ÇFARË DUHET TË BËJNË PRINDËRIT PËR TË ULUR RIVALITETIN MES FËMIJËVE?

86

Zakonisht prindërit presin më shumë nga fëmijët e parë, se nga fëmijët e tjerë. Ata i shtyjnë fëmijët e parë të jenë më të përgjegjshëm dhe të punojnë shumë me veten e tyre. Në qoftë se fëmija rritet me vëllezër dhe me motra, kupton se “pushteti” është i shpërndarë mes tyre në mënyra të ndryshme. Është vënë re se më të mëdhenjtë përpiqen të sundojnë më të vegjlit dhe të “ulin” arritjet e tyre. Sundimi i fëmijës së madh mbi të vegjëlit mund të ndihet në disa raste edhe në marrëdhëniet e tij me njerëzit jashtë familjes, gjë që nuk është shumë e pëlqyeshme në shoqëri.

Si mund të punojmë për të ulur rivalitetin mes fëmijëve?

  • Duke mos bërë krahasime mes një fëmije dhe tjetrit.
  • Duke mos thënë para tyre se njërin prej tyre e kemi “pikë të dobët”.
  • Kaloni kohë me çdo fëmijë, veç e veç.
  • Veproni me shpejtësi, kur duket që nervozizmi mes fëmijëve po rritet shumë.
  • Shmangni zënkat, të bërtiturat apo keqkuptimet por në disa raste i lini fëmijët që të mësojnë t’i zgjidhin vetë ato. Nëse është e nevojshme ndërhyrja për zgjidhjen e zënkave, atëherë qortojini të dy fëmijët, pra jo vetëm njërin, pasi duhen dy veta për t’u zënë.
  • Mos pyesni kurrë “kush e nisi?”. Të dy janë të përgjegjshëm për shpërthimin dhe zhvillimin e zenkës.
  • Mos prisni që fëmija më i madh të veprojë në mënyrë më të pjekur gjatë grindjes. Mos e qortoni fëmijën më të madh duke i thënë të sillet si i rritur.
  • I mbroni fëmijët nga çdo formë e abuzimit fizik dhe psikologjik ndaj njëri-tjetrit.