Dhuro buzëqeshje, fal dashuri!

226

Nga Elton Dema

Të falësh dashuri është njerëzore, e sidomos atje ku shpirti dhemb më shumë, aty ku trupi përpiqet për mbijetesë, si një pikë uji që shpërbëhet në tokë. T’i dhurosh buzëqeshje një të varfëri atëherë kur shpirti i tij ka më shumë nevojë për të jetuar. Ta përkëdhelësh atë të varfër të trishtuar, atëherë kur trupi thatanik i tij duket sikur i jepet tërësisht të ftohtit të zi të dimrit. T’i falësh lumturi atij pa kushte, ta ndihmosh të ngrihet dhe t’i japësh forcë të shpëtojë nga vuajtja.

Bamirësia nuk të varfëron, përkundrazi të pasuron shpirtin, të pastron nga gjynahet dhe të jep kënaqësi në momentin që ti fillon të gjykosh, në momentin kur ty, jo pa qëllim të sillen nëpër kokë fjalë, mendime për botën tjetër tek e cila do të kthehesh me gjithë veprat e tua në këtë cikël jete.

Një buzëqeshje e sinqertë e jotja është më e vlefshme se disa monedha të një të pasuri. Mos humb kohë duke u sorollatur nëpër rrugë, por zgjoje veten dhe nisu drejt një rruge me fund solidaritetin, nisu me një qëllim të mirëqenë, ku të falësh shpresë dhe barazi.

Nisu më qëllim që t’u shuash urinë të pangrënëve, t’u japësh lirinë të burgosurve në qoshet e rrugës, t’u falësh dritë atyre që njohin vetëm errësirë.

Një i varfër është sprovë për një të pasur. Kjo është arsye mbi të cilën ne kemi obligim të dhurojmë dashuri dhe përkrahje për të pikëlluarit në varfëri. Në jetë, të gjithëve ne na bashkon një rrugë, një destinacion. Brenda kësaj rruge qëllimet janë të ndryshme, pothuajse gjithçka është ndryshe, nuk jetojmë në të njëjtin nivel jetese, mendimet i kemi të ndryshme, dikush shijon paranë, dikush tjetër vuan për një kafshatë bukë. Sigurisht është një diferencë shumë e madhe. Gjithçka është në dorën e Krijuesit, atij i mbështetemi dhe i kërkojmë ndihmë, i lutemi të sjellë ushqim atje ku mungon vakti i bukës, të sjellë mundësinë e mirë për të jetuar atje ku nuk ka shpresë dhe të na falë dije që t’i bashkohemi një synimi!

Jep zekatin në emër të Allahut! Lavdi i qoftë Allahut të Madhërishëm i cili na jep jetë dhe furnizim dhe i hap zemrat tona ndaj atyre të cilët kanë nevojë për ndihmë, duke na mbrojtur nga koprracia, lakmia dhe mungesa e ndjeshmërisë. Gjithçka bëhet më e mirë kur di se si të dhurosh ngrohtësi, kur mëson dhe u mëson të tjerëve të buzëqeshin përpara një të varfëri. Realiteti është i trishtueshëm, por bashkë mundemi ta ndryshojmë, me buzëqeshje ne mundemi të eliminojmë çdo skamje, çdo pikëllim e gjithçka tjetër. Ky qëllim që na bashkon, na tregon se besimi i fortë nuk tretet por mbetet i palëkundshëm edhe kur njeriu jeton në mjerim. Zekati është nocion i të kuptuarit dhe aplikimi i drejtë i të cilit është me rëndësi për çdo musliman. Nuk ekziston loti atje ku njeriu mbështet njeriun, atje ku bamirësia shpëton njeriun nga skamja dhe mjerimi.                                                                                                                                                                                                      Revista Familja, janar 2017