Bulizmi sjell pasoja të rënda

354

Anxhela Peza, psikologe

Nga ana mediatike vërehet se po flitet shpesh për dhunën fizike dhe psikologjike që ushtrojnë nxënësit me njëri–tjetrin. Shumë fëmijë shkojnë duke qarë në shtëpi, duke u ankuar për pakënaqësinë nga shkolla, nga talljet e bashkëmoshatarëve të tjerë, apo të klasave më të rritura. Ky fenomen tashmë shumë i përhapur mbart emrin bulizëm, siç njihet në Perëndim, ka të bëjë me diskriminimin dhe paragjykimin që has nxënësi në shkollë. Dikush mund të vë në lojë shokun/shoqen e klasës për mënyrën e të veshurit, për ngjyrën e lëkurës, për fenë, apo sendet materiale, një mossukses të tij në nivelin mësimor apo të performancës fizike, për një foto famëkeqe, e shumë të tjera, ku vihen në lojë në mënyrë frekuente.

Problematika e këtij fenomeni vjen në rradhë të parë me vetëvlerësimin e fëmijës e më pas me shenjat e tjera:

  • ndjesitë e inferioritetit
  • vetëvlerësimi i ulët
  • shmangie sociale
  • mosbashkëveprim me të tjerët
  • nuk shprehet më për ndjenjat dhe mendimet, e brendshme të tij
  • humb interesin për detyrat që i caktohen nga mësuesi.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik rreth 25% e nxënësve të Tiranës, nëpërkëmben nga bashkëmoshatarët e tyre. Kemi të bëjmë për dhunë psikologjike, e cila përfshin sharjet, ofendimet, talljet, përbuzjen dhe përjashtim nga shoqëria. Akoma më e rëndë është dhe dhuna fizike që ushtrohet mbi këta nxënës.

Shenjat që prindërit mund të evidentojnë fenomenin janë:  

  • Fëmija juaj mund të bie në depresion, duke ndryshuar rutinën e ditës
  • Nuk dëshiron të shkojë në shkollë
  • Nxjerr në pah arsye shëndetësore, si dhimbja e barkut, dhimbja e kokës
  • Bëhen gati me vonesë për në shkollë etj.

Presioni që ai përjeton në klasë është kaq i fortë dhe i madh saqë dhe vetë ai fillon t’i besojë të gjitha ofendimet që i drejtohen atij, e si pasojë nuk i pëlqen më vetja. Mund të shfaqë shenja agresiviteti, mërzitje dhe stresi të akumuluar. Në  këtë pjesë prindërit i duhet të bashkëpunojë me mësuesin kujdestar dhe psikologun e shkollës, për të ndihmuar fëmijën e tyre dhe zbuluar arsyen e këtyre simptomave. Mbështetja prindërore dhe ajo familjare janë ilaçi më i mirë për çdo fëmijë.

Duhet bërë e qartë se ky fenomen shpie jo vetëm në probleme më vetveten, por edhe në pasoja më të rënda si anoreksia, bulimia, çrregullime të ndryshme, apo dhe e fundit tentative për vetëvrasje. Ministria e Arsimit ka rregullore për masa ndërshkuese dhe disiplinore për ata që ushtrojnë bulizmin. Ndërsa vetë shkolla përveç rregullores së brendshme duhet të ngrejë një sistem të tillë ku vetë mësuesit, psikologu i shkollës me punonjësin social dhe një pjesë të nxënësve të ngrejnë një grup disiplinor për çështjen e bulizmit. Ëshë tejet e nevojshme mbështetja e nxënësve të diskriminuar, si dhe të shprehin që me herën e parë ku hasin një tallje kundrejt tyre.

Shkurt 2017