Edukata dhe mirësjellja, rruga drejt lumturisë

66

Nga Ermanda Mema

Fjala “edukatë” vjen nga fjala latine “educere” e-ducere – nxjerr jashtë. Pra, kjo fjalë ka domethënien e nxjerrjes në dritë e të gjitha aftësive, cilësive shpirtërore, mendore dhe fizike që gjenden brenda njeriut e që fitohen nën ndikimin sistematik të shkollës, të familjes e të shoqërisë nëpërmjet të mësuarit dhe të punuarit.
Rilindasi dhe profesori i nderuar Aleksandër Xhuvani, në vitet 1920, shprehej se qëllimi i edukatës është formimi i personalitetit të njeriut.

Mësimi ka për qëllim të formojë njerëz me gjykim më vete, të lirë, të fortë për çdo ngjarje të jetës e me një dashuri të vërtetë për çdo gjë të ndershme e cila lidh shoqërinë njerëzore. Sipas tij detyrat e edukatës janë: edukata qytetare, kombëtare, fetare, fizike, morale, mendore, estetike dhe edukata në punë. Ideali i edukatës arrihet pikërisht me organizimin e drejtë të këtyre detyrave.

Edukata e mirë është rregullatori më i mirë i marrëdhënieve tona me veten, familjen dhe me shoqërinë. Ajo bëhet e dukshme me anë të sjelljeve tona, të cilat mund të jenë të zakonshme ose devijante…
“Sjellja e zbukuron njeriun”- është një shprehje e vjetër e popullit. Një individ me sjellje të bukur ka gjasa të jetë më i suksesshëm me veten dhe me mbarë botën sociale. Mirësjellja, komunikimi, toleranca, respektimi i njerëzve, të qeurit drejtpërdrejtë, i mirë dhe i çiltër, pa dyshim që interpretohen si cilësi dhe virtyte të njerëzve të preferuar nga të gjithë. Ndërkohë që të qenurit i pasjellshëm, mohues, i zymtë, negativ, jo tolerant, gënjeshtar, arrogant, agresiv janë tipare të dëmshme jo vetëm për veten por për të gjithë rrethin social.
Rezultati i sjelljeve tona pozitive është mjaft i dobishëm.
• E qeshura e ndihmon gjakun të qarkullojë më lirshëm
• Përqafimet çlirojnë hormonet e oksoticinës dhe endorfinës,të cilat pastrojnë toksinat nga trupi dhe rigjenerojnë qelizat e reja ose të dëmtuara
• Kur qëndroni me njerëz të dashur, qetësohen nervat, ulet niveli i stresit, zemra përmirëson rrahjet dhe forcohet
• Kur lexoni mesazhe të bukura që ju drejtohen juve, ulet kolesteroli në gjak
• Të gjitha sjelljet pozitive pakësojnë mundësinë që të keni atak në zemër…etj.
Me familjen dhe shoqërinë, si rezultat i sjelljeve pozitive merr dashuri, përkujdesje, respekt, përkrahje, mirësjellje, tolerancë etj…
Ndërkohë që rezultati i sjelljeve tona negative është i padëshirueshëm. Ne kemi ndjenja faji zemërohemi, zhgënjehemi, mërzitemi, izolohemi, shqetësohemi, sëmuremi etj. Kurse në familje dhe shoqëri refuzohemi, grindemi shpesh me ta, mund t`i dëmtojmë ata dhe veten tonë dhe jetojmë në presion të vashdueshëm.
Sjelljet negative bëhen faktorë të fuqishëm për sëmundje të rënda dhe shpesh të pashërueshme. Veset e liga prodhohen nga liria e tepruar pa kufi. Kjo liri është nëna e shkatërrimit.
Si për individët ashtu edhe për shoqëritë, shëndeti është një gjë e dëshiruar, kurse sëmundja është një gjë e urryer dhe e keqe.
Sjelljet e shëmtuara kanë pasoja tepër negative. Ato janë të lidhura mes njëra-tjetrës si hallkat e zinxhirit dhe krijojnë një grup valltarësh që dalëngadalë i afrohen humnerës pa diktuar gjë.
Shkencëtarët pohojnë se, “shkatërrimet që kanë bërë në shekullin XX alkoolizmi dhe narkomania s’i kanë bërë as luftërat e as epidemitë më të rënda”. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë trishtuese: 240.000 vetë të grupmoshës 15-20 vjeç kanë gjetur vdekjen nga droga. Asnjë prej narkomanëve s’ka jetuar mbi 10 vjet prej ditës së hyrjes në këtë “valle”. Të rrallë janë ata që i kalojnë pesë vjet. Fundi i të thelluarve në narkomani është ose çmenduria ose vdekja.
Dhimbshëm tingëllon fakti se edhe fëmijët e narkomanëve lindin si prindërit e tyre (narkomanë). Deri në fund të korrikut të vitit 1989 në Amerikë kanë lindur 975.000 fëmijë të varur ndaj narkomanisë. Alkooli është një problem tjetër i madh. Në vitin 1972, numri i përgjithshëm i alkoolistëve në SHBA ka qenë 95 milionë. Në këtë vend, çdo vit humbin jetën përafërsisht 25.000 njerëz nga aksidentet rrugore të cilat vijnë si pasojë e dehjes nga alkooli. Sipas një hulumtimi të bërë, në Hollandë 80 %-shi i kriminelëve përdorin alkool kurse në Zvicër 67 % e tyre. Ndërsa sipas të dhënave të po kësaj organizate, në botë ka rreth 1 milardë e 360 milionë duhanpirës. Mendohet se 4 milionë persona në vit vdesin nga sëmundjet që kanë lidhje me duhanin.
Sipas parashikimeve të programit të përbashkët të Kombeve të Bashkuara mbi SIDA-n dhe OBSH deri në fund të vitit 2000 në botë ka patur përafërsisht 36.1 milion të rritur dhe 1.4 milion fëmijë të infektuar prej HIV-it. Këto shifra janë më të larta se ato të parashikuarat nga OBSH-ja në vitin 1991. Vetëm gjatë vitit 2000 janë infektuar mbi 5.3 milionë dhe kanë vdekur rreth 3 milionë njerëz, numër ky më i madh që prej kur është paraqitur kjo epidemi. Sipas raportit të CDC-së , 1 në 100 qytetar të SHBA-së është i infektuar prej virusit të SIDA-s.

Si mund ta përmirësoni veten tuaj?
Kur bën një vepër të keqe dhe nuk e di se po e bën një të tillë, ky është një problem por kur e di se është vepër e keqe dhe vazhdon ta veprosh, ky është një problem akoma më i madh…
“Kush i thotë lamtumirë një vesi të keq, shpërblehet me një mirëseardhje nga një e mirë”!
Disa këshilla të çmuara:
-Buzëqesh
-Shpreso
-Ji mirënjohës
-Syno përmirësimin dhe arritjet
-Duro
-Komuniko, flit për ndjenjat e tua
-Hesht kur është e nevojshme
-Qaj kur të vjen për të qarë
-Prano diversitetin
-Ndihmo të tjerët
-Lidhuni me miq të besueshëm
– Mos imitoni të tjerët, por jini vetvetja

SI MUND TE KENI NJË FAMILJE TË SHËNDETSHME?
Shumë njerëz mund të ndërtojnë shtëpi të bukura, por pak njerëz jetojnë të lumtur brenda tyre.
Sigurohu në fillim të ndërtosh marrëdhënie të forta, pastaj ngri mure të larta!
Si t’i zgjidhim konfliktet në familje?
Përmes komunikimit, kjo është rruga e vetme.
Konfuci ka thënë se:
“Nëse dëshiron të vendosësh rregull në një vend, vendos rregull nëpër provinca.
Nëse dëshiron të vendosësh rregull në provinca, duhet të vendosësh rregull nëpër qytete.
Për të vendosur rregull në qytete, duhet të sjellësh rregull nëpër familje.
Nëse dëshiron të vendosësh rregull nëpër familje, duhet të sjellësh rregull në familjen tënde.
Nëse dëshiron të sjellësh rregull në familjen tënde, duhet të vendosësh rregull brenda vetes tënde”.
Disa këshilla kur je i zemëruar:
-Kur të zemërohesh dhe je në këmbë, ulu…nëse je ulur dhe zemërimi nuk të kalon, shtrihu
-Kur të zemërohesh, merr abdes
-Para se të bësh një veprim të nxituar, numëro deri në 10.
“Vetëm edukimi mund t’i zbulojë thesaret e tij dhe ta mundësojë njerëzimin të përfitojë prej tyre”. (Mirza Hysen Ali Nuri, 1892)

 Rev. Familja, janar 2015