Dita e gënjeshtrave apo një jetë plot gënjeshtra?

119

Nga Orjola Sula

1 Prilli njihet botërisht si “Dita e gënjeshtrave”. Pavarësisht origjinës pagane dhe gazmore të festës, ajo i ka rezistuar kohërave ndër shekuj duke mbetur e gjallë mes njerëzve që venë në lojë njëri-tjetrin. Familjarët por edhe miqtë apo kolegët në këtë ditë mendojnë sesi mund të na fusin në “grackë” me gënjeshtra që më pas krijojnë situata komike. Përgjithësisht ajo konsiderohet si dita e budallenjve që u besojnë çdo lloj gënjeshtre. Megjithatë në vende të ndryshme kjo festë ka nuanca të ndryshme. Në Skoci 1 Prilli njihet si dita e njerëve egoistë kurse në Iran ajo i referohet një festivali kulturor. Ndër shekuj në këtë ditë njerëzit kanë vënë në lojë vese të shoqërisë apo edhe zakone të jetës së përditshme. Por në ditët e sotme është bërë kaq normale të gënjesh, saqë askujt nuk i bën më përshtypje duke bërë që kuptimi i vërtetë i kësaj dite të zbehet. Rasti më flagrant janë gënjeshtrat që dëgjojmë në çdo fushatë elektorale apo premtimet e politikanëve. Por edhe media për fat të keq është kthyer në një burim informacioni të shtrembëruar.

Duke pasur si qëllim shitjen e “lajmit”, shumë media elektronike dhe të shkruara luajnë me fjalët duke krijuar tituj bombastikë që nuk kanë aspak lidhje me realitetin dhe të vërtetën. Të ashtuquajturat “gënjeshtrat e bardha” për hir të së vërtetës përdoren nga të gjithë ne. Që në vegjëli prindërit i gënjejnë në forma nga më të ndryshmet fëmijët e tyre për tu treguar se përse disa veprime janë të rrezikshme apo kur refuzojnë për të ngrënë. E më pas kjo mënyrë sjelljeje bëhet pjesë e përditshmërisë sonë duke bërë që gënjeshtrat e vogla të kthehen në të mëdha.

Jetojmë mes gënjeshtrash që mbushin boshllëkun në jetën tonë. Për mirë apo për keq qofshin, gënjeshtrat janë bërë pjesë e jetës dhe shpesh na ndihmojnë për të dalë nga situata të sikletshme. Kjo shpjegohet edhe me faktin se jeta është bërë aq e vrullshme dhe kaotike saqë shpesh nuk jemi në gjendje të menaxhojmë orët e minutat. Nga ana tjetër problemet social-ekonomike kanë shtuar stresin mes njerëzve. Gjithsesi gënjeshtra në rastin më të mirë dhe mashtrimi si forma më e rëndë e saj, po e degradojnë shoqërinë. Edhe pse në familje na mësojnë të themi gjithnjë të vërtetën, është e pamundur që në jetën tonë të mos gënjejmë, qoftë edhe për një qëllim të mirë.

5d151539-02d2-48b9-b482-344a9bd55b6a---0-

Të gjithëve na ka ndodhur që edhe në vendin e punës të “gënjehemi” mes kolegësh deri në atë pikë sa të humbim besimin tek njëri-tjetri, gjë që ndikon edhe në uljen e rendimentit të punës. E njëjta gjë ndodh edhe në shoqëri. Kur dy miq nuk takohen prej disa ditësh apo vitesh, pas një ritakimi sajojnë justifikime nga më të ndryshmet mbi arsyet se përse nuk janë takuar apo nuk kanë telefonuar njëri-tjetrin. Si pasojë, marrëdhënia mes tyre ftohet, duke arritur në të shumtën e rasteve edhe në prishjen e një miqësie të fortë. Por forma më e rëndë dhe më e shëmtuar e gënjeshtrës është tradhëtia bashkëshortore. Bërthama e familjes, lidhja e ngushtë mes dy partnerëve është tronditur ndjeshëm vitet e fundit pikërisht nga tradhëtia, e cila pason gënjeshtrat e njëpasnjëshme mes një çifti. Rastet e divorceve pranë dyerve të gjykatave janë rritur në mënyrë drastike vit pas viti. Sikur të mos mjaftonin problemet e mëdha që po kalojnë popujt e gjithë botës sot, duket se gënjeshtrat po e trazojnë dhe rrezikojnë vazhdimisht jetën tonë. Të gënjesh është kthyer tashmë në një trend edhe për adoleshentët dhe të rinjtë. Të bëjnë përshtypje fotot pikante të adoleshentëve apo personazheve të njohur që publikohen herë pas here në internet. Duke përdorur truke të ndryshme, në këto foto shtrembërohet realiteti duke i bërë njerëzit të besojnë një gënjeshtër. Po kështu shumë adoleshentë janë gënjyer nga adresa të rreme në internet duke rrezikuar të bien prѐ e njerëzve maniakë. Nga ana tjetër shumë raste të mashtrimit financiar kanë ndodhur nëpërmjet teknologjisë ku të ashtuquajturit “Hacker” vjedhin apo deformojnë informacione me interes publik. Madje disa studentë që e konsiderojnë veten gjeni të teknologjisë, kanë arritur të vjedhin edhe banka duke u futur në mënyrë të paligjshme në sisteme bankare. Është detyrë e instancave shtetërore që të zbulojnë këto mashtrime duke vënë përpara ndëshkimit përgjegjësit. Por nga ana tjetër është detyrë e shoqërisë dhe e familjes që të ndërgjegjësohet se fëmijët tanë duhet të jenë të sinqertë pasi është më mirë të pranojmë të vërtetën ashtu siç është sesa ta shtrembërojmë atë. Gënjeshtra nuk duhet të jetë më pjesë e jetës sonë. Le të jetë 1 Prilli e vetmja ditë në vit ku gënjeshtrat e thëna të bëhen mësim për të gjithë ne, pasi askujt nuk i vjen mirë kur bëhet prѐ e gënjeshtrës apo mashtrimit.

1856p37rev7q4jpg

Revista “Familja”, prill 2017