Copëza nga jeta…!

88

Familja…! Të gjithë kanë debolesë ndaj kësaj fjale. Çdokush është bir apo bijë e dikujt, vëlla apo motër, nënë apo baba, gjysh apo gjyshe, bashkëshort apo bashkëshorte. Secili përbën një pjesë të mozaikut të quajtur “Familje”. Jo më kot e kanë quajtur qeliza bazë e shoqërisë, themeli, esenca. Fëmijët janë ëmbëlsia, buzëqeshja, hareja, energjia, pasuria e saj.

Profeti Muhamed (a.s.) është dalluar për dashurinë e tij ndaj fëmijëve. Ai i inkurajoi prindërit të luanin me fëmijët e tyre dhe porositi që kushdo që ka fëmijë të vegjël, duhet të bëhet si fëmijë i vogël gjithashtu, në mënyrë që të luajë me ta. Një herë, Profeti (a.s.) dhe disa nga shokët e tij qenë ftuar për darkë. Gjatë rrugës ata takuan Hysenin, nipin e profetit i cili po luante me disa fëmijë të tjerë. Kur pa nipin e tij të vogël, profeti Muhamed (a.s.) bëri disa hapa përpara dhe hapi krahët në mënyrë që ta përqafonte, ndërsa djali filloi të vraponte përreth tij duke luajtur. Atëherë profeti Muhamed (a.s.) bëri të njëjtën gjë, vrapoi pas Hysenit për t’u bashkuar me të në lojë derisa e kapi. Kur e kapi nipin e vogël, ai vendosi një dorë nën mjekrën e tij dhe një dorë prapa qafës dhe e puthi atë.

Sa të kënaqen sytë dhe zemra kur shikon një prind, një baba apo nënë tek luajnë me fëmijën e tyre; qeshin me të, flasin me kërshëri, i pëshpërisin në vesh, e mbajnë në duar, e shtërngojnë në krahëror… dhe dashuria ndihet në ajër. Ja, në rrugë, një gjysh mban nga dora nipin e tij. Sa krenohet kur të njohurit e përshëndesin dhe i thonë se sa shumë i ngjan. Dhe ai nuk ngurron t’i plotësojë çdo tekë apo dëshirë atij; t’i blejë diçka tek dyqani i lagjes, të shkojë diku, të luajë tek lodrat që pëlqen apo të vrapojë në çdo rrugicë. Gjyshi është pas çdo hapi të tij, bëhet një me të, madje edhe kur i duhet të sakrifikojë emisionin e parapëlqyer në televizor, që të shikojë buzëqeshjen në fytyrën e atij  filizi atij filizi të njomë, tek kërkon me sy filmin e tij me kartona. Sepse ai nuk mundet t’i rezistojë lutjeve të vogëlushit.

Pastaj i sheh të ndihmojnë nënën apo gjyshen në punët e shtëpisë, kur ato duar të vockla lëvizin papushim. Njëherë i qahet nënës për atë shokun që e ngacmon, herën tjetër ia ka ënda t’i përgatisë një kek të shijshëm. Dhe ajo është aty për gjithçka, ta dëgjojë, ta ndihmojë, t’i falë pa kushte dashurinë e saj. I sheh në ditën e parë të shkollës, duke u strukur pas prindërve, kanë frikë nga e panjohura, por shumë shpejt ato banga bëhen shumë të dashura për ta. I habisin të gjithë me atë që mësojnë ditë pas dite. Dikush do shkencat, një tjetër di të flasë bukur, e kështu ikën jo pak kohë, e bashkë me të edhe fëmijëria. Fillojnë të ndihen të rritur dhe duan t’i trajtosh si të tillë. Tashmë e njohin mirë të drejtën dhe të gabuarën, të dobishmen dhe të dëmshmen, të lejuarën dhe të ndaluarën . Kanë mësuar të lexojnë Kuran, të falin namaz, të japin lëmoshë, të jenë të sinqertë, të respektojnë të tjerët, të mbrojnë më të dobëtit…

Dhe ata rriten çdo ditë…! I vëren motrat apo vëllezërit tek pëshpërisin sekretet mes njeri-tjetrit. Bëjnë çdo gjë, japin gjithçka, ofrohen në çdo moment.  Dalëngadalë rrjedha e jetës së tyre merr drejtim. Vjen një ditë kur duhet t’i lësh të lirë zogjtë dhe zemra përjeton dilema ndjenjash. Dikë do përcjellësh dhe dikë tjetër do të presësh në të ëmblën shtëpi. Ajo strehë që mban kujtimet në breza do të mbushet sërish. Jetë të reja do të vijnë. Kujtimet dhe mbresat zënë vend njëri mbi tjetrin dhe duhet të heqësh herë pas here pluhurin që hedh koha mbi to. Jeta vazhdon… dhe ne ose jetojmë ose mbesim në mendjen e atyre që na kanë dashur.

Omeri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Shtatë vitet e para luaj me femijën tënd, shtatë vitet e dyta edukoje atë, ndërsa shtatë vitet e treta bëhu shok me të, pastaj lëre litarin të lirë”.

Mars -prill, 2014