Cilat janë kushtet e mishit hallall?

86

Pyetje: Shpeshherë dëgjojmë për lejimin apo ndalimin e konsumimit të mishit. Cili quhet mish hallall dhe cilat janë kushtet që duhet të përmbushen për të qenë i tillë? A hahet mishi i pasuesve të librit?

Përgjigje: Si në çdo legjislacion që ka ekzistuar në fetë e mëparshme, ashtu edhe në fenë islame Allahu (xh.xh.) ka pasqyruar rregulla… dhe dispozita të cilat tregojnë lejimin apo ndalimin e konsumimit të mishit apo të produkteve të tij. Në përgjithësi Allahu (xh.xh.) e ka lejuar konsumimin e mishit apo të produkteve të tjerë që prodhohen nga mishi përveçse në disa raste dhe rrethana të caktuara, Allahu (xh.xh.) në Kuranin Fisnik thotë: “Thuaj unë nuk gjej në atë që më është shpallur…mua asgjë që e ndalon njeriun të hajë ç’të dojë, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur, mishit të derrit, se këto janë të ndyta dhe mishit që është therur në emër të tjetërkujt e jo në emër të Allahut…” (El-En’am, 145). Pra në përgjithësi ato janë të lejuara (hallall) përveçse rasteve të cilat janë cituar në Kur’an apo në thëniet profetike, në të cilat tregohet se është haram konsumimi i tyre, si vijon:

  1. Kafsha e ngordhur, e cila nuk është therur është e ndaluar.

Në këtë kategori përfshihen të gjiha grupet e mëposhtme bazuar në ajetin Kuranor: “Juve u janë ndaluar (të hani) ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emër të Allahut, (kafsha) e mbytur, e goditura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsirat, përvec asaj që arrini ta therni (para se të ngordhë), (u është ndaluar) ajo që është therur për idhuj dhe të kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj Allahut” (El-Maide, 3). Këtu përjashtim bëjnë vetëm peshku dhe produktet e detit, për të cilat Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Uji i detit është i pastër dhe lejohet ngrënia e ngordhësirave që rriten vetëm në det”, gjithashtu kjo gjë argumentohet edhe në suren Nahl – 14, ku Allahu (xh.xh.) i Madhëruar thotë: “Pastaj, Ai është që nënshtroi detin , që prej tij të hani mish të freskët” dhe në suren Maide ajeti 96 thotë: “Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si përjetim për ju dhe për udhëtarët”.

  1. a) Kafsha e ngordhur pavarësisht nga shkaku i ngordhjes, përderisa ajo ka ngordhur dhe nuk është therur, ajo është haram që të konsumohet .
  2. b) Kafsha që mbytet kur i shtrëngohet litari në fyt dhe ngordh. Gjithashtu edhe kafsha që ngordh kur rrëzohet nga një shkëmb, apo kur është vrarë nga një kafshë tjetër, si dhe kafsha që vritet jo me diçka që e shpon, siç është plumbi, shigjeta etj., por ngordh nga goditja, siç ngordh nga rrahja e saj me shkop. Kjo është haram të konsumohet në bazë të ajetit kuranor të sures El-Maide, ajeti 3.
  3. c) Kafsha që është shqyer nga egërsirat, pra një kafshë e cila është shqyer nga ujku, apo kafshët mishëngrënëse dhe ka rrjedhur gjak prej saj, por përsëri ajo nuk lejohet. Shumë studime shkencore tregojnë se kur një kafshë është shqyer nga egërsirat mbart mikrobet dhe sëmundjet që egërsira ka pasur, gjë e cila është shumë e dëmshme për shëndetin e njeriut.
  4. d) Gjaku që rrjedh nga kafsha e therur është haram që të konsumohet në bazë të ajetit kuranor ku Allahu (xh.xh.) thotë: “Allahu ua ndaloi juve ngordhësirat , gjakun..” (El-Bekare, 173). Dhe se Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “(gjaku është i ndaluar), e lejohet për ne mëlçia dhe shpretka”, gjë e cila tregon se mëlçia dhe shpretka lejohen të konsumohen dhe janë klasifikuar në grupin e gjakut, për shkak se përmbajnë përqindje të madhe gjaku në to.

Prej mirësisë së Allahut (xh.xh.) është që çdo gjë që e ka ndaluar në të ka një dobi dhe siç e tregojnë edhe kërkimet shkencore, që kafsha e ngordhur mbart sëmundje që mund të transportohen tek konsumatoret dhe në veçanti sëmundjet dhe viruset transportohen nëpërmjet gjakut. Në veçanti sot duhet të theksojmë problemin e therjes së viçave me elektroshok apo me goditje me thikë pas qafës, apo me çekiç në kokë, që nëse ngordh ky mish nuk lejohet të hahet. Dhe gjithashtu një tjetër rast i kësaj natyre është therja e pulave me teknologjinë bashkëkohore, e cila vepron në këtë mënyrë: pulat kapen dhe varen për këmbësh me kokën poshtë, pastaj kalojnë nëpër vaska me ujë, dhe më pas rripen nga puplat, dhe më pas kalojnë më transportier në vendin e therjes, gjë e cila bën që pula të ketë ngordhur para se të shkojë në therje, që gjatë kalimit në vaskë, gjë e cila nëse ndodh nuk lejohet të hahet mishi dhe asnjë prej produkteve të saj. Shumë prej dijetarëve kanë theksuar se citimi i fjalës ‘hallall’ është vendosur thjesht për reklamim nga tregtarët, për të fituar treg për të shitur mallrat e tyre, por në realitet nuk është i tillë.

Një gjë tjetër që dijetarët kanë theksuar është edhe përdorimi i produkteve që prodhohen nga mishi i importuar nga Brazili, Kina, Holanda etj. Me të prodhohen sallamet, suxhuket, qoftet etj., atëherë këto produkte që bëhen me këtë mish, që në të vërtetë nuk është therur hallall, nuk lejohet që të etiketohen si produkte hallall dhe shiten në treg si të tillë. Kjo gjë është verifikuar, pasi në shumë raste, ku janë inspektuar pularitë në Brazil, ka rezultuar se nuk është therja në përputhje të plotë me legjislacionin islam. Prandaj nëse mishi nuk është hallall, atëherë asnjë prej produkteve që prodhohen prej tij nuk janë hallall. Gjithashtu në këtë rast është detyra e Komunitetit Mysliman, e myftinive, e imamëve të xhamive dhe e institucioneve të tjera islame, që të verifikojnë produktet hallall që prodhohen në zonat e tyre me qëllim që të kryhet çertifikimi hallall i produkteve shqiptare.

  1. Kafsha që është therur pa u përmendur emri i Allahut (xh.xh.) në momentin e therjes.
  2. a) Duke u bazuar në ajetin kuranor, ku Allahu (xh.xh.) thotë: “Mos hani atë (mish) që nuk është përmendur (momentin e therjes) emri i Allahut …” (El-Enam, 121). Ky është një ndër problemet më të shumta, në të cilën shumë muslimanë neglizhojnë apo harrojnë duke mos qenë të kujdesshëm që të t’i përmbahen këtij kriteri, sepse në rast se nuk thuhet “bismil-lah” në momentin e therjes, mishi i kësaj kafshe nuk lejohet të hahet. Ky veprim tregon më së miri se edhe të ushqyerit është pjesë e fesë dhe është ibadet, ndaj së cilës shpërblehet muslimani që zbaton me korrektësi dispozitat e Allahut (xh.xh.).
  3. b) Gjithashtu nuk lejohet konsumimi edhe i mishit të kafshës që në momentin e therjes përmendet emri i ndonjë krijese tjetër dhe nuk e therin me “bismil-lah”, si për shembull therjet e kafshëve që i bëjnë kurban tek varret, apo mishi i kurbaneve për teqe, mishi i kurbaneve për baba tomorr etj. Prandaj çdo gjë që theret dhe në të është përmendur diçka tjetër në vend të Allahut (xh.xh.), ose është përmendur e bashkëngjitur me emrin e Allahut (xh.xh.), nuk lejohet ngrënia e mishit të saj.
  4. c) Gjithashtu, nuk lejohet konsumimi i mishit të kafshëve që theren elektronikisht dhe për të gjitha bëhet vetëm njëherë “bismil-lah” në fillim dhe nuk thuhet për të gjitha kafshët. Pra për secilën kafshë më vete duhet të themi “bismil-lah” në momentin që ajo po theret. Kjo gjë ndodh me shumë në therjen e pulave, gjë e cila nuk lejohet të konsumohet nëse nuk thuhet “bismil-lah” për secilën pulë në momentin e therjes. Kjo është mjaft e vështirë të kryhet kur ato theren me shpejtësi, gjë e cila ngatërron hallallin me haramin e bën që të mos konsumohet asnjë prej tyre.