Bisedë me politikanen greke Anna Stamou

106

Nga Nada Dosti

Anna Stamou, njihet ndryshe si muslimania e parë që kandidoi në zgjedhjet e BE-së si përfaqësuese e Greqisë.
Ajo ka mbaruar Menaxhim Biznesi dhe drejton së bashku me bashkëshortin e saj shoqatën “Muslim Association”, si dhe një parti politike në Greqi. Anna ka lindur në një familje ortodokse, dhe më pas ka zgjedhur t’i rikthehet Islamit.
Gjatë bisedës sonë na tregon për sfidat e femrave muslimane në Greqi ku vështirësia më e madhe qëndron në faktin e pamundësisë për të gjetur punë për shkak të mbulesës. Ndërsa përsa i përket komunitetit tonë musliman në përgjithësi, por veçanërisht grave muslimane, tregon se vështirësitë që ne hasim në integrimin tonë në shoqëri apo në arritjen e rezultateve konkrete dhe suksesit është pikërisht mungesa e bashkëpunimit mes nesh dhe mungesa e përkrahjes ndaj njëra- tjetrës.
Ndërsa biseda jonë vijon…

Çfarë ju shtyu apo ju frymëzoi të merreni me politikë?
“Ajo që më nxiti të përfshihem në jetën politike ishte dëshira ime për të bërë diçka për muslimanët në Greqi, që ata të kenë të drejta të përbashkëta më bashkëqytetarët e tjerë. Jam e vendosur që të përmirësoj gjendjen e muslimanëve për t’u njohur dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qeverisë ndaj të drejtave të tyre” shprehet ajo.
“Kauza që kam për zemër është çështja e xhamisë së Athinës. Edhe pse Athina është një nga djepet e qytetërimi më të lashtë në botë, ende në të nuk gjendet një xhami, vendadhurimi për një ndër fetë më të praktikuara në botë.
Muslimanët përbëjnë gati 1.3 % të popullsisë në Greqi. Ndërkohë, Athina është ndër kryeqytetet e vetme europiane ende pa një xhami dhe kjo është në krye të përparësive tona” thotë ajo.

Xhamia e vetme në kryeqytetin grek duhej të kishte mbaruar, mirëpo punimet vazhdojnë të shtyhen herë pas here.
Kur e pyesim se ç’u bë me xhaminë e famshme për të cilën flitet prej dekadash, ajo tregon me gisht drejt tim biri katërvjeçar, duke thënë: “Punimet kanë nisur para se ai të lindte dhe kur fëmijët e tij të bëhen sa është ky aktualisht ndoshta- e përsëris prap- ndoshta edhe mund të shpresojmë se atëherë do të inagurohet më në fund xhamia e vetme e Athinës.”


“Qeveria vazhdon të nxjerrë arsye pas arsyesh për të justifikuar mos inagurimin të shumëpritur në prill të vitit 2017. Me të përfunduar kjo xhami do të shënojë dhe ngritjen e minares së parë në Greqi që pas largimit të osmanëve të fundit, në vitit 1833.”
Anna Stamou, e cila është një politikane dhe aktiviste për të drejtat e muslimanëve, shprehet se me ndërtimin e xhamisë më në fund do t’i rikthehet dinjiteti i muslimanëve në këtë vend. “Kur bëhet fjalë për të praktikuar fenë tënde; nëse je musliman të duhet të falesh nëpër garazhe e bodrume e nëse je i krishter, mund të shkosh të falesh në një kishë të bukur”shprehet ajo.

Anna, çfarë lidhje ke me muslimanët shqiptarë dhe çfarë mendimi ke për to?

“Përsa i përket muslimanëve shqiptarë në Greqi, janë një komunitet i vogël dhe i dobët edhe pse përbëjnë komunitetin më të madh të muslimanëve krahasuar me komunitet e tjera të ardhur nga Azia apo nga rajoni i MENA-së. Shqiptarët erdhën në Greqi pas hapjes së kufijve në vitit 1992. Gjatë asaj periudhe nuk kishin ndërtuar ndonjë identitet fetar dhe konsideroheshin si ateist për shkak se vinin nga një regjim komunist. Muslimanët e ardhur nga Shqipëria për aryse kurbeti nuk e ruajnë fort identitetin e tyre prej shqiptarësh dhe prej muslimanësh. Nga ana tjetër grekët janë të tmerrshëm kur bëhet fjalë për identitet fetar, edhe nëse në disa raste nuk janë praktikues të fesë ortodokse. Kështu ndjen nevojën për t’i pagëzuar shqiptarët duke i kthyer ata, sipas tyre, drejt “rrugës së drejtë”. Ka pasur pagëzime dhe konvertime me masë drejt fesë dhe mënyrës së jetës greke. Shumica e tyre, siç e dimë tashmë, në përpjekje për t’u integruar janë asimiluar me vendasit, disa duke ndërruar emrat, disa duke u pagëzuar e të tjerë thjesht duke fshehur identitetin e tyre prej muslimanësh. Meqenëse ishin rritur në komunizëm dhe nuk kishin shumë informacion rreth fesë islame, ata filluan ta mësojnë atë nga arabët e Greqisë. Filluan të vinin në xhamitë tona (nënkupto dhoma faljesh e faltore të sajuara) por jo haptazi. Edhe pse janë më qindra mijëra muslimanë shqiptarë, ata ende nuk arritur të krijojnë një komunitet të vërtetë. Ndoshta sepse ata që vërtetë praktikojnë janë shumë të rrallë dhe e fshehin si fakt dhe frekuentojnë më shumë faltoret e arabëve. Ndërsa vetë liderët partiak apo përfaqësuesit e shqiptarëve në politik e fshehin identitetin e tyre fetar, sepse duan të tregohen më grekë se grekët, për të mos thënë: “më katolik se papa.”


Shumica e shqiptarëve nga Shqipëria konsumojnë mish derri dhe alkool përkundër shqiptarëve të tjerë të trevave që edhe nëse nuk e praktikojnë Islamin e lidhin konsumin e tyre me identitetin e tyre fetar, pra: ‘Unë nuk ha mish derri dhe nuk pi alkool sepse jam musliman/e’.
Megjithatë marrëdhënia jonë është e mirë dhe mundohemi të përkrahim sidomos në fushën e arsimit dhe përpiqemi të përforcojmë ndërgjegjësimin ndaj identitetit të tyre islam, por me sa duket kemi një rrugë të gjatë përpara në këtë aspekt. Është për të ardhur keq kur takoj muslimane shqiptare, të cilat prej islamit mund të mos kenë ruajtur asgjë, përveç emrit të tyre apo në më të mirin e rasteve edhe festimin e Bajrameve. Studentët nëpër auditore të ndryshme, jo vetëm që e fshehin përkatësinë e tyre fetare, por në disa raste ndihen të detyruar nga kushtet dhe rrethanat, mbi të gjitha prej presionit nga forcat fashiste, komuniste dhe nacionaliste, ta mohojnë atë, përkundër emigrantëve të tjerë që vijnë nga vende muslimane.
Nga ana tjetër, shqiptarët njihen si përparimtarë dhe punëtorë ndaj dhe kam besim se shumë shpejt kanë për t’i përfaqësuar vlerat e tyre dhe do të rikthehen në gjurmët e prindërve të tyre para komunizmit kur Islami praktikohej nga shumica.
Bota islame në përgjithësi është përfshirë nga një valë propagande dhe ndikimi të frymës ateiste e cila po prek mbi të gjitha të rinjtë. Mjafton të shikojmë statistikat që tregojnë për përkatësinë dhe bindjet e tyre fetare, kjo për arsye të politikave të ndryshme anti-islame dhe anti-fetare në përgjithësi, për arsye të rritjes së islamofobisë, prej frikës për mos të rënë në radikalizëm etj. Kjo është arsyeja përse unë dhe partia ime jemi fokusuar më së shumti tek të rinjtë.”

Dhe me të vërtetë, për gjatë gjithë mbrëmjeve të kampit ku patëm mundësi të takohemi me Annën, pranë saj mund të shihje një numër të madh të rinjsh, përkatësisht nxënës gjimnazi dhe studentë, të cilët e ndiqnin me vëmendje dhe plot entuziazëm.

Më pas, ajo vazhdon dhe na tregon për lidhjen e saj me muslimanët e Shqipërisë, trevave dhe diasporës:
“Përsa i përket muslimanëve në Republikën e Shqipërisë, trevave shqiptare dhe diasporë, i shoh goxha të vendosur dhe të përkushtuar. Identiteti i tyre fetar mbizotëron ndaj të gjithave, janë krenarë që janë muslimanë dhe kanë një komunitet me të konsoliduar. Vërtet që sfidat janë të ndryshme dhe çdo musliman në cilindo cep të botës po përballet me sfidat e veta, e megjithatë i shoh si musliman shembull për muslimanët e tjerë emigrant në Greqi dhe Itali, madje do thoja ndër muslimanët më të mirë të Ballkanit.”

Revista “Familja”, Maj 2018