Dhuna ndaj gruas, produkt i mentalitetit primitiv

443

Nga Elton Dema

I Dërguari i Allahut (a.s.) i ka përcjellë fjalët e Zotit dhe Krijuesit të tij, të Fuqishmit dhe të Madhërishmit, i cili ka thënë: “O robërit e mi, Unë ia kam ndaluar dhunën Vetes, dhe e kam ndaluar atë në mesin e juaj, pra mos i bëni dhunë njëri tjetrit!”

Dhuna në përgjithësi nuk duhet të nxitet dhe nuk duhet toleruar në asnjë rrethanë.

Nuk ka dyshim që gruaja është ajo që më së shumti i është bërë padrejtësi nga ana e mashkullit gjatë historisë së njerëzimit, kjo për faktin se gruaja është krijesë e dobët. Një faktor tjetër në këtë kontekst është edhe vlerësimi që i bëhet gruas, ide dhe qëllime këto që i gjejmë prezente që në fillesat e ekzistimit të njeriut e deri në ditët e sotme. Janë ide të cilat i gjejmë vetëm tek njerëzit e ligë, tek ata të cilët nuk njohin mëshirë, që nuk janë të lidhur me mesazhin qiellor, vetëm duke i dhënë jetë egos së tyre. Pozicionimi i gruas në familje nuk i përket kategorisë së skllavërisë, nuk është fakt për të treguar dobësitë e saj, që t’i kundërvihesh asaj sa herë që të nxitin rrethanat. Ajo përfaqëson rolin e pazëvendësueshëm, përfaqëson një det ndjenjash të paimagjinueshme.

Ekzistojnë shumë arsye për t’i thënë jo kësaj pjese, për të gjykuar drejt, për t’i lënë vend mëshirës, për të mbyllur përfundimisht një portë e cila i takon së shkuarës.

Fjalët “pra mos i bëni dhunë njëri-tjetrit” nënkuptojnë dy gjëra:

1) Të mos fillosh të bësh padrejtësi, d.m.th mos të dhunosh femrën,

2) Ndalohet të hakmerresh dhe t’i kundërvihesh dhunës.

Sidoqoftë dhuna është e ndaluar si në fillim ashtu edhe në mbarim. Në secilin prej nesh ekzistojnë ndjenjat e dhembshurisë dhe mirëdashja njerëzore. Sikur për një moment të ndihesh fajtor, të reflektosh mbi gabimin, të anashkalosh një goditje, duke treguar një gjest fisnik, të mohosh grushtat e tu, mllefin tënd dhe të shuash urrejtjen në vetëdijen tënde. Reduktoni gjithçka që është e gabuar, çdo gabim është humbje, fundja reflektoni për t’i dhënë favore qenies suaj, sepse një ditë do të vijë momenti kur do të keni nevojë për pendim më shumë se gjithçka tjetër.

Mëso diçka, mëso ta kthesh në dashuri urrejtjen, mëso t’i japësh jetë paqes duke i thënë “JO!” luftës familjare, mëso dhe jepi qenies tënde këto vlera. Femra nuk keqtrajtohet vetëm si grua, por edhe si vajzë. Jo rrallë shohim dhunën dimensionale që ushtrohet ndaj vajzave. Femra nuk është ajo krijesa e pashpirt, nuk është e ndyra dhe as fajtorja. Ajo është krijesa e ngjashme me burrin, e krijuar prej llojit të tij që ta plotësojë atë!

MAj 2017