Aty do të jem  

53

 

Aty do të jem,

kur të të vishet zemra me dëshpërim.

Me ty dhe unë lotët do t’i derdh,

do zbrazim çdo gjë do gjejmë lehtësim.

Aty do të jem,

si grumbull drite vezulluar.

Për ty do të buzëqesh,

dhe buza jote do jetë harkuar.

Çdo gjë do e ndajmë bashkë,

trishtimin dhe buzëqeshjet,

Dashuria për ne është armë,

do të përballojmë gjitha rrebeshet.

Aty do të jem.

Për ty do të bëhem urë,

do kalojmë çdo mal vështirësie,

bashkë gjithmonë, të ndarë -kurrë !

Aty do të jem, gjithmonë do më gjesh.

Duart  fort do t’i shtrëngojmë,

bashkë jemi, kurrë mos hesht.

Botën ne do të ndryshojmë!

Aty do të jem, do të jemi bashkë,

në turmën e panumërt,

do të ecim me hapa gjigandë

edhe pse era fryn në të kundërt.

Do të ngrihemi ne,

bashkë me ajrin do jehojmë,

në çdo çast, për çdo gjë…

aty do të jem gjithmonë.

Valbona Brahaj

Revista Familja, shkurt 2016