Dituria

73

Nga Armira Jaku

Një fjalë e shkurtër, e lehtë për t`u shqiptuar por mjaft e vështirë për t’u zotëruar. Të posedosh dituri është një karakteristikë e lartë njerëzore, që njeriun e ngre dhe i hap rrugët e vështira të jetës. Dituria është një çelës që hap shumë dyer të rëndësishme.

Jeta e përball njeriun me shumë sprova, vështirësi dhe emocione të ndryshme por ne nuk duhet t’u përgjigjemi me pesimizëm. Përdorimi i urtësisë dhe diturisë na ndihmon t’i kalojmë duke u munduar që çdo gjë në këtë botë të jetë një eksperiencë domethënëse dhe jo një plagë e shkaktuar nga mungesa e diturisë.

Dituria është një rrugë mjaft e vështirë, por pas saj fitojmë shumë. Fitojmë atë që një gjallesë e bën të quhet njeri: siç janë

edukata;

– urtësia;

– dashuria ndaj njerëzve;

– mirësjellja;

-optimizmi dhe

mbi të gjitha njeriu me dituri mund të krijojë dhe menaxhojë lumturinë dhe pasurinë.

Të kesh dituri do të thotë të punosh shumë. Të mos ndalesh asnjëherë pasi dituria nuk ka fund, por as lodhja ndaj saj s’duhet të shuhet asnjëherë. Një njeri jo shum i ditur por që punon është më i dobishëm se një njeri i ditur që rri kot. Sot çdo gjë ndalet tek letrat. Diturisë i iku vlera atëherë kur doli diploma, por diplomacia s’është gjë tjetër veçse aftësia e të ndarit të tortës, në atë mënyrë ku secili mendon që ka marrë copën më të madhe.

Dituria është e lidhur me logjikën e jo me imagjinatën, me gjërat konkrete dhe jo iluzionare. Logjika të çon nga A-ja tek Z-ja, ndërsa imagjinata KUDO. Të marrësh rrugën për dituri, ke marrë rrugën e së vërtetës, një rrugë drejt dritës që të ndjek ngado që shkon, duke të ndriçuar edhe atëherë kur jeta papritur të krijon ndonjë eklips të befasueshëm.

Rev. Familja, maj-qershor 2015