Eksperiment me një nënë shtëpiake

16

Kushedi sa herë nënat që qëndrojnë në shtëpi dhe nuk punojnë, paragjykohen se kanë një jetë të lehtë, komode, pa shumë shqetësime, pa orare për të ndjekur. Këto paragjykime nuk i ka vetëm shoqëria në tërësi, por ndonjëherë edhe vetë bashkëshorti, i cili pjesën më të madhe të ditës e kalon jashtë shtëpisë. Për të kuptuar më shumë rreth ditës dhe angazhimit të saj, duhet të marrim një lupë dhe të zgjerojmë këndvështrimin mbi atë që vërtetë bën një grua në shtëpi.

Le të mendojmë se dita nis diku rreth orës 7:00, ndoshta pak më herët ose pak më vonë. Faktikisht ky është orari i zgjimit të fëmijës dhe jo preferencë e nënës shtëpiake. Veprimet e para janë veshja e fëmijës, ndërrimi i bebelinave ose çuarja në tualet. Pastaj vendqëndrimi kryesor është kuzhina. Aty është një oaz i tërë me veprimtari, ku çdo moment dalin gjëra për të bërë.

Mëngjesi:

Përgatitja e mëngjesit së bashku me të ushqyerin shkon mesatarisht një orë ose dhe më tepër (varet sa tekanjoz është fëmija). Pastaj nëna vetë mund të hajë shpejt e shpejt, ndoshta edhe në këmbë ose duke u çuar disa herë sepse fëmija krijon prapësira çdo minutë.

Një shëtitje jashtë shtëpisë:

Rreth orës 9:00 mendohet  një shëtitje jashtë, pak ecje dhe ndoshta një kafe në një bar. Pas një lufte të vogël për të veshur fëmijën, nëna gjen dy minuta për të veshur diçka të shpejtë për veten. Ulet në lokal dhe të vjen kafja, ku faktikisht ia merr kamarierit që nga tabakaja se fëmija ka dorën më të gjatë dhe është gati ta rrëmbejë dhe ta derdhë. I gjithë qëndrimi nuk shkon më shumë se gjysmë orë. Rruga vijon për nga tregu për të bërë pazarin ku dhe njëkohësisht duhet të hutojë fëmijën me ndonjë lojë sepse ai nuk ka durim të qëndrojë përballë shitësve dhe të presë negociatat për ulje çmimi. Kthehet në shtëpi ku me mendje kujton se kanë kaluar nja 3 orë të mira por jo. Ora është 10:30, lë qeset me ushqime, merr fëmijën e fut në tualet dhe fillon pastrimin.

Dreka:

Stacionohet sërish në kuzhinë. Është koha e përgatitjes së drekës. Lan perimet, i lë pak në ujë,  i qeron, pret, gatuan. Gatimi i merr gruas shtëpiake nga 1 orë deri në 2 orë në varësi të recetës. Koha është edhe në varësi të moshës së fëmijës, ku për të gatuhet veç dhe për të rriturit veç. Nuk përfshihen këtu burrat tekanjoz që duan tre pjata dhe ato mos të jenë të njëjta si në drekë edhe në darkë.

Ora ka shkuar 12 dhe mbetet diku një orë kohë, lojë me fëmijën. Tapeti është plot me lodra, divani po ashtu, tavolina  e çdo gjë tjetër kthehen përmbys.

Në orën 13:00  ushqet fëmija. Ulja në tavolinë dhe të ushqyerit mund të shkojë nga 30 minuta deri në 1 orë.

Gjumi. I bekuari gjum!

Në orën 1:30 është e mira që fëmija të jetë në gjumë.  E bën gati, i lan duart, fytyrën, e ndërron dhe e shtrin ku për gjysmë orë mund ta zërë gjumi. Vjen koha ku nëna mund të ushqehet për veten e saj, por sa më shpejt të jetë e mundur sepse e pret një lavaman gjigand me enë qiellgërvishtëse, një tavolinë për t’u sistemuar dhe kuzhina për t’u rregulluar. E gjitha kjo shkon deri në 2 orë. Pastaj radhën e ka tualeti dhe koshi i rrobave që qëndron gjithmonë plot. Ajo e zbraz dhe i fut rrobat në lavatriçe, ndërsa “njeriu i padukshëm” e mbush sërish. Po ashtu janë dhe disa rroba që mendohen tˋi lajë me dorë se janë delikate. Kurse kuzhina apo vendqëndrimi i fëmijës është një tjetër vend që kërkon shumë durim për t’u pastruar, edhe pse ajo pas disa orësh do bëhet sërish në atë gjendje.

Momenti yt, apo jo?!

Sapo ulet me pult në dorë fëmija zgjohet. Shkon e merr, e vesh, e qetëson nga nervi i gjumit. Sapo stabilizohet vjen orari i ngrënies së zemrës. Ndërkohë nëna gjendet ende në kuzhinë, aty pranë lavamanit, sobës dhe frigoriferit.

Pasditja:

Erdhi pasditja dhe vjen burri nga puna dhe si shtëpiake nëna i përgatit ushqimin në tavolinë. Bëjnë një shëtitje rreth e qark lagjes që të tre, apo qendër tregtare ku sërish nëna qëndron thuajse gjatë gjithë kohës në këmbë. Faktikisht këtu nuk po përfshijmë ato familje ku burri më parë se të vijë në shtëpi del me shokët te lagjja të qetësohet pak se është i lodhur nga puna.

Më në fund darka!

Vjen darka dhe procesi i ushqimit është i njëjtë me fëmijën. Më pas vjen dërgimi për në shtrat dhe vënia në gjumë, ku me shumë mundësi nënën e zë gjumi më përpara. Nëse qëllon që zgjohet ka disa sistemime të tjera dhe pjatën e lënë përgjysmë të fëmijës, të cilën është në mëdyshje për ta ngrënë apo jo.

Ka akoma:

Mendoni se është koha për të fjetur por jo. Është tavolina e hekurit që pret aty me një autoritet të madh dhe nevrik që thërret për të hekurosur një mal me rroba.

Një grua shtëpiake punon mesatarisht 13 orë, por që mund të shkojë edhe më tepër. Këtu mund të hiqni apo të shtoni disa orë dhe kjo në varësi se sa bashkëpunues është bashkëshorti dhe sa fëmijë ka kjo grua. Në këtë listë nuk renditen orët e kaluara me fëmijën jashtë shtëpisë pasdite. Ndoshta teorikisht shëtitja nuk quhet punë, por të merresh me fëmijën gjatë lojërave të tij është realisht një punë më vete. Gjithsesi, e gjithë çështja qëndron te mos vlerësimi i gjithë orëve që ajo qëndron në shtëpi ku kujdeset për të gjitha.

 

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Marsida Simo