Autizmi dhe të pathënat e tij

91

Në emër të cilit integrim dhe të drejte njerëzore fëmijët me autizëm futen në klasa me bashkëmoshatarë? Mbi çfarë standartesh vlerësimi dhe mbështetjeje profesionale prindërit e fëmijëve me autizëm kërkojnë integrimin e tyre? A keni të drejtë të dashur prindër të mos konsideroni fëmijën tipik që ka të drejtë edhe ai të mësojë në një klasë ku nuk shqetësohet nga britmat, nga sjelljet, nga reagimet e fëmijës me autizëm? Fëmijët me autizëm kanë të drejtë të trajtohen si fëmijë me autizëm dhe fëmijët tipikë si fëmijë tipik. Dy botë të ndryshme nuk bëhen dot bashkë sepse asnjëra nuk përfiton realisht. “Përfitojnë” prindërit që iluzionojnë për faktin se fëmijët e tyre janë si bashkëmoshatarët dhe përfitojnë bizneset e kopshteve dhe shkollave të Tiranës që pranojnë fëmijë me autizëm pa asnjë kriter profesional dhe pa kuptuar se cilat janë nevojat reale të tyre.

Integrimi i një fëmije me autizëm është një proces i cili kërkon një sistem, por jo vetëm kaq. Kërkon pranim të autizmit jo nga shoqëria as komuniteti, por nga vetë prindërit e fëmijëve me autizëm. Shpesh prindërit e fëmijëve tipikë vendosen përballë mungesës së dhembshurisë dhe primitivitetit ndjesor kur u duhet të reagojnë ndaj faktit që një fëmijë me autizëm në klasën e fëmijës së tyre shkakton mjaft probleme ne mbarëvajtjen e mësimit dhe kërkojnë zgjidhje në këto situata.

Personalisht i mbështes fort këta prindër të fëmijëve tipik që reagojnë dhe kjo për një arsye të vërtetë: autizmi është çrregullim global që prek të gjitha fushat, dhe cilido qoftë niveli i aftësive të fëmijës, ndërveprimi dhe perceptimi i jetës sociale mbeten të prekura në mënyrë të përhershme. Kjo është arsyeja për të cilën, sot, ka fëmijë me autizëm që ndjekin shkollat me fëmijët tipik, por shfaqin mjaft sjellje antisociale, paaftësi për të menaxhuar reagimet e tjetrit, pamundësi për të kuptuar dhe perceptuar që tjetri bezdiset dhe nuk ndihet mirë. Këtë aftësi natyrale që quhet empati fëmijët me autizëm nuk e kanë. Ndaj autizmi nuk është çrregullim gjuhësor as konjitiv, por është global, ku pamundësia dhe paaftësia empatike mbetet e përhershme.

Çdo përpjekje për të vendosur fëmijën me autizëm me bashkëmoshatarët, sepse prindi e dëshiron, sepse prindi nuk e pranon autizmin, sepse prindi iluzionon që fëmija i tij do t’i mësojë aftësitë sociale me të tjerët, sepse nuk ka vend ku ta vendosë fëmijën e tij, sepse kërkon një të drejtë që nuk e ka në emër të dhembshurisë njerëzore, sepse ka humbur kohën duke ëndërruar shërimin e autizmit nga njëra terapi në tjetrën, ka pasoja në komunitet dhe shëndetin mendor të fëmijëve tipike dhe prindërve të tyre. Ndaj, prindër të fëmijëve me autizëm, me të cilët kam 16 vjet që punoj, nuk mund të kërkoni të drejtat e fëmijëve tuaj tek fëmijët tipike, por tek vetvetja dhe sistemet që u duhen fëmijëve me autizëm dhe jo të mbushni mediat me suksesin e fëmijës apo të heshtni duke mos patur dot asnjë komunitet, duke mos pranuar dot as njëri-tjetrin.

Kur flitet për gjthëpërfshirje, ky është një proces i cili nëse bëhet, ka kritere mbi të cilat bazohet. Të vetmit fëmijë me autizëm që mund të jenë pjesë e një analize për gjithëpërfshirje janë ata që kanë një nivel verbal të caktuar, kanë marrë ndërhyrje të individualizuar intensive hershëm dhe prindërit e tyre janë impenjuar fort në ndërhyrje. Edhe në këto raste ndërhyrja dhe mbështetja në jetën sociale në kopsht duhet të jetë profesionale.

Fëmijët me autizëm që kanë një gjuhë të vonuar ose nuk kanë gjuhë, që kanë arritje të pakta në nivel të zhvillimit global, duhet të jenë të vendosur në klasa dhe shkolla të specializuara për ta. jo te mbushin klasat ne shkolla me bashkemoshatare duke u fshehur pas sistemit te mbeshtetesit ne klase.

Çdo përpjekje për të vendosur një fëmijë me autizëm me bashkëmoshatarët duke mos respektuar fëmijën me autizëm, është vetëm një përpjekje e dështuar që në fillimet e saj.

Revista Familja, prill 2016