Aty ku familja është në qendër të vëmendjes!

181

157930188f630a246a247adf8d0ab359

Revista “Familja”, organi mediatik i Shoqatës Kulturore “Gruaja”, mbush këtë vit plot 17 vjet.

Në vitin 2000, revista “Familja” ka nxjerrë numrin e saj të parë, si organ mediatik i përmuajshëm i Shoqatës Kulturore “Gruaja”.

Që në fillimet e saj ajo është ideuar dhe konceptuar si kontribues në sensibilizimin e opinionit publik rreth fenomeneve kulturore dhe sociale, në të njëjtën kohë ndryshimin e paragjykimeve që i drejtohen femrës muslimane.

Gjithashtu kjo revistë u ka dhënë mundësinë gjithësecilit të ngrejë zërin për çështje që nuk duhen kaluar në heshtje.

Revista “Familja” nisi misionin e saj pas një periudhe të gjatë zbrazëtie mediatike të Islamit, ku regjimi komunist pothuajse kishte shfarosur gjithçka. Kështu me botimin e saj të parë në vitin 2000, u çel një dritare e re për familjet shqiptare, veçanërisht ato të besimit islam.

Vlen të përmendet mbështetja dhe kontributi i jashtëzakonshëm i intelektualëve muslimanë për shkrimet e tyre me vlerë ndër vite dhe e shumë bashkëpunëtorëve e korrespondentëve nga vendi dhe bota, të cilët kanë dhënë kontribut, që revista “Familja” të vazhdojë udhën e nisur.

Për vite me radhë “Familja” ka dalë si revistë e shtypur, në fillim e përmuajshme, më pas e përdymuajshme dhe tashmë është çdo muaj pranë lexuesit në formatin online (www.issuu.com).

Duke parë që sasia e informacionit në ditët e sotme dhe nevoja e lexuesit për informacion sa vjen e shtohet, tashmë risi e kësaj reviste është formati online www.revista-familja.com, një projekt i cili e vazhdon punën e tij me gjithë seriozitetin e mundshëm dhe të nevojshëm.

Ky ëebsite do të rifreskohet çdo ditë me materiale të reja, ku çdo lexues do të ketë mundësinë të shfletojë online dhe të bëhet pjesë e shkrimeve të saj.

Si rrjedhojë e dinamikës dhe kërkesave të kohës, ky format vjen me një larmishmëri rubrikash, si: Editorial, Aktualitet, Brenda familjes, Shëndeti i familjes, Në fokus, Koment, Bardh e zi, Ta themi hapur, Opinion, Jetë njerëzish, Shkruaj edhe ti, Udhëtim, Ide për shtëpi, Kuriozitete, Perla dhe urtësi, Kulturë etj.

Kapitali i vetëm i revistës janë lexuesit e saj. Ndaj në këtë vit të 17-të të daljes së revistës “Familja”, falënderojmë të gjithë lexuesit në çdo cep të Shqipërisë dhe përtej kufijve, kudo në diasporë për mbështetjen dhe interesin e treguar.