atë si lëmoshë për hir të fytyrës së Allahut të Lartësuar”. Këta ishin shokët e  Pejgamberit (a.s.) me shpirt të rrallë të altruizmit.

Ndihmesa ndaj të tjerëve është e lidhur me gradën e besimit; sa më i lartë besimi, aq më e madhe ndihma dhe e kundërta, kur besimi dobësohet, dobësohet dhe të ndihmuarit e muslimanëve. Atëherë kush prej nesh është gati të sakrifikojë veten e tij, shpirtin e tij, pasurinë e tij apo gjithçka të tij në këmbim të xhenetit? Vetëm ai që e ka kuptuar se për këtë botë nuk ia vlen as të mërzitesh as të sakrifikosh shumë, sepse ajo zhduket, ndërsa çfarë është tek Allahu, ajo mbetet. Dhe kur muslimanët e edukuan veten me vepra, atëherë u realizua kontrata: “Në të vërtetë Allahu ka blerë prej besimtarëve jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të xhenetit” (Sure Teube, 111).

Revista “Familja”, Nentor -Dhjetor 2012