Ç’ka pas Haxhit?

123

Nga Elona Muça

Pyetje: Unë jam një besimtare që pata fatin të vizitoj Qaben dhe të kryej haxhin. Çfarë më këshilloni që të kem parasysh tani pas kryerjes së haxhit?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, salavatet Profetit Muhamed alejhi selam, familjes së tij, shokëve e të gjithë atyre që e ndjekin udhën e tij deri në ditën e gjykimit.

E lusim Allahun të të ketë pranuar Haxhin dhe çdo adhurim që ke kryer. Çdo mysliman ka dëshirë të vizitojë Mekën dhe të kryejë obligimin e shtyllës së pestë të islamit, Haxhin. Haxhinjtë përjetojnë momente të gëzueshme gjatë vizitës së Qabes edhe pse ata kalojnë vështirësi e lodhje të madhe, shpenzim të pasurisë e temperatura të larta, ata përsëri durojnë për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

Muslimani nuk i ndjen këto vështirësi që hasen gjatë kryerjes së haxhit perballë shpërblimit që ai pret prej Allahut me kryerjen e këtij obligimi. Ai kthehet me një pastrim prej gjynaheve dhe mëkateve, sikur e kalindur nëna e tij dhe është i bindur se nëse haxhi është i pranuar atëherë shpërblimi i tij do të jetë xheneti i amshueshëm.

Dijetarët e islamit theksojnë se haxhi i pranueshëm i ka shenjat e tij. Ai dallohet me veprat që kryen, nëse haxhin e ka të pranueshëm ose jo! Madje a ekziston mundësia që muslimani i cili ka kryer haxhin të kthehet në tatëpjetën e zullumit dhe të padrejtësive? Të bëhet mëkatar dhe gjynahqar?

Le të qëndrojmë pak me këshillat që duhet të ndjekë çdo haxhi pas kryerjes së Haxhit, me qëllim që haxhi i tij të jetë i pranueshëm.

Së pari: Shto përmendjen e Allahut. Çdonjëri që mori udhën për të kryer haxhin le ta dijë se kjo mundësi që iu dha atij për kryerjen e tij, ishte mirësi prej Allahut. Shume njerëz të tjerë duan që ta kryejnë atë por nuk kanë mundësi, prandaj duhet të falënderojë Allahun për mirësitë që Ai i ka dhënë. Allahu në kuran thotë: “…e nëse falenderoni do të ua shtoj mirësitë” (Ibrahim 7).

Së dyti: Shto istigfarin (kërkimin e faljes) dhe duatë. Gjatë kryerjes së haxhit u mësove t’i kërkoje falje Allahut të Madhëruar. Qëndrimi në vendet e shenjta, të mësoi të shtoje duatë dhe lutjet, kështu mos harro që edhe tani pas kryerjes së haxhit, të ulesh i përkushtuar e të lutesh. në Pas kryerjes së ndonjë vepre të mirë, vepër me të cilën afrohesh tek Krijuesi duhet të ulesh dhe të shtrish duart me respekt dhe përulje ndaj Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin ty (o Muhamed) për Mua thuaju që Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit”. A vazhdojmë të jemi prej atyre që i luten Allahut, apo neglizhuam dhe harruam. Allahu i Madhëruar na ka treguar se bereqeti dhe lumturia vijnë prej Tij kur ne i lutemi Atij. Në një hadith Kudsij, Profeti Muhamed alejhi  selam transmeton se Allahu i Madhëruar thotë: “o biri Ademit nëse ti më lutesh Mua shpreson në faljen Time, atëherë Unë ti fal ty gabimet pa e pasur problem. O biri Ademit nëse nuk bën shirk (nuk i bën shok Allahut) edhe sikur të vish me gjynahe e gabime sa rruzulli tokesor do të shohësh se Unë do të takoj ty po me atë madhësi falje e mëshirë” (transmeton Ahmedi, Termidhiu).  Pas kryerjes së haxhit a e ke shtuar Istgfarin (të thuash: estagfirullah, me i kërkuar falje Allahut)? A ke harruar se vetë Profeti Muhamed alejhi selam bënte istigfar 100 herë në ditë? kur Profeti Muhamed alejhi selam i kërkon falje 100 herë në ditë kjo do të thotë se ne jemi më nevojtarë për këtë gjë dhe duhet t’i kërkojmë falje Allahut akoma më tepër. Shtimi i istigfarit të shton begatitë e kësaj bote dhe të tjetrës. Allahu i Madhëruar tregon në Kuranin Fisnik se Nuhu alejhi selam i është drejtuar popullit të tij duke i thënë: “kërkojini falje Zotit Tuaj se Ai është falës, iu çon prej qiellit bereqet, e iu shton pasurinë e begaton me fëmijë, e bënpër ju fusha të begata e lumenj”.

Së treti: Rregullo moralin dhe sjelljen. Të gjithë e dijnë se udhëtimi i haxhit nuk është udhëtim turistik por ai është një udhëtim edukativ, kulturor dhe shpirtëror. Gjatë këtij udhëtimi u përpoqëm të pastrohemi nga mëkatet e kaluara. Me qëllim që të kemi haxh të pranuar gjatë haxhit duhet të largohemi nga ofendimet, sharjet, fyerjet, debatetapo nga veset e tjera të shëmtuara si përgojimet e thashethemet, etj. Profeti Muhamed alejhi selam thotë: “ai i cili kryen haxhin dhe nuk ofendon e as nuk debaton kthehet ashtu siç ka lindur prej nënës” (Buhariu dhe Muslimi). Pra haxhi i pranuar kërkon rregullim të sjelljes dhe moralit, e të njejtën gjë e kërkon agjërimi i ramazanit, falja e namazit dhe adhurimet e tjera. Kjo gjë kërkon që muslimani duhet të ndryshojë moralin dhe sjelljen e tij çdo ditë me qëllim që të pranohen adhurimet e tij.

Së katërti: Kujto vdekjen dhe vështirësinë e saj, kujto ditën e gjykimit. Kryerja e haxhit, e në veçanti qëndrimi në ditën e Arafatit të kujton më së miri ditën e gjykimit. Njerëz të ardhur nga të gjitha anët e globit, rraca e ngjyra të ndryshme por që kanë të njëjtin qëllim, ata kërkojnë mëshirën e Allahut. A nuk kujton kjo ditë ditën e gjykimit kur do të dalim para krijuesit e më i miri prej tyre do të jetë ai që ishte më i devotshëm. Prandaj mbushe zemrën tënde me devotshmëri, e largohu nga çdo hipokrizi. Kërko të shoqërohesh me njerëz që të këshillojnë për mirë dhe të largohesh nga zullumqarët, se ajo është ditë e vështirë.

Së pesti: Ndiq udhën e profetëve dhe këshillat e tyre. Udhëtimi i haxhit të jep një ndjesi tjetër. Në ato vende kanë udhëtuar profetët e mëparshëm deri tek Profeti Muhamed alejhi selam.  Veprimet që kryhen gjatë haxhit janë ndjekje e udhës Profeteve, ngjarje të jetës së tyre. Aty përjeton Ademin, e Ibrahimin, Ismailin e të gjithë profetët, përjeton ndodhitë e tyre, e ne i ndjekim ato. Ndjekja e udhës së tyre nënkupton bindje dhe respekt ndaj tyre, e bindja është shkak që të jesh prej banorëve të xhenetit. Profeti Muhamed alejhi selam thotë: “të gjithë njerëzit do të hyjnë në xhenet përveç atyre që refuzojnë.” Shokët e tij e pyetën: “…kush është ai që e refuzon një gjë të tillë?” Ai tha: “ai që ndjek udhën time do të hyjë në xhenet e ai që e kundërshton ai refuzon. Ndjekja e udhës së tyre të mbush zemrën më besim dhe të jep siguri. A nuk e kujton qëndrimin e Haxheres bashkëshortes së Ibrahimit alejhi selam e cila iu mbështet Krijuesit dhe kur Ibrahimit alejhi selam po largohej nga Meka duke e lënë të vetmuar atë dhe djalin e tij, ajo  i drejtohet duke e pyetur: “Allahu të ka urdhëruar që të na lësh këtu?” Po – i përgjigjet ai. Çfarë bindje dhe besimi kishte Haxherja e cila iu mbështet Allahut dhe tha: “Atëherë Allahu s’do të na lërë të humbasim”. Kjo është ndjekja e profetëve dhe e udhës së tyre, që kur ata e kanë thënë diçka atëherë zbatohet fjala e tyre pa e vënë në dyshim atë.

së gjashti: Pendohu për veprat e tua. Gjithmonë kthehu tek Krijuesi. Ju e keni kryer Haxhin e lusim Allahun te jetë haxh i pranuar por gjithësesi njeriu gabon gjatë jetës së tij. Profeti Muhamed alejhi selam ka thënë: “të gjithë njerëzit gabojnë por më i miri prej atyre që gabojnë është ai që pendohet”. Mos e lër veten tënde të të mbushet me mëkate por pendohu me qëllim që ajo të mbetet e pastër ashtu siç ke lindur, pa mëkate e kjo duke u penduar për çdo gabim e mëkat që kryejmë e ndërkohë duke i kërkuar falje Allahut për të. Duke e lutur Allahun që ta bëjë haxhin e pranuar e të na bashkojë në xhenetin e amshueshëm më Profetin Muhamed alejhi selam.