DASHURIA – MËSIMI MË I VYER

57

Në vendin tonë është mjaft e përhapur thënia për fëmijët e moshës parashkollore: “Të mësojnë, të mësojnë”. Po çfarë duhet të mësojnë më parë fëmijët e kësaj moshe? Cili është mësimi më i madh dhe më i rëndësishëm për ta? Sigurisht, këtu nuk kemi për qëllim të themi se njohuritë e para për botën që na rrethon janë të panevojshme, përkundrazi, ato janë shumë të domosdoshme dhe hedhin themelet e të menduarit dhe të arsyetuarit në vitet që pasojnë. Po cili është mësimi parësor, më thelbësor që duhet të marrin fëmijët e moshës parashkollore? Është pikërisht fjala dashuri. Ajo duhet të vijë nga burimi më i pastër dhe më i pasur i saj, nga nëna. Profeti ynë (s.a.v.s) ka thënë në një hadith: “Kam frikë se shejtani do të ketë pjesë tek fëmijët e popullit tim. Si mund ta shmangim këtë rrezik, o i Dërguar i Allahut? Duke i mësuar atyre dashurinë dhe virtytet.” Është pikërisht dashuria themeli mbi të cilin do të ngrihen shpirtrat e besimtarëve të së ardhmes. Ajo do të mbajë në krahët e saj virtytet si perla dhe margaritarë, që do t’i zbukurojnë fëmijët dhe do t’ua tregojnë rrugën për të dyja botërat. Si një diell i ndritshëm ajo përmbledh shumë rreze, të cilat mund t’i shpërndajë vetëm nëna. Një nga ato është ndjenja e sigurisë, e cila është thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm mendor të fëmijës.

Siguria: Riktheni ndjenjën e rrënuar të sigurisë tek fëmija dhe mbrojeni atë sa më shumë që të jetë e mundur, sepse fuqitë dhe aftësitë personale të fëmijës me vite të tëra janë të pamjaftueshme. Që të kujdeset për vete, atij i nevojitet kujdesi i gjithanshëm i të rriturve. Ndjenja se ai është i dashur, i sigurt dhe i mbrojtur është e domosdoshme për zhvillimin e drejtë të fëmijës. Gjatë 5 viteve të para të jetës fëmija krijon identitetin e tij brenda familjes. Ajo çka është më e rëndësishmja për ta është të kuptojnë rolin e tyre brenda familjes. Prindi duhet t’i kushtojë vëmendje nxitjes së individualitetit të fëmijës, i cili ndihmon për të përcaktuar kufijtë, brenda të cilëve zhvillohet lëvizja e fëmijës jashtë shtëpisë. Një tjetër rreze e ngrohtë, për të cilën fëmijët kanë shumë nevojë është vëmendja e nënës.

Vëmendja: Të gjithë fëmijët kanë nevojë për vëmendje. Ata mund të bëjnë pothuajse gjithçka për të tërhequr vëmendjen tonë. Sikur t’u jepej mundësia të zgjidhnin, fëmijët do të dëshironin vëmendje nga ana e prindërve në një mënyrë pozitive. Për shembull, me fjalë vlerësimi, lavdërimi ose dashurie. Fëmijët preferojnë më mirë të qortohen, se sa të mos marrin asnjë lloj vëmendje prej prindërve.

Vëmendja dhe përfshirja e nënës kërkohen patjetër si një sistem mbështetës bazë, që do t’i shërbejë fëmijës kur ai mëson të plotësojë nevojat e atyre që ka përreth. Pa këtë bazë mbështetëse njeriu mund t’i drejtohet dhunës dhe kapitullimit. Dhunës nga nëna, si pasojë kapitullim të fëmijës, apo e anasjellta.

Mjaft nëna thonë: “E, çdo t’i mësoj unë?” apo: “Çdo të bëjë me mua këtu në shtëpi?”, duke nënvlerësuar kështu aftësitë e tyre unike dhe të lindura. Duke mos marrë parasysh faktin se nëna është personi i pare, i pajisur në nivelin më të lartë me cilësi të lindura, për të plotësuar në mënyrën më të përshtatshme të mundshme nevojën që ka rritja e fëmijës gjatë 6-7 viteve të para të jetës. Fakti që personi i parë në shoqëri që funksionon si urë lidhëse midis fëmijës dhe shoqërisë është nëna, vë në dukje funksionin e rëndësishëm të nënës në fushën e etikës sociale dhe personale.  Për fëmijën nëna duhet të jetë personi i cili është i pari dhe burimi më i pasur i dashurisë, e cila shfaq dashuri dhe ngrohtësi të pakushtëzuar ndaj fëmijës dhe i mëson atij si të dojë të tjerët. Ky fakt tregon për fëmijën rëndësinë e një socializimi, të ushqyer krejtësisht nga dashuria, që nga ditët e para të ardhjes së tij në jetë. Me anë të këtij qëndrimi fëmija fiton ndjenjën e sigurisë, e cila i hap horizontin e jetës, nga ku ai e vështron botën i sigurt në krahët e ngrohtë të nënës. Ai ndihet se duhet nga të tjerët dhe vetëm në këtë mënyrë ai është gati të dhurojë dashuri.

Citate për dashurinë e nënës

Zemra e nënës është klasa ku mëson fëmija. – Henry Ward Beecher

Dashuria e nënës është instiktive, e pakushtëzuar dhe e përjetshme. – E panjohur

Asnjë ndikim nuk është aq i fuqishëm në jetën e njeriut sa ai i nënës. – Sarah Josepha Hale

Forca e mëmësisë është më e madhe se sa ligjet e natyrës. – Barbara Kingsolver

Nënat janë filozofë të lindur. – Harriet Beecher Stowe

Të jesh një nënë me kohë të plotë është një nga punët që paguhen më shtrenjtë, sepse shpërblimi që merr është dashuri e pastër. – Mildred B. Vermont

Një nënë e mirë vlen sa qindra mësues shkolle. – George Herbert

Disiplina është një fjalë gjashtë gërmëshe: DASHURI  – Karolin C. Waterbury Tieman