Bashkëpunimi me mësuesit dhe vëmendja ndaj fëmijës sjellin sukses në shkollë

74

Nga Majlinda Qosja

Bashkëpunimi mësues – prindër

Që një fëmijë të ketë sukses në shkollë, është e rëndësishme të mbani mend se takimet prind-mësues mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe suksesin akademik të fëmijës suaj. Për fat të keq, kjo marrëdhënie shpesh neglizhohet, injorohet ose nënvlerësohet nga disa prindër.

E vërteta është që mësuesit dhe prindërit shpesh shohin aspekte të ndryshme të personalitetit të një nxënësi. Vetëm duke mbajtur një dialog të hapur dhe duke krahasuar shënimet mbi arritjet ose sjelljet e nxënësve, këto perspektiva mund të jenë të dobishme për të dyja palët. Marrëdhëniet mësues- prindër  duhet të jenë të hapura dhe të shërbejnë  për të  realizuar një bashkëpunim konstruktiv. Në këtë mes shumë i  rëndësishëm është respekti dhe ndihma e ndërsjelltë.  Mësimdhënësit tanë në shkolla zhvillojnë një mësim, i cili është i lidhur me aktualitetin dhe i drejtuar nga suksesi. Një rëndësi e veçantë në shkolla i kushtohet kreativitetit dhe organizimit të aktiviteteve të lira. Në shkolla bëhet integrimi i të gjithë fëmijëve, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, statusin, religjionin, aftësitë e tyre individuale dhe gjendjen e tyre gjuhësore.

Kur prindërit përfitojnë nga takimet prindër-mësues dhe mundësitë e tjera për të folur me mësuesit, shpesh u lejon prindërve të mësojnë për çdo sfidë akademike ose ndryshim që fëmija i tyre mund të ketë.

Në të njëjtën mënyrë, prindërit mund t’i bëjnë të ditur mësuesve ndonjë rrethanë të veçantë në shtëpi, që mund të ketë ndonjë ndikim në punën ose sjelljen e fëmijës së tyre në shkollë.

Le ta shohim në këtë këndvështrim; fëmijët sot përballen me shumë presion në shkollë. Kur prindërit dhe mësuesit punojnë së bashku, ata mund t’i ofrojnë mjedis më të mirë për të mësuar, dhe në këtë mënyrë fëmija përfiton nga ky bashkëpunim.

Për një ecuri të mirë të këtij procesi duhet që mësuesi dhe prindërit të kenë lidhje thellësisht objektive dhe organike, lidhje e cila rrit cilësinë e të mësuarit tek nxënësit. Kur prindërit janë aktiv në problemet e shkollës, ata janë të hapur në kërkesat, vërejtjet, pakënaqësitë që mund të kenë ndaj mësimdhënies. Sqarimi i prindërve për probleme të ndryshme që i shqetëson ato, kërkon kohë, durim dhe njohuri të mira për bashkëpunim. Prindërit duhet të shohin sinqeritet nga drejtuesit dhe stafi i mësuesve, si dhe siguri e qetësi brenda dhe rreth shkollës për të kuptuar rëndësinë e misionit të kësaj të fundit. Sigurisht që për mësuesin puna me prindër nuk është e thjeshtë. Ai duhet të respektojë rolin e prindit, të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në shkollë. Qëllimi i parë dhe i vetmi i prindërve dhe mësuesve nuk është vetëm të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve, por t’i bëjnë ata të aftë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Lidhja prind- shkollë

Lidhja e fëmijës me prindin e forcon mirëqenien e tij. Të gjithë prindërit duhet ta shohin veten në rolin e mësuesit që mbikëqyr dhe nxit të nxënit e fëmijës. Lexoni libra e pastaj i bashkëbisedoni ata me fëmijët tuaj, mësoni vjersha së bashku me to, lexoni tregime dhe përralla, u tregoni për farefisin, për vendlindjen dhe për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën. Në këtë mënyrë ata mësohen që të dëgjojnë dhe kuptojnë me vëmendje. Bisedoni për ndodhitë e ditës, hobet e tyre dhe për shokët e fëmijës. Dërgojeni fëmijën që të vizitojë vende të ndryshme: në muze, qytet, fshat, kopsht zoologjik, bibliotekë etj. Ai që nuk e ndjek fëmijën në shtëpi, e njeh më pak atë, nuk di si dhe sa punon, ç’vështirësi ka, humb rastin e rëndësishëm për t’u lidhur me fëmijën e tij, e ka të vështirë të ballafaqohet me mësuesin, për ta bindur atë për mendimin e gabuar që ka për fëmijën e tij.

Kids-in-Classroom-900

 5 këshillat e mia prindërore

  1. Tregohuni vigjilent

Ndonjëherë vërejmë se diçka nuk shkon mirë me fëmijën tonë, por jemi të hutuar apo të angazhuar shumë sa ta kuptojmë. Të gjithë jemi shumë të zënë, është e vërtetë. Kemi presione të mëdha dhe përgjegjësi që na tërheqin në shumë drejtime. Fëmija që duket pak ‘i fjetur’, jo aktiv, i ngathët ose më i qetë se zakonisht, është duke u përpjekur të na tregojë diçka. Por është e lehtë të neglizhoni këto sinjale që fëmija po ju dërgon dhe të mos e kuptoni se diçka po i ndodh. Dhe për më tepër, mos të na vijë keq dhe të qortojmë veten se si nuk e kuptuam, sepse shenjat ishin aty, por ne ishim tepër të zënë për t’i kushtuar vëmendje.

Mos lejoni që fëmija juaj të rritet në një mjedis agresiv dhe të ndiehet i pasigurtë. Hapni sytë dhe kuptoni nëse fëmija juaj duket i trishtuar, i tërhequr, i largët, më i mërzitshëm se zakonisht, apo i zemëruar. Mund të jetë vonë para se ta kuptoni, sepse gjysma e vitit shkollor mund të kalojë dhe çfarë mund të ketë qenë një problem i vogël është bërë tashmë një ‘situatë’ e përkeqësuar, e cila kërkon kohë dhe investime të mëdha.

  1. Zhvilloni një marrëdhënie bashkëpunuese me mësuesit

Shkoni tek mësuesit e fëmijës para se fëmija juaj të ketë një problem serioz. Shumë prindër ndihen sikur mësuesit janë kundërshtarët e tyre dhe nuk e kuptojnë se së bashku mund të bashkëpunojnë, për t’u përpjekur dhe për t’i ndihmuar fëmijët të rriten në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse mendoni se mund të ketë një problem, është mirë të vendosni një takim me mësuesin dhe të pyesni se si mund të punoni në harmoni. Shumë prindër ia vënë fajin mësuesit dhe e akuzojnë atë duke u kapur me detaje të kota, në vend që të thonë se si do të dëshironin ta zgjidhnin këtë problem së bashku. Para se të shkoni te drejtori me një ankesë, shikoni nëse mund ta rregulloni situatën me vetë mësuesin.

Nëse ka ndonjë shqetësim të veçantë që ndodh në shtëpinë tuaj, mos prisni që mësuesi ta mësojë nëpërmjet sjelljes dhe rezultateve të dobëta së fëmijës suaj në klasë, por bisedoni me mësuesit.

Kur në një familje, në qoftë se ka një çështje shëndetësore, stres financiar, trazira martesore, probleme me vëllezërit e motrat, ose ndonjë faktor tjetër që mund të ndikojë në suksesin akademik ose social të fëmijës suaj, do të ishte e mençur të përfshini mësuesin e fëmijës suaj si aleatin tuaj konfidencial dhe të fitoni kuptueshmërinë e tij/saj. Ju duhet të keni besim, se mësuesi do të bëjë të pamundurën për ta ndihmuar dhe vëzhguar fëmijën tuaj më me kujdes. Më besoni, ky është misioni dhe detyra e tyre parësore.

  1. Zhvilloni aftësitë sociale të fëmijës suaj

Ndihmojeni fëmijën tuaj të jetë i suksesshëm gjatë vitit shkollor, duke e përgatitur atë jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në atë social. Shkolla nuk ka të bëjë thjesht me marrjen e drejtpërdrejtë të dijes, por edhe për të mësuar nxënësit se si të bashkëpunojnë me të tjerët dhe të dinë se si të zhvillojnë miqësi. Një fëmijë që është i lumtur në shkollë, mund të përqëndrohet në studim dhe madje të jetë i sukseshëm. Ai që beson se shkolla ka të bëjë vetëm me mësimet dhe nuk ka jetë shoqërore, fatkeqësisht bën një gabim të madh.

Si mund t’u mësojmë më mirë fëmijëve tanë aftësitë sociale

  • Vendosni rregulla dhe vini kufizime kur është e nevojshme
  • Vendosni rutinën për ushqim dhe kohën për fjetje, gjëra të cilat krijojnë stabilitet
  • Zhvilloni aftësinë e fëmijës suaj për të bashkëpunuar me të tjerët dhe për të rritur më shumë ndjeshmërinë
  • Ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë se si të shprehë zhgënjimin, inatin dhe zemërimin pa i lënduar të tjerët ose pa u tërhequr në vetvete
  • Vendosni rregullat bazë të sjelljes: mirësjellje, buzëqeshje, higjenë.
  1. Ndihmoni fëmijët të bëhen të pavarur!

Kur fëmijët ndihen sikur po fitojnë aftësi dhe bëhen të aftë mjaftueshëm, ata kanë më shumë besim në aftësitë e tyre. Ju do të shihni vetëvlerësimin e tyre të rritet dhe gjithashtu edhe motivimin për të nxënë. Çdo vit fëmija duhet të jetë në gjendje të tregojë me krenari për një aftësi të re ose përgjegjësi shtesë që vjen me moshën.

Është shumë më e shëndetshme t’i tregosh një fëmije se do ta kontrollosh punën e tij, sesa të ulesh pranë tij dhe të korrigjosh përgjigjet kur nuk i ka bërë mirë.

Skedat e librave dhe projektet shkencore nuk duhet t’i bëjë prindi. Fëmija juaj duhet të ndihmojë në punët e shtëpisë dhe të fitojë përgjegjësi, në vend që të presë që t’i shërbejnë. Disa aftësi që fëmijët mund të ndihmojnë janë palosja e rrobave, vendosja dhe pastrimi i tryezës, ndihmesa për t’i shërbyer mysafirëve, mbajtja e dhomës së tyre në rregull.

  1. Komunikoni çdo gjë me fëmijët tuaj

Fëmijët tanë nuk duhet të kenë frikë të flasin me ne. Pa marrë parasysh se sa e vështirë është tema, edhe nëse kanë bërë shumë gabime, nuk duhet të kenë frikë se ne do t’i urrejmë ata ose do të zhgënjehemi prejt tyre. Dashuria jonë duhet të jetë e pakushtëzuar. Vërtet, mund të ketë pasoja ose emocione zhgënjimi, por ata duhet ta dinë se jemi aty për ta. Në fund të fundit, ne jemi prindërit e tyre dhe nëse nuk mund të besojnë në dashurinë tonë, cilës dashuri mund t’i besojnë ata?

Punoni më shumë me komunikimin me fëmijën tuaj këtë vit. Nuk e kam fjalën për ato raste kur keni shkuar në takimet me prindër në shkollë apo kur mësuesja ju ka telefonuar, por këtë komunikim duhet ta mbani çdo ditë. Bëhet fjalë për ndërveprimet e përditshme ku ndani një buzëqeshje, një fjalë të mirë, një histori ose një vakt ngrënieje së bashku. Gjëja kryesore është që ju të gjeni kohën dhe energjinë, në mënyrë që ai ta dijë se ka rëndësi në jetën tuaj.

  • Bisedoni me fëmijën tuaj çdo ditë, edhe nëse bëhet fjalë për disa minuta
  • Lini celularët tuaj, fikni laptopin kur fëmija juaj kthehet në shtëpi, gjatë ngrënies ose kur e merrni fëmijën nga shkolla. Shikoni në sy fëmijën kur bisedoni me të.
  • Bisedoni me fëmijën tuaj me tonin dhe me fjalët që dëshironi që ai të përdorë me të tjerët.
  • Shprehni dashurinë tuaj çdo ditë, pa marrë parasysh sa e vështirë është dita për ju. E di se disa ditë do të sjellin vështirësi të paparashikuara dhe se disa fëmijë duken më sfidues se të tjerët. Por të paktën ne do të dimë dhe mund të jemi të qetë në zemrat tona, se ne jemi munduar të ndihmojmë fëmijët tanë të lundrojnë në rrugën e jetës me sukses.

Çdo ndryshim në jetë mund të sjellë nervozizëm dhe shqetësim. Fëmijët shpesh kanë vështirësi të përshtaten me situatat e reja, mësuesit e panjohur dhe orarin e ngurtë gjatë vitit shkollor. Kur ndihemi të tronditur, fëmijët tanë mund të shprehin emocionet e tyre duke hyrë në debate të kota, duke u grindur më shpesh me vëllezërit e motrat, ose duke u tërhequr në vetvete. Prindërit mund ta kenë të vështirë të mbajnë qetësinë dhe të mos humbasin veten nga zemërimi kur gjërat nuk shkojnë mirë. Ndaj që t’ia dalim mbanë duhet të krijojmë një plan e të largohemi nga dështimet. Në këtë mënyrë do t’i ndihmojmë fëmijët tanë të ndihen dhe të jenë më të suksesshëm.

Mars 2018