Ç’thotë Islami në lidhje me shprehjet fyese?

134

Pyetje: Jam nje djalë që studioj në një nga fakultetet e Universitetit te Tiranës. Jetoj në një shoqëri të rrethuar me djem e vajza. Fatkeqësisht dëgjoj nga të dyja palët, si nga djemtë ashtu edhe nga vajzat që luajnë me nderin e tyre. Kjo gjë shprehet si me fjalë ashtu edhe me veprat e tyre. A mund të më tregoni se si e trajton feja Islame këtë çështje?

Përgjigje: Falenderimet i takojnë Allahut të Madhëruar, salavatet  qofshin për Profetin Muhamed (a.s), mbi famijen e tij të pastër , shokët e tij të ndershëm dhe ndaj të gjithe atyre që pasuan udhën e tij deri në ditën e gjykimit.

Sipas fesë Islame, marrëdhëniet shoqërore mbështeten në dy parimet e mëposhtme:

1. Mbrojtja e vëllazërimit, e cila është lidhja më e fortë mes njerëzve.

2. Mbrojtja e të drejtave individuale, dhe e shenjtërisë së jetës së individit, ruajtja e nderit dhe e pasurisë me garanci të legjislacionit Islam.

Ndalohet çdo fjalë, punë ose sjellje që i kundërshton këto dy parime. Gjithmonë duke marrë parasysh se shkalla e haramit varet nga sasia e dëmit material apo moral.

Në suren El-Huxhurat në ajetin 10-12 ka shembuj të aspekteve të ndaluara që dëmtojnë vëllazërimin dhe shenjtërimin e jetës së njerëzve, në të cilën Allahu thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër prandaj pajtojini vëllezërit tuaj. Kini frikë Allahun në mënyrë që të mëshiroheni. O ju që besuat! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra te tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrit me nofka (të keqija). Nuk ka gjë më të shëmtuar se të thirresh me emër të keq pas përqafimit të islamit. Ata që nuk pendohen janë zullumqarë. O ju që besuat! Largohuni nga hamendësimet (dyshimet) se vërtet disa hamendësime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin. Mos vallë ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të tij të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë. Kini frikë Allahun. Me të vërtetë Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë”.

Qëllimi i vllazërimit është të njohin njëri-tjetrin dhe jo të injorohen, të bashkohen e të mos ndahen, te duhen dhe jo të urrehen, të jenë të sinqertë dhe jo tinëzare, të jenë të ndershëm dhe jo të kenë lidhje të turpshme.

Feja islame mbrojtjen e nderit të njerëzve e ka ngritur deri në shkallen e shenjtërisë. Në haxhin e lamtumirës, në ditën e Arafatit, gjatë qëndrimit në Arafat, Profeti Muhamed (a.s) mbajti një ligjëratë para besimtarëve dhe tha: “Pasuria juaj, nderi juaj dhe gjaku juaj janë të shenjtë ashtu si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend”.

Një ditë Abdullah bin Omeri po vështronte Qaben dhe thotë: “sa e madhëruar je dhe sa e madhëruar është shenjtëria jote, mirëpo besimtari është më I shënjtë se ti”.

Feja islame e mbron nderin e njeriut edhe nga fjalet e gibetit (përgojimit) fjalë të cilat janë të vërteta, e jo më për fjalët që janë shpifje, të cilat konsiderohen mëkat i madh.

Aishja (r.a) transmeton se një ditë Profeti Muhamed (a.s) u thotë shokëve të tij: “A e dini se cili është lloji më i keq i kamatës tek Zoti? Jo- u përgjigjen ata- atëherë ai tha: Lloji më i keq i kamatës tek Zoti është thumbimi i nderit të një myslimani”. Gjithashtu Allahu në suren El-Ahzab thotë: “Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret duke i akuzuar me diçka që nuk e kanë bërë , në të vërtetë i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe për gjynah të qartë”.

Forma më negative e fyerjes së nderit është shpifja e pamoralshme kundër besimtarëve të ndershëm kur dihet se është e ndaluar përhapja e shpifjeve, gjë të cilën Profeti Muhamed (a.s) e ka konsideruar si njërin prej shtatë mekateve të mëdha, ndërsa Allahu në Kur’an e shpreh qartë ndëshkim e rreptë për ta ku në suren En-Nur thotë: “Vërtet ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën. Për ata ka një dënim të madh. Atë Ditë (ditën e gjykimit) ku do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë. Allahu do t’ju shpagojë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë”.

Ndërsa përsa i përket përhapjes së imoralitetit në shoqëri ndëshkimi i Zotit për këta njerëz është i madh, ndëshkim që i shoqëron ata në këtë botë dhe në tjetrën. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që tek besimtarët duan që të përhapen shpifjet e turpshme ose imoraliteti, i pret një dënim i dhimbshëm në këtë botë dhe në tjetrën Allahu di (të fshehtën) e ju nuk dini”. Por çdo gjë të shemtuar apo vepër të ndaluar Allahu në Kuran është shprehur duke thënë:  Mos e bëni, ose për çdo gjë që ka urdhëruar thotë: Bëjeni, ndërsa përsa i përket imoralitetit është shprehur: mos ju afroni. Pra mos lejo asnjë shkak për të rënë në gracka të tilla sepse kjo ndjekje momentale e epsheve do t’ju çojë në pasoja të mëdha për veten tuaj, për familjen dhe shoqërinë. Prandaj duhen këshilluar shokët që të mos përdorin fjalor të tillë në mënyrë që ata të ndryshojnë mënyrën e të komunikuarit, ose përndryshe fillo e distancohu nga ata dhe ji në kërkim të njerëzve të ndershëm e të sinqertë. Lus Allahun që shoqëria njerëzore të largohet nga përdorimi i shpifjeve, shprehjeve, veprave e sjelljeve të pahijshme, se vetëm në këtë mënyrë do të jetojmë një jetë dinjitoze, të qetë e pa strese. Allahu na ruajt nga çdo vepër e keqe.

Nentor-Dhjetor 2013