Atmosferë mikëpritëse për anëtarin e ri

52

Ardhja e një fëmije në jetë është një nga begatitë më të mrekullueshme që na fal Zoti. Nëna bëhet shtëpia e parë e fetusit me ushqimin dhe strehën që i fal atij në placentë e mbushur me lëngje embrionale. Fenomeni shtatzëni duke zgjatur nëntë muaj e përgatit gruan si psikologjikisht dhe fizikisht për shumëfishimin e rolit të saj nga një bashkëshorte në një nënë të përkushtuar dhe sakrifikuese për pasardhësin e familjes. Në këtë artikull nënat shqiptare do të përballen me tre tematika kryesore, të cilat synohet të analizohen për rëndësinë e tyre vendimtare në mirë-rritjen e fëmijës. Këto tematika janë:

1. Lidhja psikike nënë-fëmijë dhe raporti emocional i sigurt;

2. Vlerat ushqyese që zotëron qumështi i nënës dhe periudha e dhënies së gjirit;

3. Xhelozia e bashkëshortit apo fëmijës së parë për anëtarin e ri të familjes.

Pas lindjes, pikërisht gjatë procesit të ushqyerjes me gji, nëna dhe fëmija krijojnë një lidhje dashurie të ndërsjelltë, e cila rezulton të jetë shumë e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit të fëmijës në muajt në vazhdim. Sipas psikologes Frajberg, lidhja emocionale që krijon nëna me fëmijën gjatë tre viteve të para është një marrëdhënie që i fal fëmijës shumë ngrohtësi dhe siguri. Nëna e re gjatë ushqyerjes së fëmijës me gji, jo vetëm që e rrethon atë me shumë dashuri, por mundohet të komunikojë me të me anë të shikimit dhe ninullave të shumta që i këndon. Fëmija gjatë kësaj periudhe atashohet kaq shumë me nënën, saqë një largim i përkohshëm i saj i shkakton atij të qara dhe një ndjenjë pasigurie.

Psikologët që kanë studiuar jetën e fëmijëve nga lindja deri në adoleshencë e përkufizojnë atashimin që fëmija ka ndaj nënës si një lidhje emocionale në të cilën fëmija ndiehet i mbrojtur dhe i sigurt (Bee, fq. 184). Atashimi është një lidhje psikologjike midis fëmijës dhe kujdestares së parë, e cila në shumicën e rasteve është nëna. Të qarat dhe buzëqeshjet janë elemente mjaft përcjellëse për lidhjen e fortë që fëmija krijon me nënën, duke krijuar lidhjet e para të atashimit.

Kjo marrëdhënie është vendimtare në krijimin e një ambienti të sigurt për fëmijën, por njëkohësisht i mundëson atij një zhvillim normal të personalitetit (Enciklopedia Enkarta). Shumë studime mbi këtë temë kanë treguar se mungesa e nënës dhe mungesa e një atashimi ku fëmija ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, sjell si pasojë probleme të ndryshme në karakterin e fëmijës dhe mënyrës sesi ai u bën ballë sfidave në jetë (Enciklopedia Enkarta).

Eksperimente kriminale janë bërë në periudha historike të errëta të shoqërisë nga studiues ekstremist, të cilët kanë eksperimentuar me jetët njerëzore duke i trajtuar qeniet njerëzore të barazvlefshme me kafshët. Këtë mbishkrim e bazoi në eksperimentin që iu bë fëmijëve të sapolindur në një institucion kërkimor për rëndësinë jetike të dashurisë që nëna transmeton tek fëmija gjatë ditëve të tij të para të jetës e në vazhdimësi. Historia e psikologjisë përshkruan në tekstin e saj eksperimentin që iu aplikua dy grupeve të fëmijëve të porsalindur.

Dy grupe mamish u paguan për të ushqyer me qumësht dy grupe fëmijësh të porsalindur. Grupit të parë të mamive iu dhanë udhëzime që përveç ushqyerjes me qumësht t’i falnin fëmijës dhe përgëdhelje e dashuri duke u folur e kënduar. Ndërsa grupi i dytë i mamive u udhëzua që vetëm t’i ushqejë fëmijët me qumësht dhe mos t’u flasin e as mos t’i përkëdhelë. Pas një periudhe të caktuar fëmijët, të cilëve iu dha vetëm qumësht dhe aspak dashuri e përkëdhelje, vdiqën, ndërsa fëmijët e grupit të mamive që iu dha qumësht, dashuri e përkëdhelje, jetuan. Ky eksperiment jashtë etikës së të drejtave humane, konkludoi me rëndësinë e jashtëzakonshme që luan dashuria me të cilën nëna ushqen fëmijën e saj dhe shërben si këshillë për çdo nënë.

Kur një bebe lind në planet, një anëtar i ri do të hyjë në gjirin familjar duke shkaktuar xhelozi tek bashkëshorti apo tek fëmija i parë. Dy të sipërpërmendurit ndihen të braktisur dhe të lënë pas dore, pasi vëmendjen dhe përkushtimin më të madh e zotëron anëtari i ri (Ademi, 2009).

I takon nënës dhe njëkohësisht bashkëshortes që me shumë zgjuarsi dhe dedikim të vendosë balancin e raportit që i nevojitet çdo personi të familjes. Nëse gruaja do të ndajë barrën e saj të përkujdesjes me burrin, atëherë bashkëshorti jo vetëm që do të ndiejë përgjegjësinë e rritjes së fëmijës, por njëkohësisht koha e kaluar me beben do ta lidhë më shumë marrëdhënien e tyre. Ky ekuilibër i ndarjes së punëve i krijon nënës mundësi t’i përkushtohet fëmijës së parë, duke ia larguar xhelozinë ndaj motrës apo vëllait të vogël (Bee, p. 1995). Nëna duhet ta parapërgatisë fëmijën e parë për ardhjen e një vëllai apo motre që para se ai të vijë në jetë, duke i larguar ndjenjat e egoizmit dhe duke i mësuar ndjenja dashurie dhe përkujdesjeje ndaj bebit. Nëna duhet të tregojë shumë vëmendje ndaj ndarjes së kohës dhe përkëdheljeve në mënyrë të barabartë midis të dy fëmijëve. Nëse xhelozia e femijëve eleminohet pesë vitet e para kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të lindë më vonë, prandaj nëna duhet të jetë gjithmonë avangarde duke i paraprirë problemit me forcimin e lidhjes vëllazërore midis fëmijëve.

Ka shumë mënyra me të cilat fëmija e parë e shpreh frustracionin ndaj neglizhimit që nënat i bën atij. Këto mënyra shprehen si në dhunë fizike të ushtruar ndaj vetes apo bebes ose në dhunë psikologjike, e cila shoqërohet me mbyllje në vetvete, humbje oreksi dhe mendime të këqija për fëmijën e vogël. Ka raste kur fëmija i parë refuzon të flasë për shkak të xhelozizë së theksuar të akumuluar në kohë. Në kësi lloj rastesh fëmija që me vrojtimin e menjëhershëm të problemit duhet të dërgohet tek një psikolog. Nëse raste të tilla ushqehen nga nëna duke e lënë krejtësisht pas dore fëmijën e madh, raste dhune psikologjike ekstreme mund të ndodhin. Nëse të ndërprerit e të folurit të fëmijës së parë zgjatë në më shumë se dy vite, fëmija mund të zhvillojë simptoma kronike autizmi, çka duhet të parandalohet patjetër. Nëna begatohet në jetën e saj me një fëmijë të dytë, por ajo duhet të tregohet tepër e vëmendshme ndaj neglizhencave psikologjike e fiziologjike të fëmijës së parë, gjithashtu duke ekuilibruar ngrohtësinë dhe përkujdesjen për të dyja palët. Gjithashtu në këtë problematikë bashkëshorti luan një rol të rëndësishëm, pasi ai duhet t’i ndihmojë gruas së tij në një mirërritje sa më të shëndetshme të fëmijëve, duke i ndarë disa nga detyrat ndaj të vegjëlve me njëri-tjetrin. Harmonia në çift është gjithashtu një faktor ndikues në zanafillën e fëmijërisë së çdonjërit prej nesh.

Shtator-Tetor 2013