Barazia gjinore në këndvështrimin islam

48

Nga av. Rigerta Bakiaj

Të flasësh për mashkullin dhe femrën, duhet të nisesh nga origjina e krijimit të tyre, në mënyrë që të shohim më konkretisht, barazinë dhe të drejtat.

  • Barazia në krijim

Kush i krijoi? Si u krijuan? U krijua në fillim femra apo mashkulli? Janë këto disa pyetje që lindin vetvetiu. Përgjigja e saktë e kwtyre pyetjeve ndodhet nw Kurani Famëlartë, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Rrum 21)

Mendoni për pak sekonda. Pse pyesni ju? Sepse ne jemi të pajisur me mendje, me tru për të logjikuar, për të menduar dhe për të arritur në disa konkluzione. Mendoni se femra është krijuar nga një pjesë e trupit të bashkëshortit të saj? Me të vërtetë e jashtëzakonshme. Një mrekulli që vetëm Zoti ynë ka fuqi ta bëjë. “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!”- dhe ajo bëhet.” (Jasin 82)

Shihet qartë që mashkulli është krijuar para femrës. Pra, Allahu i Lartësuar në fillim ka krijuar mashkullin dhe prej trupit të tij krijoi femrën (bashkëshorten e tij). Këtu lind pyetja: “A sjell ky fakt mosbarazi në krijimin e tyre?” Absolutisht që jo, pasi kështu ka vendosur Allahu i Madhërishëm. Sepse barazia midis femrës dhe mashkullit shihet në të drejta dhe detyrime që ka secili në jetën e tij.

Pavarwsisht faktit që femra është krijuar nga pjesa e trupit të bashkëshortit, Allahu i Madhërishëm e ka krijuar atë si një qenie të veçantw humane, e cila ka karakteristika, veçori, të drejta dhe detyrime personale. Pra, përgjegjësi të veçantë nga përgjegjësia që ka bashkëshorti.

  • Barazi në autoritet, përgjegjësi dhe shpenzime

Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: “Burrat kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (Nisa 34).

Në këtë ajet del në pah përgjegjësia dhe detyrimi i meshkujve për mbajtjen e tyre, për shpenzimet që ata duhet të kryejnë për gratë e tyre. Ky lloj detyrimi është përgjegjësi e babait për vajzën e tij, përgjegjësi e vëllait për motrën e tij, përgjegjësi e burrit për gruan e tij. Pra, shihet qartë privilegji që ka femra në fenë e pastër dhe të bukur islame. Një ndjenjë respekti, vlerësimi dhe mbrojtje si nga ana materiale ashtu edhe nga ana fizike.

Si një perlë brenda guaskës ështw femra në Islam. Kjo mbrojtje dhe privilegj që Allahu i Madhërishëm i ka dhënë femrës, e ka lehtësuar atë nga shumë detyrime apo obligime si për të punuar, për të ushqyer fëmijët apo për të mbajtur familjen. Kjo nuk do të thotë se femra nuk duhet të punojë, por është e drejta e saj nëse dëshiron të punojë apo jo. Ndërsa detyrim e ka mashkulli i cili duhet patjetër të punojë për të mbajtur familjen e tij.

Kjo është barazia në gjini. Sepse femra nuk ka forcën fizike dhe strukturën trupore për të punuar punë që mund t’i përballojnë vetëm meshkujt. Gjinia femërore mund të punojë nëse ajo dëshiron dhe nuk është e detyruar që të punojë.

Nësë flasim për barazi në gjini kjo është barazi absolute. Pasi secila gjini merr përgjegjësi për çfarë i takon të ketë sipas rolit vet. Kështu, gruas i përcaktohen detyra si grua dhe burrit i përcaktohen detyra dhe përgjegjësi si burrë. Kjo është barazia gjinore.

Nuk kemi barazi gjinore kur një burrë merr përgjegjësinë që i takon femrës dhe një femër merr përgjegjësinë që i takon burrit. Ashtu siç rëndom ndodh në ditët e sotme ku femrat me dëshirë por ndonjëherë edhe të detyruara nga rrethanat ekonomike apo dhe arsye të tjera, detyrohen të punojnë.

  • Barazi në falje dhe shpërblim

Barazi gjinore të plotë në falje dhe shpërblime nga Allahu i Madhërishëm për femra dhe meshkuj në mënyrë të barabartë pavarsisht gjinisë së tyre. Kështu, Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: “Vërtet, për myslimanët dhe myslimanet (që u nënshtrohen urdhrave të Allahut), për besimtarët dhe besimtaret, për burrat dhe gratë që janë të bindur (ndaj Allahut), për burrat dhe gratë që janë të sinqertë (në fjalët dhe veprat e tyre) për burrat dhe gratë që janë të duruar (ndaj sprovave dhe vështirësive), për burrat dhe gratë që janë të përulur (para Allahut), për mirëbërësit dhe mirëbërëset, për agjëruesit dhe agjërueset, për burrat dhe gratë që e ruajnë nderin, për burrat dhe gratë që e kujtojnë Allahun vazhdimisht, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab 35).

Nuk ka rëndësi nwse je femër apo mashkull sepse pwrpara Zotit jemi të gjithë të barabartë, jemi të gjithë njësoj. Secili prej nesh do të mbajë përgjegjësi për veprat e tij, të mira qofshin këto apo të këqija. Allahu nuk i bën askujt padrejtësi. Ai i Lartësuari – Zoti i Botëve është i drejtë me robërit e vet duke i trajtuar në mënyrë të barabartë femrën dhe mashkullin si individ të veçantë.

  • Barazi në ndëshkim
    barazia-gjinore

Allahu i Madhërishëm thotë: “Ky është ndëshkimi i veprave të duarve tuaja, se Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të vet.” (Ali Imran, 182).

Çdo njeri, femër apo mashkull nëse vepron diçka të keqe, do të ndëshkohet për të keqen që ka bërë, vetëm nëse Allahu i Lartësuar dëshiron që ta falë dhe ta mëshirojë.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Kjo është për shkak të asaj që keni bërë me duart tuaja, sepse Allahu nuk është i padrejtë me robërit e Vet!” (Enfal, 51).

Pra, Zoti ynë Bujar jo vetëm që nuk na ndëshkon më shumë sesa e meritojmë për veprat tona të këqija por me mëshirën e vet nëse dëshiron, na fal. Kjo është barazi gjinore, kur ti si femër ndëshkohesh për atë të keqe që ke bëre dhe e njëjta gjë edhe me mashkullin, i cili do të ndëshkohet për atë të keqe që ka bërë, as më pak as më shumë.

Po përsëri në ajetin 10 të sures Haxh, Allahu i Madhërishëm thotë: “(duke iu thënë): “Ky dënim është për shkak të veprave tuaja, se Allahu nuk është i padrejtë ndaj robërve të Tij.”

  • Barazi në dobi dhe dëme që fiton çdo mashkull dhe femër në bazë të veprave të tij

Gjithashtu, në ajetin 46 në suren Fusilet: “Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dwm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.”

Zoti i Plotëfuqishëm nuk e ndryshon fjalën e Tij, e mban fjalën e dhënë, e çon në fund amanetin dhe sillet me drejtësi me robërit e Tij. Këtë e shohin në suren Kaf, ajeti 29: “Fjala ime nuk ndryshohet dhe Unë nuk jam i padrejtë me robërit e Mi.”

Me të vërtetë Allahu i Lartësuar është më Bujari, më i Mëshirshmi dhe Furnizuesi i gjithë të mirave që ne kemi. Çdo të mirë, prite nga Zoti yt. Vetëm të mira mund të na sjellë Zoti ynë. Ndaj e keqja që mund të na ndodh është thjesht si pasojë e veprave tona të këqija. Të mirën prite vetëm nga Zoti, ndërsa e keqja vjen nga vetvetja jonë. Lexoni se ç`thotë Allahu i Madhërishëm në suren Junus, ajeti 44: “Në të vërtetë, Allahu nuk u bën njerëzve asnjë të keqe, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes.”

Rev. Familja, shkurt 2015