Ato çfarë një nëne të ardhshme nuk ia thonë

288

Marsida Simo, sociologe

Është një lumturi, emocion, frikë, dashuri, mezipritje, ankth, fantazi… një fëmijë. Shtatëzania është një periudhë e veçantë që trajtohet deri diku me delikatesë, si nga vetë vajza që do të bëhet nënë ashu edhe nga njerëzit që e rrethojnë (them vajzë sepse ende nuk ka kaluar në statusin grua nga aspekti mendor).

Po kjo kohë kalon aq shpejt me vizita doktorësh, dieta ushqimesh, emra fëmijësh, preferenca gjinish, sa nënës së ardhshme nuk i tregohet realisht çfarë e pret më pas. Zakonisht dëgjohet tek i thonë: Rri mos u anko se je mirë. Prit, prit kur të lindësh… Po se në çfarë kuptimi thuhet dhe për çfarë konkretisht e kanë fjalën, ia lënë surprizë se nuk duan ta mërzisin. Thjesht mendo të ushqehesh mirë, i thonë. Madje i sjellin dhe ndonjë panine, byrek apo dhe ëmbëlsirë. Nuk ia vënë re se merr dhe shumë kalori, por madje edhe mund ta inkurajojnë të hajë, se kur të lindi fëmijën, më vonë do mendojë për linjat.

Lindja e fëmijës

Procesi i lindjes është unike dhe ndoshta nuk ka model të ngjashëm as me mamanë, motrën, shoqen, një filmi që është parë në televizor. Ai mund të zgjasi me minuta, orë apo ditë. Varet nga pozicioni fëmijës, gjendja shpirtërore e nënës, pritja dhe përkujdesi i stafit mjekësor, doktori i turnit që rastis në maternitet, apo mjeku që është kërkuar. Mund të duket moment i dhembshëm, horror, i sikletshëm, stresues, i pafund, i veçantë dhe i bukur. Gjatë shtatëzanisë përpiqen t’ja anashkalojnë këtë bisedë vajzës shtatëzanë, që mos ta frikësojnë, po ajo duhet ta dijë. Madje e këshillojnë mos t’i tregojë as mamasë momentin kur është për të lindur se vuan më tepër. Por kjo gjë mund ta komplikojë situatën. Mbajtja e emocioneve shton ankthin dhe nuk e qetëson një moment të tillë. Një vajzë shtatëzanë duhet të pyesi mjeken, të lexojë dhe të bisedojë për frikën e saj. Ajo duhet të dijë çfarë e pret. Ajo duhet të dëgjojë vetëm specialistë dhe jo legjenda urbane. Deri diku në kryeqytet zhvillohen takime me prindër të rinj që quhen kurse prenatale por frekuentimi nuk është i konsiderueshëm.

Kthimi në shtëpi

Dita që do kthehesh në shtëpi është më përmalluese se dita kur lë shtëpinë e prindërve. Është dita e parë e njëmijë ditëve ku duhet të jesh gati. Gati për gjithçka. Urime je mama! Tani e përherë nuk mund të mendosh më në vetë të parë. Çdo zile, mjaullimë, zhurmë, tringëllimë, psherëtimë etj, do të duket si e thirrura e fëmijës tënd.

Shtëpia është mbushur me tullumbace, lule dhe dhurata të vogla të cilat më vonë mezi do gjesh kohë t’i pastrosh dhe sistemosh. Të duket vetja e mpirë. Do doje të flije një javë, por nuk të kanë thënë më parë që gjumi është fjalë që zhduket tani e tutje. Të kanë gënjyer nëse të kanë thënë që kur fëmija fillon ushqimin ngopet dhe natën fle gjumë më gjatë. Gënjeshtër, sepse në atë periudhë fëmija grindet më tepër dhe mund të zgjohet më shpesh sepse i dalin dhëmbët, atashohet më tepër me nënën etj. Ti mund të flesh më gjatë ndonjë natë ashtu kot si rastësisht kur fëmija ka hyrë në gjumë të thellë pa ndonjë arsye të veçantë. Madje ti sërish do jesh me sy hapur nga meraku pse nuk po zgjohet. Ty nuk ta kishin thënë kur ishe shtatëzanë si duhet ta mbash fëmijën, si duhet ta vësh në gjumë si dhe ushqesh. Nuk t’i thonin se janë supersticiozë dhe këto biseda bëhen më vonë. Këto mësime ti i merr kur foshnja ka marrë veset e tij, kur do të rrijë vetëm në krah dhe ta tundësh deri sa të flejë. Tani është pak si vonë për leksione. Nuk të kishin thënë më parë që tani është rradha jote t’i përballosh të gjitha. Nuk të pyesin më si je, nëse ke pushuar, nëse ke nevojë për ndihmë, nëse e përballon dot, nëse ke ngrënë. Tani pyetjet janë ai/ajo si është, a ka dhimbje barku, a ka pirë, a ka defektuar? Mirë që nuk të pyesin, por do të ngarkojnë me informacione. Do fillojnë të japin mend nga eksperienca e tyre se si i kanë rritur fëmijët dhe i kanë bërë kaq sa janë sot. Nëse fillon të ankohesh do gjesh si kundra përgjigje vështirësitë që nënat e atëhershme i është dashur të përballojnë. “Po ne që kemi punuar me turne, që kemi larë duke ngrohur vajgurin, që nuk kemi patur bebelina, që nuk kemi patur ushqim të gatshëm, që nuk kemi patur ngrohje…”. Dhe me të tilla shprehi krahasuese ditët e para do të duken edhe me të gjata, mëmësia edhe më e vështirë, vetja do duket e paaftë. Kur ishe shtatëzanë nuk të kishin thënë që kur të bëhesh nënë, ndihmën e vërtetë e ke ti në dorë. Ti e imagjinoje disi, por jo kaq të vështirë. Madje të kishin gënjyer kur të thonin bëje se do ta mbaj unë. Përkundrazi, në ditët e para njerëzit ose do të zhduken me idenë se do pak qetësi ose do vijnë dhe do të rrotullohen në shtëpi ashtu kot sepse foshnja pret nga ty.

Shqetësimet e para mendore

Kanë nisur çrregullimet e para në mendjen tënde dhe pyetje pafund. A do jem e aftë ta rris? A do te jem nënë e mirë? Po sikur të mbytet në gjumë? Po sikur mos të marri frymë? Po sikur mos të ngopet me qumësht? Kishe lexuar diku për depresionin pas lindjes po ishe thuajse e sigurt që ty nuk të prekte. Ty nuk të kishin folur shumë për depresionin se do fiksoheshe dhe do dukej sikur do të kapte dhe më mirë mos të dije. Por padija nuk është zgjidhje. Duhet të dish dhe të marrësh masa. Disa nëna fiksohen pas pastërtisë, disa të tjera nuk duan që fëmijën e tyre ta preki kush. Por ka dhe nëna që e vuajnë më tepër këtë situatë dhe nuk duan ta shohin fëmijën e tyre. Naj kur je shtatëzanë ke dhe kohën të informohesh më tepër. Vetëm kohët e fundit po flitet në media disi për shqetësim psikologjik. Një nënë e tillë do një përkujdesje të veçantë.

 

Gjidhënia

Ky është një proces kaq i shenjtë dhe kaq horror. Që pas lindjes do kapësh gjirin tënd duke kërkuar ndonjë pikë qumësht. Frika e të mos paturit gji mund të çojë në rëndesë të situatës. Kur ishe shtatëzanë nuk ta kishin thënë një fjalë të keqe, por tani mund të dëgjosh shprehje si: Epo nuk paske qumësht. U nxi fëmija se ti s’e ngop. S’ka si të flejë fëmija se ti s’e ushqen tamam. Sikur e ke të hollë qumështin. Në kohën tonë nuk vuanim për këto gjëra”. Më pas të japin dhe një menu me ushqime të çuditshme ku mjekja mund t’i ketë ndaluar. Por jo, njerëzit që ke rreth e rrotull pretendojne se i dinë më mirë se kushdo.

 

Trupi yt 

Mund të kesh shtuar gjatë shtatëzanisë nga 6 deri në 40 kilogram. Pritshmëritë e tua janë që tani pas lindjes të kenë ikur rreth 10 kg të mira, por jo. Ti peshohesh ditën e dytë pasi ke lindur dhe maksimumi që ke rënë janë 5 kile. Barku është ende i fryrë sikur je ende shtatëzanë. Këmbët janë akoma të enjtura dhe ndjen dhimbje trupi nga lodhja dhe pagjumsia. Ti sheh veten në pasqyrë dhe nuk po njihesh. Do trupin tënd mbrapsh. Sheh madje dhe disa vija të holla të kuqe diku nëpër lëkurë. Flokët po të bien me shumicë, lëkurën e ndjen të thatë dhe thonjtë që lehtësisht thyhen. Kjo është e tepërt. Inati, frika, zemërimi që vetëm ty të ndodhën këto, janë të shumta. Por po t’i kishin thënë këto kur ishe shtatëzanë nuk do trembeshe. Do e dije që këto janë normale dhe kalimtare.

 

Partneri

Ai ka qenë me ty gjatë gjithë kohës, por kjo tashmë nuk mjafton. Madje ndonjë mbrëmje ti e sheh me inat që ai fle dhe ti duhet t’i japësh gji fëmijës. Mendja jote e merr si padrejtësi që ata nuk duhet të vuajnë ndërsa ti kaq shumë. Do doje që dhe burrat të lindin, të jepnin gji, të kritikoheshin për qumështin e tyre, t’i dhimbnin gjinjt kaq shumë. Të vuanin deri sa fëmija ta kapte gjirin dhe të kapërdinin lotët nga dhimbja gjatë të thithurit. Por jo, ai rri shtrirë aty gjatë e gjerë dhe ti vazhdon bisedën me vete duke u përpjekur të mos zëri gjumi. Por nuk mbaron me kaq sepse partneri si baba i ri kërkon të ndihet edhe burrë, të ketë vëmendjen si më parë por nënat e reja e harrojnë çdo të thotë funksion fizik tashmë. Ato kthehen në robot me lëvizje mekanike për fëmijën e tyre. Gjatë shtatëzanisë nuk na kishin thënë që pas lindjes hormonet tona ndryshojnë dhe duhet pak kohë që të ndjejmë kënaqesi fizike. Por mentaliteti nuk flet për gjëra të tilla dhe ti frustrohesh edhe më tepër. Madje ka burra që largohen nga dhoma se nuk durojnë dot të qarën e fëmijës. Ka të tjerë që çojnë mamanë e tyre t’i bëjë shoqëri nuses sepse këto janë punë grash. Ka burra që ankohen dhe kanë pritshmëri të mëdha për gratë e tyre por shohin një njeri të lodhur me flokët e kapur keq, me fustan nate, me sytë e nxirë. Ata duan vëmendje ashtu si më parë. Por nëse këto do diheshin gjatë shtatëzanisë do ngjajnë më pak traumatike më vonë.

 

Vizitat e para

Duke llogaritur orët e pakta të gjumit, qëndrimi me fëmijën gjatë gjithë kohës, mendoni që dhe shtëpia do përkujdesjen e saj, rrobat që do futen në lavatriçe, që duhen nderur, hekurosur, gatimi, larja dhe fshirja. Pas të gjitha këtyre do presësh edhe njerëz. Ti ke shprehur disi që nuk do të shohësh njeri me sy sepse je e lodhur, por kështu e do zakoni. Do i buzëqeshësh, do i mbushësh gotat dhe do i japësh ëmbelsira të shtrenjta që të kuptohet që ti e vlerëson “sebepin”. Do i pyesësh për të gjithë me rradhë dhe mendjen e ke ende te fëmija. Për vizitë do shohësh kushërinj të afërt dhe të largët. Nga ata qe s’ja mban mend emrin dhe s’do i shohësh më kurrë në jetën tënde. Ty nuk të kishin thënë kur ishe shtatëzanë të gjitha këto, por tani e di çfarë stresi qenka.

 

Marrëdhënia me njerëzit e afërt

Gjatë ditëve të para njerëzit e afërt do të inkurajojnë që këto 40 ditët e para janë të vështira më pas gjithçka do stabilizohet. Por ata vazhdojnë jetën e tyre dhe ti rri dhe bën llogarinë që 40 ditë janë 960 orë në dispozicion të fëmijës dhe ky është vetëm fillimi. Të duket sikur të gjithë peshën e ke ti dhe kjo është e vërtetë. Por sikur mos të mjaftonte kjo, ti shpesh do dëgjosh këshilla si: Mos i ndej rrobat në mbrëmje. Mos i tako njerëzit pasi të largohen. Ha qepë dhe pilaf. Lyeje me pudër dhe jo krem. Jepi mjalt kur e zë lemza. Vëri pak sheqer të gjiri. Lidhe fëmijën që t’i rrinë këmbët e drejta. Jepi ujë se digjet nga etja që pi qumësht. Laje me një të verdhë veze në govatë etj. Ty nuk ti kishin thënë të gjitha këto kur ishe shtatëzanë. Tani të gjithë të japin mend dhe mund t’i japin edhe gabim.

Si përfundim, por jo e fundit…. Ti po kalon metamorfozë dhe të duhet pak kohë të përshtatesh. Të vjen të qash dhe bën mirë të qash. Nuk është turp të ndiesh frikë. Nuk je e para që të ndodh. Nëse ndjen që nuk je më e para është e vërtetë, por mos harro dashurinë për veten tënde. Nëse do t’i kishin thënë shumë gjëra më parë do kishe marrë masa dhe do kishe pyetur specialistë, mjek apo pediatër. Gjithsesi je në kohë. Meqë je ti që do përballosh kaq shumë gjëra këtë kohë do ja dalësh dhe të mënjanosh mentalitetin, të ruash qetësinë por dhe të komunikosh. Nuk ja dilet të luftosh egërsisht, sepse është e pamundur të ndryshosh mendje njerezish të lindura para lufte apo qoftë edhe fill pas saj. Bisedo me shoqet e tua, por sërisht vendos ti. Fol me partnerin tënd dhe ndani përgjegjësitë. Nënat pajisen me aftësi ndijimi dhe intuite dhe e dinë çfarë është më e mira. Mendoni që po kontribuojmë për një brez më të mirë.

Buzëqeshni dhe forca! Dija është forca!

Revista Familja, mars 2017