Çfarë është sëmundja e Parkinsonit?

173

Sëmundja e Parkinsonit u përshkrua për herë të parë në vitin 1817 nga Dr. Xhejms Parkinson, një mjek britanik.

Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje kronike, progresive, degjenerative e trurit. Ndodh kur disa qeliza nervore të një pjese të trurit që quhet Substantia Nigra, dëmtohen, ose vdesin. Normalisht, këto neurone prodhojnë një produkt kimik të njohur si dopamine. Dopamina ndihmon në kordinimin dhe lëvizjen e muskujve të trupit. Kur rreth 80% e qelizave që prodhojnë dopamine dëmtohen ose vdesin, shfaqen simptomat e sëmundjes.

Cilat janë shenjat dhe simptomat që na lejojnë të njohim këtë sëmundje?

Humbja e prodhimit të dopaminës në tru shkakton simptomat e hershme të sëmundjes së Parkinsonit. Simptomat kryesore janë:

  • Tremori i qetësisë (dridhja në qetësi)
  • Rigiditeti (ngurtësimi, rritja e rezistencës ndaj lëvizjeve pasive)
  • Bradikinezia (ngadalësimi i lëvizjeve)
  • Instabiliteti postural (balanca jo e mirë)

Kur njëra nga dy simptomat është e pranishme dhe veçanërisht nëse janë më shumë evidente në njërën anë të trupit, diagnoza e sëmundjes së Parkinsonit është më e mundshme, nëse nuk ka shenja që mund të sugjërojnë një diagnoze tjetër. Pacientët venë re që diçka nuk shkon mirë kur kanë dridhje në një gjymtyrë, ose kur lëvizjet që dikur ishin të gjalla fillojnë të ngadalësohen, ose kur përjetojnë ngurtësim të anesive dhe mosmbajtjen mirë të balancës. Fillimisht simptomat janë variabël në kombinimet e tremorit, bradikinezisë dhe instabilitetit postural. Simptomat fillojnë në një pjesë të trupit dhe përhapen në pjesën tjetër me kalimin e kohës. Ndryshime ndodhin në ekspresionin facial (shprehje si maskë, pa emocion), ose shikimi i fiksuar (nga ulja e frekuencës së pulitjes së qepallave), shtim i sekrecioneve orofaringeale (nga ulja e frekuences së gëlltitjes), seborre (nga ulja e frekuencës së larjes). Meqë simptomat zhvillohen gradualisht, këto simptoma gabimisht mund t’i atribuohen ndryshimeve të moshës. Tremori mund të merret si dridhje e zakonshme e njerëzve të plakur, bradikinezia si ngadalësim normal i lëvizjeve dhe ngurtësimi zakonisht i atribuohet artritit. Qëndrimi i ngrirë i trupit që është i zakonshëm në Parkinson, i atribuohet osteoporozës. Si të rinjtë, ashtu dhe të moshuarit që preken nga sëmundja mund të kalojnë muaj e vite para se të kërkojnë vlerësim nga mjeku.

Kush sëmuret me sëmundjen e Parkinsonit?     

parkinsons-disease 

Sëmundja e Parkinsonit prek njësoj si meshkujt dhe femrat. Është treguar se sëmundja nuk njeh kufinj sociale, ekonomike, etnik, apo gjeografikë.

 A është sëmundja e Parkinsonit e trasheguar?

Ka një histori familjare me sëmundjen e Parkinson në 10% të rasteve. Mund të prekë më tepër njerëz të një gjenerate (psh. motër, vëlla) ose në dy gjenerata (baba, bir). Toksinat ambjentale si magnezi, monoksidi i karbonit dhe rrallë disa pesticide, mund të shkaktojnë një sëmundje që ngjan me sëmundjen e Parkinsonit, megjithatë shumica e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje nuk janë ekspozuar ndaj këtyre toksinave. Në më pak se 1% sëmundja është krejtësisht familjare. Disa mutacione gjenetike janë zbuluar të jenë shkak i sëmundjes në disa familje, por këto nuk gjenden në shumicën e atyre që vuajnë nga Parkinsoni. Studimet në binjakët identikë, në të cilin njëri ka shfaqur sëmundjen, nuk kanë treguar ndryshime nga popullsia normale e pacientëve mbi moshën 60 vjeçare. Megjithatë edhe tek binjakët identikë më të rinj se 50 vjec, nëse njëri ka sëmundjen edhe tjetri ka rrezik që të ketë në të ardhmen. Kjo tregon se trashëgimia ka rol në rastet kur sëmundja shfaqet në moshë të re. Sëmundja e Parkinsonit, sipas studiuesve, në shumicën e individëve reflekton një kombinim mes faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë.

Si diagnostikohet sëmundja e Parkinsonit? 

Procesi i diagnostikimit mund të jetë i vështirë, sepse nuk ka imazheri, apo analiza që mund të konfirmojnë plotësisht sëmundjen e Parkinsonit.  Neurologu arrin në diagnozë pas egzaminimit klinik. Testet e gjakut dhe imazheria performohen që të perjashtojnë sëmundje të tjera që mund të prezantohen me të njëjtat simptoma. Personat e dyshuar për sëmundjen e Parkinsonit duhet të kërkojnë vizitën e neurologut për diagnostikimin dhe trajtimin e mëtejshëm.

Çfarë mund të jetë tjetër?

Ka shumë shkaqe të tremorit (dridhjes) përveç sëmundjes seë Parkinsonit dhe kërkohet egzaminimi nga mjeku neurolog për të dalluar mes tyre.

Kompleksi i simptomave të sëmundjes së Parkinsonit (tremor, rigiditeti, bradikinezia, instabiliteti postural) janë emërtuar si parkinsonizëm. Ky është një term i përgjithshëm dhe jo të gjithë pacientët me parkinsonizëm kanë sëmundjen e Parkinsonit. Në fillimet e hershme të sëmundjes mund të jetë e vështirë për të dalluar nëse është sëmundja e Parkinsonit, apo ndonjë e ngjashme me të. Zhvillimi i simptomave të mëtejeshme dhe kursi i sëmundjes të çon në diagnozën e saktë.

Njohja e shkaqeve të tjera të parkinsonizmit

Shkaqet e parkinsonizmit janë të shumta. Në një studim në pacientët me parkinsonizëm, 65% janë gjetur se kanë seëmundjen e Parkinsonit, 18% kanë parkinsonizem të nxitur nga medikamentet, 7% kanë parkinsonizëm vaskular (dëmtimi nga shkaqe të ndryshme i vazave të vogla që ushqejnë trurin me gjak) dhe 10% kanë parkinsonizëm atipik që dyshohet kur ka praninë e demencës, mospërgjigjie ndaj mjekimit, progresioni të shpejtë, mungesa të dridhjes etj. Për të gjitha këto duhet vlerësuar nga neurologu për gjetjen e diagnozës së saktë dhe mjekimit të duhur.

Opsionet e trajtimit

Cilat janë trajtimet për sëmundjen e parkinsonit?

Ka një numër medikamentesh efektiv që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes së Parkinsonit. Shumica e simptomave janë të shkaktuara nga mungesa e dopaminës. Medikamentet janë prodhuar për të zëvendësuar, ose për të mimetizuar dopaminën. Disa mjekime të reja premtojnë të ngadalësojnë progresionin e sëmundjes dhe të ndihmojnë kualitetin e jetesës së të sëmurëve. Nuk ka mjekim që të shërojë sëmundjen. Terapia është individuale.

Mjekimet që përshkruhen zakonisht

Levodopa modifikohet nga enzimat e trurit në dopamine. Levodopa për mbi 30 vjet ka revulocionarizuar trajtimin e sëmundjes. Levodopa jepet bashkë me inhibitore të enzimes amino-acid dekarboksilazës që quhen përkatësisht carbidopa dhe benseraside, në mënyrë që të shtohet sasia e levodopës që do arrijë në tru.

Mjekimi duhet marrë përpara ushqimit.

Dopamine agonistet: Janë substanca që lidhen me receptorë të ndryshëm të dopaminës dhe ndihmojnë rrugët e saj

Amantadina është zbuluar për herë të parë si medikament antiviral. Rastësisht është gjetur se mund të ndihmojë dhe në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit. Mund të përdoret me levodopën ose me dopamine agonistet.

COMT-inhibitoret: Efekti i tyre është mbi enzimën që ndan dopaminën. Me përdorimin e tyre sigurohet kohëzgjatje më e madhe e veprimit të dopaminës. Janë me përdorim të kufizuar për shkak të toksicitetit hepatik (mbi melçinë).

Antikolinergjikët janë medikamente që përdoren për të reduktuar tremorin dhe rigiditetin. Përdoren zakonisht në kombinim me levodopën. Në pacientët e vjetër dhe me ndryshime konjitive duhen peërdorur me kujdes sepse japin halucinacione, konfuzion mendor dhe efekte të tjera anësore që nuk tolerohen mirë nga pacientët.

MAO-B inhibitorët janë inhibitorë të enzimës që ndan dopamineën dhe me përdorimin e tyre i sigurohet një veprim me i gjatë dopaminës në tru. Kanë efekt të lehtë edhe si antidepresiv dhe neuroprotektiv.

Trajtimet kirurgjikale

A mundet kirurgjia të ndihmojë në sëmundjen e Parkinsonit?

Kirurgjia mund të lehtesojë simptomat e sëmundjes së Parkinsonit, por nuk shëron sëmundjen. Për shkak të risqeve të lidhura me kirurgjinë e trurit, ajo zakonisht konsiderohet vetëm kur është provuar trajtimi medikamentoz dhe ka indikacione të qarta për ndërhyrjen kirurgjikale. Kur merret në konsideratë kirurgjia duhet që, edhe neurokirurgu dhe neurologu të jenë të specializuar për trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit.

Cilat janë tipet kryesore të kirurgjisë për sëmundjen e Parkinsonit?

-Kirurgjia lezionale

-Stimulimi i thellë i trurit (DBS)

Dr. Brunilda ZLLAMI (Neurologe)

Revista Familja, maj 2016