“Dhuntitë hyjnore nga ajetet kuranore”, botimi më i ri i Shoqatës Kulturore “Gruaja”

44

Titulli: “Dhuntitë hyjnore nga ajetet kuranore”

Autore: Abdurrahman bin Nasir Es-Saadi

Përkthyes: Pëllumb Jaupaj

Redaktor fetar: Alban Kodra

Redaktor letrar: Krenita (Hakrama) Xhaferi

Design & layout: Ilmi Shahu

ISBN: 978-9928-422-06-4

Nr. i faqeve: 144

Biblioteka e Shoqatës Kulturore “Gruaja” pasurohet me botimin më të fundit me librin “Dhuntitë hyjnore nga ajetet kuranore”.

Ky libër është një relike e çmuar nga trashëgimia e dijetarit Abdurrahman bin Nasir Es-Saadi (Allahu e mëshiroftë!). Aty gjenden reflektimet e tij rreth ajeteve të ndryshme, nga Libri i Allahut. Këto shënime janë nxjerrë pas një leximi të vëmendshëm të Kuranit. Ky libër përfundoi pikërisht pas tri viteve nga dalja e komentit të tij mbi Kuranin. Dhe kështu vjen ky libër, i vogël për nga vëllimi, por që mbart shumë dobi dhe urtësi, të cilat autori nuk i ka shënuar në asnjë vepër tjetër. Madje nga hulumtimi dhe krahasimi i urtësive të përcjella këtu, me ato që janë përmendur në komentimin e autorit, vihet re se shumica e tyre nuk gjendjen te komentet, të cilat mund të quhen edhe librat më të përafërt për nga tematika. Pra, autori ka shfaqur shumë mjeshtëri në këtë vepër.

Dijetari i nderuar, përmes këtij libri u ka dhënë një mësim praktik nxënësve të dijes, duke nënvizuar se cilësia e dijetarit është vazhdimësia në kërkimin dhe në dhënien e dijes, meditimin dhe përsiatjen në tekstet e shenjta të Kuranit dhe të Sunetit dhe se hulumtimi nuk mbaron sa të jetë jeta. Siç kanë thënë imamët e hershëm: “Me shishen e bojës deri në varreza.” Ose:  “E kërkuam dijen deri në vdekje.”

Libri i këtij dijetari të nderuar, dallon nga dy versionet e komentit të Kuranit në disa aspekte:

1-      Është nga librat e fundit që ka shkruar në lëmin e tefsirit.

2- Përfshin këshilla edukative, siç e ka zakon autori, i cili ka qenë një dijetarë edukator, prijës dhe reformator. I edukonte njerëzit në fillim me çështjet e vogla të dijes dhe më pas me çështjet e mëdha, si dhe i drejtonte njerëzit me Kuran dhe Sunet. Ndryshe nga librat e tjerë të tij, një nga gjërat më mahnitëse në këtë libër, është shtjellimi i një prej emrave të Allahut, “El-Latif”.

3- Përfshin disa nga zgjedhjet e tij juridike.

4- Nëse komenti i plotë i Kuranit nuk i mundësohet çdo njeriu, ky libër mund të jetë një shembull për dijetarët, që të shënojnë meditimet e tyre të shpërndara si dhe frymëzimet hyjnore në kuptimin dhe shijimin e orientimeve kuranore. Kjo vlen veçanërisht për meditimet që trajtojnë situata bashkëkohore, të cilat nuk janë përjetuar nga dijetarët e hershëm.