Cili është dallimi midis gjakut të menstruacioneve dhe gjakut të pastër?

92

Pyetje: Jam një grua që dua të di dallimin midis gjakut të menstruacioneve dhe gjakut të pastër?

Pergjigje: Cikli menstrual është gjak natyral që rrjedh nga fundi i mitrës së femrës pasi ajo arrin moshën e pjekurisë, në gjendje normale, pa shkak lindje dhe në periudha të caktuara. Tema e ciklit menstrual është një tematikë e përmendur në Kuranin Fisnik dhe në thëniet e Profetit Muhamed (alejhi selam). Allahu i Madhëruar në suren El-Bekare thotë: “Të pyesin ty (o Muhamed) për menstruacionet e femrave, thuaju: Ajo është gjendje e dëmshme…” (El-Bekare, 222).

Profeti Muhamed (alejhi selam) thotë: “Ky është një caktim nga Allahu i Lartësuar për vajzat e Ademit”.

Shumica e dijetarëve të fik’hut theksojnë se jo çdo gjak që del nga femra është menstruacion, por duhet patjetër që të plotësohen disa kushte, me qëllim që të ecet sipas rregullave të femrës gjatë kësaj periudhe. Këto kushte janë:

Gjaku që rrjedh të jetë nga mitra e një gruaje, e cila nuk ka sëmundje në mitër, pasi gjaku që del nga një femër e rritur, për shkak të ndonjë sëmundje të mitres, nuk konsiderohet menstruacion, por sëmundje e mitrës (istihada).

  • Ky gjak të mos rrjedhë si pasojë e lindjes, pasi ajo quhet lehoni (nifas).
  • T’i papaprijë periudha e plotë e caktuar e pastërtisë, edhe sikur kjo pastërti të jetë përcaktuar si e tillë, si p.sh.: në qoftë se femra ka pasur gjak tjetër (istihada) mes dy cikleve, atëherë ajo në bazë të rregullave konsiderohet e pastër.
  • Të mos ndërpritet gjaku në më pak se periudha e menstruacioneve, pasi cikli ka periudhë të caktuar në kohëzgjatjen e tij.
  • Është kusht që gjaku i menstruacioneve të ketë njërën prej këtyre ngjyrave të mëposhtme: të ketë ngjyrën e zezë, pasi gjaku i menstruacioneve ka ngjyrë të zezë të errët, është i mpiksur e me erë të keqe; të ketë ngjyrë të kuqe, sepse kjo është ngjyra origjinale e gjakut; të ketë ngjyrë të verdhë, që rrjedh si qelb i trashë e i verdhë; të ketë ngjyrë kafe të çelët, është mes ngjyrës së bardhë dhe të zezë, si ujë i pisët apo i turbullt.

Argument se këto ngjyra i përkasin menstruacioneve merret nga thënia e Aishes (r.a.), e cila thotë se gratë i dërgonin asaj copa, me të cilat kontrollonin vetet e tyre për të ditur se nëse ka mbetur akoma papastërti nga cikli apo jo, ndër to, copa pambuku ku kishte të verdha e kafe nga gjaku i menstruacioneve dhe Aishja (r.a.) thoshte: “Mos u nxitoni deri sa të shihni lëngun e bardhë (sekrecionet) që del pas ciklit”. Kjo gjë nënkuptonte pastrimin nga menstruacionet. Kështu, ngjyra e verdhë dhe kafja janë menstruacion nëse rrjedhin gjatë ditëve të ciklit, ndërsa nëse rrjedhin pas ditëve të ciklit, atëherë e verdha dhe kafja nuk janë menstruacion, për këtë merret si argument thënia e Ummu Atijeh, që thotë: “Pas pastrimit (kalimit të ciklit) nuk e konsideronim gjë të verdhën dhe kafen”.

Konkretisht, gjaku i menstruacioneve ndryshon nga gjaku i istihadas (që është gjaku që rrjedh jashtë periudhës së ditëve të ciklit, pra para apo pas ciklit, në formë hemoragjie nga një venë që quhet “adhil”. Gjendjen e rrjedhjes së këtij gjaku mund ta klasifikojmë si më poshtë:

  • Të jetë e ditur periudha e zgjatjes se menstruacioneve. Për shembull, në qoftë se femra në përgjithësi e di kohëzgjatjen e ciklit të saj, atëherë nëse zgjat më tepër, kjo kohëzgjatje e tepërt konsiderohet si gjak që rrjedh si pasojë e ndonjë hemoragjie, që vjen nga ndonjë sëmundje në mitër. Profeti Muhamed (a.s.) i ka thënë ummu Habibes (r.a.): “Qëndro aq ditë sa të kanë zgjatur zakonisht ciklet e menstruacioneve herëve të tjera, pastaj pastrohu dhe falu” . Gjithashtu, thënia e Profetit Muhamed (a.s.), Fatime bint Ebi Hubejsh, të cilës i përgjigjet duke i thënë: “Ai është gjak vene dhe jo gjak menstruacioni, kur të vijë cikli yt lëre namazin” .
  • Të ketë dallim mes llojeve të gjakut: gjaku i menstruacioneve nga gjaku i cili rrjedh si pasojë e sëmundjeve. Nëse gjaku është i zi, i trashë dhe me erë të keqe konsiderohet si ditë cikli, ndërsa ditët e tjera konsiderohen si rrjedhje për shkak të sëmundjes (istihada). Sipas hadithit të Profetit Muhamed (a.s.) se, në qoftë se është gjak menstruacioni, ai është gjak i zi që njihet dhe nëse ngjyra e tij është e tillë lëre namazin, ndërsa nëse është tjetër merr abdes dhe falu, sepse ai është gjak që rrjedh si pasojë e ndonjë sëmundje.
  • Të mos dihet cikli, pra ajo ka një cikël të çrregullt, ku nuk kuptohet gjendja e mëparshme dhe gjaku i saj është i njëjtë ose i çrregullt dhe nuk mund të vendoset me dallim ngjyre si më lart. Në këtë rast kjo femër duhet të veprojë duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme të femrave, kështu ajo gjashtë ose shtatë ditë i konsideron si menstruacione, ndërsa ditët e tjera i konsideron si istihada (sëmundje, ku gjaku i saj është i pastër). Argument për këtë çështje marrim thënien e Himmeh Bint Xhahsh: “Vërtet kjo është cytje nga cytjet e shejtanit, prandaj nëse je me menstruacione gjashtë ose shtatë ditë, Allahu e di. Prandaj pastrohu derisa të shohësh se nuk ke gjak më, pastaj falu 23 ose 24 netë e ditë dhe agjëro, kjo të mjafton. Kështu vepro në çdo muaj ashtu si të gjithë gratë e tjera, duke përcaktuar ciklin e menstruacioneve dhe ditët e pastërtisë” (Ebu Davudi, Et-Tirmidhi dhe e saktësoi Shejh Albani).

janar -shkurt  2012