Arkitektura e shtëpive tradicionale shqiptare

72

“Historia e themeleve dhe mureve rrëfen edhe për fazat e zhvillimit të vetëdijes njerëzore, e cila kalon nëpër periudha kur ai ka ndërtuar duke përdorur si materiale ndërtimi atë që ia ka ofruar natyra – gurë dhe drurë…”(Kim Mehmeti)

Përgjatë gjithë kohës arkitektura është konsideruar si një nga reflektimet më të thella e të rëndësishme të kulturës. Nëse i referohemi strukturave monumentale, të tilla si Coliseum romak, Taj Mahali i Indisë apo ikonat moderne të tilla, si: Sydney Opera House ose Museumi Guggenheim, ne shohim se çdo ndërtesë pasqyron historinë e kohës. Njëkohësisht, ashtu si në çdo vend tjetër dhe në Shqipëri, pa dyshim se arkitektura e aplikuar ka qenë  e kushtëzuar, jo vetëm nga kushtet e vendndodhjes së vendit apo kushteve  klimatike, por edhe asaj të kulturës dhe traditës shqiptare, disponimi i materialeve, influencat e jashtme dhe të brendshme, si pushtimet dhe kulturat e sjella nga perandoria Otomane, apo influncat europiane të importuara nga periudha italiane dhe gjermane, statusi i banorëve të vendit etj. Spektri i arkitekturës shqiptare është i gjerë dhe mbulon shumëllojshmëri tipologjish ndërtimore. Shqiptarët nuk kanë ndërtuar vetëm ura, por edhe kështjella, madje edhe shtëpitë ku jetonin i ndërtonin në formë fortifikatash mbrojtëse të quajtura kulla, e ku gjallëronin ëndrrat e tyre jetësore.

best_guest_sitting_roomNë arkitekturën e ndërtimeve qytetare shqiptare banesat rezidenciale apo të strehimit zënë një rol të rëndësishëm në aspektin arkitektonik, në të gjitha trevat e ballkanit të banuara nga shqiptarët. Banesat shqitare dallohen për tipologjitë e tyre të larmishme dhe të pasura, si ato qytetare dhe ato fshatare. Zhvillimi më i fuqishëm i banesave të strehimit ishte gjatë shek. 18-19. Meqenëse është e vështirë të ilustrohen të gjitha llojet e ndërtesave popullore shqiptare, një klasifikim i përgjithshëm do i klasifikonte ndërtesat banuese në katër grupe kryesore:

  1. Banesa me vatër zjarri
  2. Banesa me hajat
  3. Banesa me çardak
  4. Banesa Kulla Qytetare

Banesat me vatër zjarri kryesisht gjenden në zonën e Tiranës dhe fshatrat përreth saj. Kjo lloj tipologjie përbën një nga tipet kryesore dhe më të lashtë në arkitekturën e banesave shqiptare. Karakteristikë e këtyre banesave ishte shtëpia e zjarrit, e cila ngrihej në lartësinë e dy kateve dhe mjediset e tjera vendoseshin rreth shtëpisë së zjarrit.

Banesa me hajat është një tjetër tip banesë e përhapur gjerësisht në Shqipërinë e mesme. Tipar dallues në këtë stil është lidhja e shtëpisë me oborrin dhe natyrën. Shpesh herë, meqënëse këto shtëpi ndërtoheshin në trualle të sheshta, oborri shfrytëzohej nga qytetarët për të zhvilluar ekonomi bujqësore. Shumica nga këto ndërtime i përkasin shek. XVIII dhe fillimit të shek. XIX.

Një shembull tipik i kësaj tipologjie është shtëpia e shijaksve. Banesa rrethohet me mure qerpiçi, në të cilat hyhet nëpërmjet portave të mëdha dykanatëshe, pothuaj gjithmonë mbuluar me çati të thjeshtë.

Mendohet se banesa me çardak si fazë ndërtimi i përket shek. XVIII – fillimit të shek. XIX. Më së shumti hasen në Berat dhe më rrallë Krujë e Lezhë. Në këto banesa çardaku luan një rol kryesor në kompozimin e jashtëm të ndërtesës. Çardaku ndërtohet kryesisht në fasadën kryesore të banesës dhe në fazën e tij origjinale ishte i hapur. Ai shërben njëkohësisht edhe si ambient ndërlidhës për hapësirat e tjera të banesës. Ky ambient shfrytëzohej së tepërmi nga banorët gjatë stinës së ngrohtë, duke shfrytëzuar në maksimum dritën natyrale. Për vetë kompozimin dhe përdorimin e gjerë  të tij, banesa me çardak ndahet në disa nëntipe: banesa me çardak në gjithë ballin, me çardak në një krah dhe me çardak në qendër.

Një tjetër shembull tipik i ndërtesës me çardak mund të shikohet dhe në Elbasan tek banesa e Hajdar Sejdinit, e ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të XIX-të dhe paraqet zgjidhjen më të zhvilluar të këtij tipi, me prirje të theksuara qytetare. Banesa me planimetri katërkëndëshe është dykatëshe, ndërtuar me mure guri e skelet druri. Në katin e poshtëm ndodhet hajati dhe katojet, ndërsa në katin e sipërm çardaku me mjediset e banimit dhe anekset e shërbimit.

Banesat Kulla Qytetare në përgjithësi përfaqësohen nga banesat gjirokastrite. Emërtohen banesa Kulla për vetë faktin se ka tipare mbrojtëse. Veçoritë e jetës së kohës në Shqipëri lanë gjithashtu gjurmë në arkitekturën e tyre: nevojiteshin strukturat mbrojtëse, sepse shqiptarët herë pas here luftonin kundër njëri-tjetrit; për më tepër ata rebeloheshin kundër Portës së Lartë në Stamboll. Duhej një vend i sigurt edhe për bagëtinë në dimër; duhej dhe vendi për të rezervuar ujin për gjatë muajve të thatë të verës. Katet përdhese të kullave ishin edhe struktura mbrojtëse edhe magazina të shtëpisë. Ndërsa katet e sipërme shprehnin mikpritjen gjirokastrite, kulturën dhe mënyrën e jetesës së tyre; por përmes interierëve të pasur edhe rangun e pasurinë e të zotëve të shtëpisë. Herë-herë kjo e fundit duket sikur tejkalon dukshëm edhe vetë funksionin mbrojtës të shtëpisë. Kjo lloj ndërtese ndeshet dhe në qytete të tjera, si Berati, Kruja dhe Shkodra, por në nivel më të ulët zhvillimi. Një shembull tipik është ajo e shtëpisë së Zekatëve në Gjirokastër. Megjithëse është me prejardhje otomane, arkitektura e ndërtesës është produkt i shumë përbërësve.

Banesa qytetare shqiptare të shek. XVIII – XIX me larmishmërinë e tipologjive dhe arritjet e rëndësishme dhe plot vlera për kohën, natyrshëm plotësojnë atë pasuri e cila emërtohet banesë shqiptare, pra banesë e ndërtuar përgjithësisht prej shqiptarëve për shqiptarët.