Dëshmorja e parë në Islam

42

Nga Ilir Curri

Sumeja, pa të vinte drejt saj një burrë. I tmerrshëm nga pamja, i ngrysur e i përbindshëm. E lidhur siç ishte  nuk lëvizi, por afrimi i tij dukej më kërcënues se përcëllimi i rrezeve të diellit të shkretëtirës që kishin rrahur pa mëshirë trupin e saj tashmë të djegur e kullonte gjak. Në gjithë atë përvëlim kishte dëgjuar një zë që ia kishte freskuar zemrën. Ai zë i ishte dukur edhe më i ëmbël kur shikonte të shoqin dhe të birin me hekurat në mish. Zëri pati kumbuar në mes të torturave duke thënë: “Duroni o familja e Jasirit, vendtakimi ynë është Xheneti”. Ishte një premtim madhështor, prandaj burri që po i afrohej aq rëndë Sumejës nuk i dukej aq kobzi. Dhimbja ia përshkonte trupin i cili kërcente herë pas here si ta shponin me heshtë prej zjarri. Sipas shumëkujt, ajo dhe familja e saj e meritonin këtë dënim. Ata kishin bërë një “krim” të pafalshëm, kishin besuar Zotin e botëve, Allahun. Sumejës i ishte çliruar shpirti nga robëtimet e shumta. Ajo nuk kishte më frikë nga statujat e magjitë, tani as torturat nuk po e frikësonin më. Kishte besuar në Zotin e vet. Në këtë gjendje, burri u ndal para saj. E njohu. Ishte Ebu Xhehli, tallësi, poshtruesi, vrasësi i myslimanëve. Me plagët e mbushura me rërë të verdhë e gjak, mezi e ngriti vetëm shikimin se kokën nuk e ndjente si të sajën.

Ai i foli me zë të tmerrshëm e tallës në të njëjtën kohë: ” Si i le perënditë e gjyshërve të tu e ndjek Zotin e Muhamedit?!”. Zëri i burrit ishte më kërcënues edhe se pamja e tij gjakatare. Ajo kur dëgjoi emrin “Muhamed” u përmallua. Ishte ai udhërrëfyesi për tek Ai, i Vetmi,Madhështori. Ishte zëri i atij që i kishte ardhur aq ngrohtë mes poshtrimeve e torturave dhe i kishte premtuar Xhenetin. Sumeja hodhi shikimin nga burri i saj. Ai dukej si i vdekur mbi trarin ku e kishin lidhur. Mezi dalloi të birin e gjakosur i cili dridhej mekur. Por, Ebu Xhehli me zë të rreptë vazhdoi: “Na e shfaq atë Zotin tënd?”

Këtu Sumejës i ndritën sytë edhe pse nga to dolën lotë, ato shpejt u bënë të kuqërremtë nga gjaku i plagëve në faqe. Nga ai trup kockë e lëkurë lëshoi një zë të thellë që e tronditi edhe burrin aq autoritar. Ajo tha: ” Atë, Zotin tim, nuk e kap shikimi e Ai përfshin të gjitha shikimet, e Zoti im është i Butë e i Mirëinformuar”.

“Të ka magjepsur Muhamedi!” I tha Ebu Xhehli.

Sumeja, kjo plakë e dinte që ishte Zoti i Muhamedit, Ai që ia udhëzoi zemrën nëpërmjet Muhamedit. Po pse e urrenin aq shumë Muhamedin?! Ata e urrenin atë se u mësonte që të gjithë njerëzit të mos u robtoheshin njerërzve dhe se të gjithë ishin të barabartë para Zotit, s’është i bardhi më i mirë se i ziu. Nuk e lejonte nëpërkëmbjen e gruas e as cënimin e fëmijve. Thoshte se jeta, prona dhe nderi janë të shenjta. Urdhëronte sjelljen e mirë me komshiun dhe mikun,respektin ndaj tjetrit. Pra, kishte sjell pastërtinë dhe të pistët nuk e duronin dot atë. Edhe e gjithë bota të ishte kundër tij, ajo do ishte me të. Prandaj, ajo e ndjente se po i vinte fundi e foli qetë: “Jo, mua më ka drejtuar Muhamedi drejt dritës e unë jam myslimane!”

Kjo ishte fatale për të. Ai mori një heshtë dhe ia nguli në zemër. Fëshfëritja që pasoi heshtjen e frymës së saj ishte përgëzimi i Muhamedit për të. Tashmë ajo ishte larg xhelatëve të saj. E kishte dhënë këtë botë për kënaqësitë e Xhenetit.

Rev. Familja, shkurt 2015