Elida Lugaj -Jeta mes pasionit dhe bindjes

58

Cili ka qenë momentet e parë që ju keni treguar se keni talent në artin e të pikturuarit?

Qysh në moshë të vogël, si çdo fëmijë i moshës sime (4-5) vjeç, kisha shumë dëshirë të vizatoja, por e veçanta ime ndoshta ka qenë se unë rrija me orë të tëra duke vizatuar. Prindërit e mi ishin të parët që e vunë re talentin tim dhe më përkrahën shumë në këtë drejtim.

Në moshën e zhvillimit tuaj artistik Shqipëria ishte duke përjetuar trazira. Sa ua vështirësoi kjo gjendje vënien në zbatim të pasionit tuaj?

Po është e vërtetë që në ato vite në Shqipëri ndodhën ndryshime të mëdha dhe sigurisht që këto ndryshime patën pasojat e tyre, një ndër këto ishte aspekti ekonomik. Dihet që shkolla ime është e kushtueshme, dhe vetëm për të siguruar materialet kryesore prindërve të mi u duhej të sakrifikonin shumë në atë kohë. Disa materiale ndonjëherë më duhej t’i merrja në Tiranë, pasi në Fier mungonin. Pasiguria që u krijua në përgjithësi ishte një nga këto pasoja, e cila i detyronte shpesh prindërit e mi të më shoqëronin në shkollë apo të më vëzhgonin në vendet ku unë punoja. Shkoja nëpër azile, pazare, sheshe dhe bëja skica të ndryshme. Kjo ka qenë periudha më e vrullshme dhe më intesive në drejtim të formimit artistik. Në atë periudhë realizova me qindra skica, vizatime dhe piktura. Ishte pak e vështirë në atë kohë kaotike për një vajzë të moshës sime, por jo e pamundur nëse ke dëshirë dhe vullnet. Në fund të fundit mundi shpërblehet. Unë arrita të fitoja konkursin me pikë maksimale në Akademinë e Arteve në vitin ‘97. Edhe konkursi pati problemet e veta. Gjatë konkursit, që ishte disa ditorë, ndodhi vrasja e Azem Hajdarit dhe në ditën që mbarova konkursin, mes rrëmujës dhe ankthit gjatë kthimit me autobuz për në Fier, i shpëtuam bllokimit të rrugëve, por kjo është histori më vete. E rëndësishme është që gjithçka përfundoi mirë.

DSC_0057ush është ai person, që në njëfarë mënyre i jeni mirënjohëse për formimin vendimtar në këtë fushë?

Prindërit e mi janë të parët që u jam mirënjohëse për të gjitha sakrificat dhe mundin e tyre në shkollimin tim. Ata më nxitën me kurajo dhe durim që të eci në këtë rrugë të vështirë, në rrugën e artit. Përveç tyre nuk mund të lë pa përmendur mirënjohjen time të thellë për profesorin tim të Liceut Pandi Lena. Ai më ka dhënë parimet bazë dhe teknikat kryesore në art dhe një mbështetje të madhe, sidomos dy vitet e fundit të Liceut, ku unë punova më intesivisht.

Ju shpesh keni marrë pjesë në konkurse dhe keni fituar çmime. A mund të na përmendni cili ka qenë momenti më i veçantë për ju?!

Momenti im më i veçantë, ku në nje farë mënyre jam ndier e vlerësuar dhe e lumtur, ka qenë shumë herët, në periudhën e Liceut. Në një konkurs që u zhvillua në shkollën tonë, unë mora çmimin e parë. Mbaj mend që më dhuruan një libër goxha të kushtueshëm, librin “Histori e Artit”. Ajo ditë ka qenë shumë e veçantë dhe s’besoj se mund ta harroj lehtë për shkak të emocioneve që më ka dhuruar.

Çfarë ju frymëzon më shumë, ku e gjeni veten?

Të them të drejtën mua më frymëzon gjithçka që më emocionon në çfarëdolloj kuptimi. Natyra është për mua një lloj burimi ku unë marr dhe mësoj prej saj gjithçka që më duhet për pikturën time. Veten e gjej tek peizazhi impressionist, piktura dekorative dhe abstrakte, kolazhi etj. Kam një lidhje të qëndrueshme me formën dhe ngjyrën dhe nëse ndodh të shkëputem për një periudhë të shkurtër, shpesh për arsye familjare, përsëri vjen momenti t’i rikthehem studios me një dëshirë akoma më të madhe për të punuar. Kam shumë ide, të cilat më duhet t’i realizoj në pikturë, kaq shumë sa më duket ndonjëherë se nuk më mjafton koha. Duke qenë grua dhe nënë e tre fëmijëve, puna bëhet më e lodhshme. Pasi mbyll punën në studio, rreth orës 4 e gjysmë marr fëmijët nga kopshti dhe kthehem në shtëpi, ku më presin punë të tjera. Nuk diskutohet që është sakrificë, por kënaqësia që më falin fëmijët e mi dhe profesioni më bëjnë ta harroj lodhjen dhe të vazhdoj përpara. Falënderoj Zotin për mirësitë që më ka dhënë!

Po me fenë islame si jeni njohur?

Unë vij nga një familje muslimane dhe në një farë mënyre gjithmonë jam ndier e tillë, por dija rreth fesë sime më ka munguar deri në momentin që unë njoha bashkëshortin tim në vitin 1998. Në zemrën time që e vogël ka pasur vetëm një Zot dhe kur bisedoja me Ademin (bashkëshorti) rreth kësaj teme, kureshtja nuk më linte rehat dhe e pyesja për shumë gjëra. Ai ishte rritur me fenë islame, sepse është nga Maqedonia dhe atje shqiptarët janë praktikues të fesë islame. Në Fier unë nuk kisha libra apo dikë të afërm për të më folur rreth fesë sime. Kuranin e lexoja që e vogël, por unë kisha nevojë të kuptoja më shumë thelbin e të qenit muslimane. Kur njoha Ademin, ai thjesht më qartësoi mendimet rreth shumë gjërave. Pas kësaj unë e kisha shumë të lehtë të vazhdoja më tutje. Lexova shumë libra dhe mora mësime të rregullta në Qytetin Studenti bashkë me shumë shoqe të tjera.

Si e priti ndryshimin tuaj rrethi shoqëror?

Shoqëria më respektonin dhe nuk u bënte aspak përshtypje, por problemi im i madh ishte familja dhe të afërmit e mi. Për shkak të opinionit ata e kishin shumë të vështirë ta pranonin zgjedhjen time. Unë u bëra problem në familje dhe farefis. Përballova presione të ndryshme për të hequr dorë nga kjo rrugë, por asgjë nuk mund të më ndalte dhe të më shkëpuste nga besimi im. Asgjë nuk më kishte bërë aq të lumtur më parë se sa përqafimi i fesë Islame. Kisha çelësin e suksesit për këtë botë dhe tjetrën. Për familjen shamia ishte e pabërballueshme dhe, për të mos arritur deri aty, u përpoqën të më shkëpusnin fare nga feja. Mendonin se gjithë investimet dhe mundi i tyre po shkonin dëm nëse unë vazhdoja këtë rrugë. Ata ëndërronin që unë të bëhesha një artiste e njohur dhe mendonin se feja ime do të më izolonte nga bota.

qelizaJu keni jetuar në Maqedoni, te familja e bashkëshortit tuaj për 1.5 vjet. Çfarë ju ka lënë më shumë mbresa aty?

Në Maqedoni shkova mënjëherë pas diplomimit tim në vitin 2002. Për shkak të mospajtimit të prindërve me veshjen time dhe me parimet islame, të cilat unë i praktikoja, u detyrova të largohem. Largimi nga familja dhe vendi im ka qenë goxha i vështirë. Aty u përballa me traditë dhe kulturë tjetër dhe m’u desh një kohë e gjatë që të përshtatem. Përkrahja në drejtimin e fesë ishte më e madhe, por si artiste jo dhe aq. Sapo shkova në Maqedoni unë u mbulova, sepse ky ishte qëllimi im kryesor, të mbulohem sa më shpejt. Aty pata diskutime për këtë vendim, por jo presione të rënda. Një tjetër problem i madh në Maqedoni është fryma e theksuar patriarkale, por ajo që më befasoi më shumë ishte ndalimi i grave në xhami, sidomos nëpër fshatra. Përveç këtyre unë kam mbresa shumë pozitive për atë vend, si: infrastuktura në përgjithësi, natyra e mrekullueshme dhe e mbrojtur aq mirë, kurse nga ana njerëzore vlerësoj shumë unitetin që kanë njerëzit (vizitat familjare, mikpritja dhe thjeshtësia). Veshja tipike tradicionale e grave më ka tërhequr shumë si artiste. Kanë ngjyra dhe motive të mrekullueshme.

Çfarë ju dha forcë që të rrini kaq kohë larg familjes?!

Besimi im ka qenë forca ime kryesore për të përballuar vështirësitë dhe sprovat e jetës, dhe sigurisht që edhe këtë gjë e përballova me durim dhe shpresë se Allahu do të ma lehtësonte gjendjen. Nëntë muaj pas martesës sime unë linda Muhamedin. Kjo gjë më bëri të lumtur dhe m’i mbushi ditët. Vëmendja dhe përkushtimi im u kthyen nga Muhamedi, i cili nuk më linte në asnjë moment të ndiehesha e vetmuar, edhe pse familjen e kisha larg. Pak kohë më vonë edhe prindërit më pranuan bashkë me djalin në shtëpi. Që nga ai moment gjërat filluan të ndryshonin. Edhe zemra më e fortë do të ishte zbutur përpara një fëmije të vogël dhe të pafajshëm.

Sa ju ka përkrahur bashkëshorti në punën tuaj?

Bashkëshorti më ka përkrahur dhe më përkrah vazhdimsht në punën time. Ai më nxit dhe më jep kurajo që të eci përpara. Edhe pse profesionet tanë nuk janë të njëjtë (ai është programues), ne e kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin. Sa herë që më është dashur ndihma dhe përkrahja e tij, asnjëhere s’më ka munguar. Për këtë i jam mirënjohëse gjithë jetën.

dimerPërveç punës suaj me pikturën, në studion tuaj pamë se aplikonit edhe tatuazhet me këna. Mund të na flisni pak për këtë?

Po, është e vërtetë. Në studion time unë zhvilloj dhe këtë traditë që njihet dhe praktikohet më tepër në vendet islame. Këtu tek ne kjo është një gjë e re dhe më vjen mirë që po e risjell për femrën muslimane shqiptare këtë traditë të bukur dhe të veçantë. Aplikohet në duar dhe këmbë, kjo varet nga dëshira e klientëve. Në raste festash familjare apo ditë të veçanta. Kur doni të ndieheni mirë dhe bukur unë ju ftoj të aplikoni kënanë artistike. Të jeni të bindura se është e mrekullueshme.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Planet e mia për të ardhmen janë të shumta, por jo gjithçka varet nga unë. Unë do të mundohem të punoj dhe shpresoj që së shpejti të promovoj punën time brenda dhe jashtë vendit.

KORRIK-GUSHT 2013