Dieta ushqimore e gruas shtatzanë

54

Shtatzania është një gjendje fiziologjike që kërkon kujdes dhe përkushtim ndaj organizmit të vetë gruas dhe në ndihmë të zhvillimit të një krijese të re. Dieta e gruas shtatzanë duhet të jetë e larmishme dhe jo e njëanshme, për t’i mundësuar vetes dhe fetusit të marrë të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme, sepse ne jemi ajo ç’ka ushqehemi. Organizmi i njeriut ka nevojë për grupin e gjashtë ushqyesve, të cilët janë: proteina, karbohidrate, yndyrna, vitamina, ujë dhe lëndët minerale, ku secili i mundëson organizmit…

energjinë për të cilën ka nevojë. Këshillat dietike bazohen në moshën, peshën dhe aktivitetin fizik të gruas. Nevoja për kalori rritet 10-15% gjatë shtatzanisë. Ajo është rreth 2000 kkal në ditë në tremujorin e parë; 2100 kkal në tremujorin e dytë dhe 2250 kkal në tremujorin e tretë.

– Gruaja shtatzanë ka nevojë për një sasi proteinash, kërkesa për të cilat rritet me 20%. Kjo përbëhet nga 60-80 gr në ditë dhe në shtatzanitë me binjakë 90 gr proteina në ditë, ku nga këto 2/3 janë proteina shtazore dhe 1/3 janë proteina bimore. Nëna këto i plotëson duke ngrënë mish, qumësht, djath, peshk,vezë, bizele, fasule, thjerrëza etj. Proteinat shtazore janë të pasura në aminoacide, andaj këshillohet ngrënia e 150 gr mishi pa yndyrë në ditë. Kjo mund të zëvendësohet me peshkun, vezët, qumështin dhe nënproduktet e tij. Pra ½ l qumësht, dy racione djathë dhe 1 vezë plotësojnë nevojat ditore për proteina. Qumështi është i pasur në kalcium dhe proteina laktike, që lehtësojnë marrjen e kalciumit nga organizmi, si dhe vitamina D nxit rritjen e kockave. Disa ushqime, si: soja, fasule, thjerëza, kanë proteina bimore lehtësisht të asimilueshme nga organizmi. Statistikat tregojnë se ushqimi me proteina të mjaftueshme dhe të ekuilibruara pakëson anemitë në shtatzani.

– Gruaja ka nevojë dhe për një racion yndyrorë, i cili varion nga 60-80 gr në ditë. Ato i merr me qumështin, gjalpin, vajin bimor, dhjamin, margarinën dhe vezën. Marrja e mjaftueshme e tyre mbron gruan nga mungesa e vitaminave të tretshme në yndyra, si: vitamina A, E, D, K. Nga ana cilësore këshillohet marrja e yndyrnave që përmbajnë acidin linoleik, i cili gjendet në sasi të mjaftueshme në vajin e ullirit. Zhvillimi i mirë i fetusit dhe i të porsalindurit ka nevojë për acide yndyrore omega 3 dhe omega 6. Edhe karbohidratet janë substanca ushqimore bazë e fetusit. Nevoja për glucide është rreth 200 gr në fillim të shtatzanisë, 250 gr në tremujorin e dytë dhe 300 gr në tremujorin e tretë. Këto nevoja mbulohen me dy grupe:

– karbohidrate me përthithje të ngadaltë, sikurse janë orizi, buka, patatet, makaronat etj. Këto ushqime mbrojnë organizmin nga ulja e sheqerit në gjak;

– karbohidrate me përthithje të shpejtë, në të cilat bëjnë pjesë lëngjet e konservuara, të cilat kanë ëmbëlsues të ndryshëm, duhet të pakësohen në shtatzani sepse nuk kanë efekt në ndërtimin e organeve dhe favorizojnë dhjamosjen;

-Vitaminat nuk sintetizohen nga nëna dhe fetusi, pra janë të domosdoshme të merren me racionin ushqimor. Vitaminat ndahen në dy grupe; vitamina të tretshme në yndyrna dhe vitamina të tretshme në ujë. Nevoja për vitamina A, D, E, K mbulohen nga yndyrnat bimore. Duhet të vlerësohet se mungesa e vitaminës K në lindje është e shpeshtë dhe ka mundësi të shkaktojë sëmundje hemoragjike të të porsalindurit. Ndër vitaminat e tretshme në ujë është vitamina C. Nevojat e saj mbulohen me konsumimin e frutave dhe patateve. Qumështi nuk përmban vitamin C. Acidi folik është i domosdoshëm në ndërtimin e AND-së dhe ARN-së për rritjen dhe shumëzimin e qelizave. Nevoja ditore është 1.5-2 mg dhe sigurohet nga perimet jeshile, kryesisht ato gjethore të paziera, si: sallata, spinaqi etj. Mungesa e acidit folik shprehet në gjysmën e dytë të shtatzanisë, me dobësi, zbehje, mungesë oreksi, mungesë humori etj. Edhe fetusi preket nga kjo mungesë e acidit folik, ku në rastet më të zakonshme përmendim;

– Ulet pesha e fetusit në lindje, shtohet rënia në peshë në javët e para të jetës;

– Shtohen lindjet e parakohshme;

– Është vërtetuar se nga mungesa e acidit folik shtohen keqformimet e sistemit nervor, si: spina bifida e anencefalia.

Lëndët minerale janë kryesore në grupin e ushqyesve për një dietë sa më të shëndetshme. Ndër më kryesoret përmendim hekurin dhe elementët e tjerë. Nevojat për hekur janë 80 mg në tremujorin e parë, 390 mg në tremujorin e dytë dhe 385 në tremujorin e tretë. Në shtatzanët nevoja është 25-50 mg në ditë. Nëse sasia e marrë e hekurit është e ulët, atëherë fetusi konsumon hekurin që gjendet në gjakun e nënës duke e varfëruar atë dhe duke i shkaktuar anemi. Gjithashtu, lëndë të tjera minerale që duhet të merren me ushqimin dhe ndihmojnë në shëndetin e gruas dhe fetusit janë: kalciumi, fosfori dhe flouri, i cili parandalon kariesin e dhëmbëve; magnesi, ku mungesa e tij është relativisht e shpeshtë në shtatzanët dhe shkakton sindroma dhimbjesh. Gruaja shtatzanë kripërat minerale dhe vitaminat i merr duke ngrënë perime dhe fruta në mënyrë të rregullt dhe të përditësuar.

Gjithashtu, rekomandohet pirja e ujit në sasi të moderuar sipas nevojave të stinës dhe aktivitetit fizik. Rëndësi ka mbajtja e një orari të rregullt në ushqyerje, përgatitja e gjellëve të shijshme dhe përtypja e mirë e tyre. Shtatzania është një periudhë begatie, harmonie dhe qetësie për femrën. Duhet ditur sesi t’u gëzohesh etapave të jetës për të qenë falënderues te Zoti dhe e lumtur. Fëmija është amanet i Zotit për prindërit, andaj ai kërkon të gjithë përkujdesjen, dashurinë dhe kohën e nevojshme për të qenë i shëndetshëm.