“Arratisja ime në liri” – Vjen në shqip për herë të parë vepra kryesore e Alija Izetbegoviç

229

Alija Izetbegoviç është udhëheqësi shpirtëror dhe politik historik i Bosnje Hercegovinës, i vlerësuar dhe pranuar në Lindje dhe Perëndim si një mendimtar me vlera të spikatura dhe paqedashës. “Arratisja ime në liri” është një libër që u shkrua në rrethana kritike, teksa autori ndodhej në burg dhe sjell reflektime të thella për moralin, fenë, politikën, artin, pushtetin, komunizmin, dhe besimin. Ismail Dizdari e sjell veprën e plotë në shqip nga gjuha origjinale (boshnjakishtja), ku përfshihet edhe libri “Islami mes Lindjes dhe Perëndimit”.

Për më shumë, lexoni hyrjen që i ka bërë autori:

Kjo që (ndoshta) lexuesi do të lexojë, ka qenë arratisja ime në liri. Sigurisht, e them me keqardhje, kjo nuk ka qenë arratisja ime e vërtetë e që do të kisha dashur të ishte. Bëhet fjalë për arratisjen e vetme nga burgu i Foçës që ishte me mure të lartë e me rrjeta çeliku e arratisja që ishte e mundur, ishte vetëm me shpirt e me mend. Po të kisha mundësi të arratisesha me të vërtetë  ndonjëherë, do t’i kisha dhënë përparësi arratisjes fizike para asaj tjetrës (shpirtërores). Mendoj se lexuesit e mi më me kënaqësi do të dëgjonin rrëfimin mallëngjyes të arratisjes së një të burgosuri nga fort i mirëruajturi burg, se sa të lexonin mendimet dhe komentet e mia për temat politike dhe filozofike. Nuk mund të flisja, por mund të mendoja, prandaj vendosa që këtë mundësi ta shfrytëzoj deri në fund. Në fillim bëra ca diskutime me vetveten për gjithçka, e për çdo gjë dhe me mendje komentoja librat e lexuara dhe ngjarjet që ndodhnin jashtë. Pastaj kam filluar të mbaj ca shënime fshehurazi e më pas u bëra krejtësisht ‘i pafytyrë’; ulesha, lexoja dhe shkruaja. Kështu u bënë trembëdhjetë fashikuj të vegjël, formate që teknikët i quajnë A5, të shkruara imët e qëllimisht të palexueshme, të cilat daktilografistja ime, Mirsada, është munduar në kulm duke i rishkruar (deshifruar) ato.

Me këtë rast më jepet mundësia që të falënderoj për mundimin e transkriptimit  të shifrave të mia. Fjalët ‘e rrezikshme’ si feja, Islami, Komunizmi, liria, Demokracia, pushteti e të tjera si këto, ishin shndërruar, tjetërsuar, në fjalë të tjera të cilat i kuptoja vetëm unë dhe që, edhe për mua, pas disa vitesh, u bënë të pakuptueshme dhe të çuditshme. Ditët e para të vitit nuk kam shkruar asgjë, por as edhe kam mundur të shkruaj. Ky vit kaloi nën hetime, gjykime dhe konfirmime. Mendoj se shënimet e para kanë filluar më 1984 e më pas vazhduan dita-ditës për  pesë  vjet. Shënimi i fundit, me sa shoh, mbart numrin 3676 dhe ka datën 30 shtator 1988. Këto ishin ditët, kur unë kisha për të vuajtur edhe 13 vjet burg. Ishte koha kur e vetmja shpresë për mua ishte vdekja. Këtë shpresë e fshihja te vetja si një sekret të  madh që e di vetëm unë, e që ATA nuk mund t’ma rrëmbenin. Për rrjedhim vlera e këtyre mendimeve nuk qëndron vetëm tek ata, por së pari, te rrethanat që u shkruan. Nga kjo anë e mureve: heshtje burgu, kurse jashtë, shenjat e para të furtunës e cila më 1988 do të shndërrohet në uragan që do të rrëzojë murin e Berlinit, do të fshijë nga skena Honekerin, Çausheskun, do të shpërbëjë paktin e Varshavës, do të trondisë Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë. Thuajse e kam ndjerë fizikisht se si  rrjedh  koha, se si ndërrohen stacionet e saj para syve të mi. Kjo ishte koha e revizionimit radikal, të të menduarit dhe  bindjes pas dështimit të përvojave të shteteve të Europës Lindore. Bota ka përjetuar transformimin epokal, e cila do të ndryshojë jetën e qindra miliona njerëzve dhe do ta kthejë rrjedhën e historisë në një drejtim tjetër. Bota gjatë kohës bipolare u bë unipolare. Nuk e di nëse kjo është mirë, por kjo ndodhi. Ato më se dymijë ditë janë një gjë që pranë ngjitëses së librave i mbajnë  të lidhura e të bashkuara edhe mendimet të shkapërderdhura. Ato, deri diku, paraqesin komentin e ngjarjeve të kobshme të një njeriu që ishte i ndaluar të merrte pjesë në to, por që ka pasur mjaft kohë që t’i ndjekë dhe për to të japë gjykime të drejta ose të gabuara.

Revista “Familja”, janar 2017