Arnauld Van Doorn: “Përse u konvertova në Islam”

50

Ish – anëtari i një partie anti islamike të Holandës,  Arnauld Van Doorn, ka renditur arsyet për konvertimin e tij në Islam dhe ka folur mbi reagimet e bashkëfetarëve të tij partizanë, pas konvertimit dhe akuzat perëndimore kundër Islamit. Gjithashtu ai ka përcjellë këshillat e tij për ateistët.

Lajmi për konvertimin në Islam të Arnauld Van Doorn, politikan i famshëm holandez kundër Islamit, tek ish – nënkryetari i partisw Geert Wilders, ka bërë jehonë në media.

Geert Wilders është i njohur për muslimanët përmes filmit famëkeq “Fitna”, i transmetuar nga partia e tij, PVV, (në hollandishte: Partij voor de Vrijheid; në shqip: Partia për liri), i cili ka qenë kundër Profetit të Islamit dhe fyes për Islamin.

Megjithatë Van Doorn përmes studimit të burimeve islame vendosi për konvertimin e tij në Islam dhe postoi në arabisht “shpalljen e besimit të tij” në faqen e tij të Twitter-it, ku i befasoi të gjithë.

Dyzet e gjashtë vjeçari, Van Doorn, është një burrë i sjellshëm dhe fisnik dhe beson se Islamofobia në Europë buron nga media perëndimore dhe përpjekjet e qeverive për të paraqitur një imazh të errët të Islamit. Gjithashtu beson se nëse njerëzit në Europë do të ishin në dijeni të bukurisë dhe urtësisë së Islamit, ata do të ishin konvertuar në mënyrë të menjëhershme.

Në një intervistë për agjensinë e lajmeve Ma’an (rrjet mediatik joqeveritar), Van Doorn shprehu interesin e tij për të udhëtuar në Iran dhe vende të tjera islame. Ai tha se mezi priste të vizitonte Isfahan, Shirazin dhe Qum-in.

Intervista është dhënë për Agjensinë e Lajmeve Ma’an.

Agjensia e Lajmeve Ma’an (MNA): Fillimisht le të flasim pak mbi arsyet që ju shtynë juve të pranoni Islamin? Çfarë ndodhi, që ju zgjodhët të konvertoheshit në Islam?

Van Doorn: Një vit më parë kam studiuar Kuranin nisur nga kureshtja, pasi lashë PVV. Përpara kësaj kohe kam dëgjuar vetëm histori negative për Islamin. Por, sa më shumë lexoja, aq më shumë bindesha që Islami është me të vërtetë një fe e bukur dhe plot urtësi.

Unë kam patur një edukim fetar si një i krishterë, kështu që isha i njohur me shumë vlera fetare. Është më e lehtë të konvertohesh nga një i krishterë në një musliman, sesa nga një jobesimtar, pasi unë tashmë isha i familjarizuar me profetët, engjëjt dhe disiplinën fetare që është e domosdoshme në kuadër të çdo feje.

MNA: Ju keni qenë anëtar i një partie, që është e njohur si kundër islamike dhe madje partia në fjalë ka prodhuar dhe transmetuar një film kundër Profetit. Përse këto parti kanë mbajtur një qëndrim të tillë kundrejt Islamit, kur ato në fakt duket se nuk kanë njohuri të sakta rreth tij?

Van Doorn: Unë kurrë nuk kam qenë plotësisht i saktë, ashtu siç nuk është edhe PVV. Por ashtu si shumë njerëz edhe unë kisha paragjykimet e mia për muslimanët. Unë mendoja se ata ishin fanatikë, shtypës të grave, jotolerantë, të dhunshëm dhe armiqësorë përkundrejt shoqërisë perëndimore. Për mendimin tim, sistemi financiar i Wilder-it dhe kriza janë të vlefshme, por unë nuk jam dakort me vizionin e tij negativ për Islamin dhe botën arabe.

Kjo do të thotë të damkosësh të gjithë muslimanët. Krijimi i frikës dhe polarizimi është një mënyrë e lehtë për të mobilizuar njerëzit, duke qenë se kjo mënyrë lë hapsirë për paragjykime dhe njëanshmëri.

MNA: Pas konvertimit tuaj në Islam, cili ishte reagimi i ish-bashkëpunëtorëve tuaj në parti?

Van Doorn: Unë nuk kam folur me Geert Wilders, që në momentin që u largova nga PVV. Nuk e di. Nuk kam patur asnjë reagim deri më tani. Në momentin që ju largoheni nga PVV-ja, ju jeni ‘jo-ekzistues’ në parim. Ish-kolegët janë të frikësuar për të më kontaktuar, pasi kjo gjë do të dëmtonte karrierën e tyre brenda në PVV.

MNA: Nëse do ju jepej mundësia të ftonit një jomusliman në Islam, cilat janë disa nga karakteristikat më të rëndësishme  që ju do t’ju  referoheshit?

Van Doorn: Ashtu siç thashë më përpara: Mëso mbi Islamin, mposht paragjykimet dhe do të shohësh se Islami është me të vërtetë një fe e bukur dhe shumë e pastër, me një histori të madhe dhe standarde të larta. Ne kujdesemi për njëri- tjetrin në mirëqenie dhe fatkeqësi, gjë e cila të jep qetësi të brendshme dhe urtësi dhe që ta pasuron jetën tënde shpirtërore. Jeta nënkupton më shumë sesa thjesht para dhe pasuri materiale (tipiku “faktori i suksesit perëndimor”). Nëpërmjet praktikimit të Islamit ju do të bëheni një individ më i fortë dhe më i mirë.

MNA: Në perëndim, Islami në përgjithësi akuzohet se promovon terrorizëm dhe se trajton çështje kundër të drejtave njerëzore ose keqtrajtimit të grave. Cili është reagimi juaj ndaj këtyre akuzave?

Van Doorn: Përsëri them se shkaku është paragjykimi, bazuar në mungesë të njohurisë. Ju mund të gjeni fanatikë në çdo fe, kudo në  botë. Fatkeqësisht, 1% e fanatikëve janë shfaqur në televizion dhe në media të tjera të lajmeve dhe ndikimi i tyre është zmadhuar. 99% e muslimanëve janë punëtorë dhe paqedashës. Shumë njerëz do ta shihnin bukurinë e Islamit, nëse do të studionin Islamin e vërtetë.

MNA: Çfarë mendoni ju në lidhje me arsyet, që qëndrojnë pas disa përpjekjeve për të nxitur ateizmin në botë dhe cila është këshilla juaj për ata individë, të cilët janë në mëdyshje mes besimit dhe mosbesimit?

Van Doorn: Unë thjesht mund të hipotetizoj. Njerëzit me pushtet në perëndim dhe shumë politikanë nuk e simpatizojnë fenë në asnjë lloj forme. Sa më pak të besojnë njerëzit, aq më shumë varen ato nga vlera të tjera, të tilla si, ekonomia, paratë, konsumi dhe mirëqeniea materiale. Njerëzit e fuqishëm në perëndim dëshirojnë që populli në parim të konsumojë, në vend që të gjurmojë për fuqinë e brendshme shpirtërore. Shpenzimi dhe konsumi supozohen të blejnë standardet e lumturisë. Besimtarët janë më të fortë dhe më pak të varur në këto çështje. Politikanët dhe njerëzit me pushtet nuk kanë interes që populli të bëhet  i pavarur nga ato dhe të zhvillojë pikëpamje të tjera. Kjo është ajo që unë u përcjell atyre që janë në mëdyshje mes besimit dhe mosbesimit.

Së fundi:

Mua më pëlqen të udhëtoj. Kam qenë në Marok (kam ngjitur Toubkal-in në dëborë), Algjeri, Jordani dhe Egjipt. Unë kam miq në shumë vende. Në qershor do të shkoj në Iran për të shoqëruar një mik, i cili do të ngasë biçikletën rreth botës për 5 vjet. Ne do të fillojmë në Shiraz dhe do të ngasim biçikleten 2000 km përmes Iranit dhe Turqisë. Mezi pres të vizitoj Shirazin, Esfahan dhe Qom.

JAnar-Shkurt 2014