Emrat e fëmijëve ndёrmjet ndёrtimit dhe rrёnimit

53

Allahu i Madhëruar fëmijët i konsideron stoli të kësaj bote: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira tek Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe janë më të dashura sa i përket shpresës(për shpëtim)” [El Kehf; 46]. Ashtu sikurse pasuria që është nga mirësitë e Allahut, që i janë dhënë njeriut edhe fëmija është po ashtu një tjetër mirësi dhe për këto begati që Allahu na ka dhuruar, ne kemi përgjegjësi që t’i ruajmë. Ashtu sikurse për pasurinë që kemi përgjegjësi si e fitojmë edhe ku e shfrytëzojmë, ashtu edhe për fëmijën kemi përgjegjësi të cilat fillojnë qysh para lindjes së tij, deri në përfundimin të jetës. Allahu e begaton familjen me lindjen e fëmijës dhe kjo begati i është besuar për ta mirëmbajtur prindërve të tij. Fëmija është amanet tek prindi, ndaj të kujdeset gjithësecili për ta ruajtur amanetin e tij.

“Nënë… baba…, si do të më emërtoni mua?”

names_italyEmërtimi i fëmijës është një vepër mjaft e rëndësishme në jetën e njeriut, sepse emri për fëmijën në të ardhmen do të jetë si një titull që s’do t’i vlejë vetëm për të kthyer kokën ashtu siç mendojnë disa, por do të ndikojë padyshim në formimin e tij dhe në komunikimin me njerëzit. Emri i nevojitet njeriut në çdo situatë, ai do të përbëjë qenien dhe identitetin e tij. Në bazë të tij do të identifikohet në çdo dokument të regjistruar dhe të vulosur prej lindjes dhe përveçse një zbukurim në disa raste kthehet dhe në simbol për personin, me të cilin ai thirret në këtë botë dhe me pas në Ahiret. Ndaj emri duhet të mbetet stolia më e bukur që një njeri duhet të mbartë me vete dhe kjo është detyrë e prindit që duke iu përmbajtur parimeve islame të zgjedhë emrin më të bukur për fëmijën e tij.

Zgjedhja e emrit të mirë është obligueshmëri e prindit dhe e drejta e fëmijës tek babai i tij: Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Prej të drejtave të fëmijëve tek baballarët e tyre janë tre: t’i emërtojnë me emra të bukur, t’u mësojnë atyre shkrim dhe këndim, dhe t’u martojnë ata kur të arrijnë moshën e pjekurisë”. Një ditë, një baba shkoi të ankohej tek prijësi i besimtarëve Omer Ibn Hattabi, për pabindshmërinë e djalit ndaj tij. Omeri e pyeti djalin: “Çfarë të bën të pabindur ndaj babait tënd?” I biri i tha -“O prijës i besimtarëve, cilat janë të drejtat e fëmijës tek babai i tij?” Ai tha: -“T’i zgjedhë një emër të mirë dhe një nënë e mirë për të dhe t’ia mësojë Kur’anin.” I biri i tha -“O prijës i besimtarëve, babai im nuk ka bërë asgjë nga këto.” Umeri iu drejtua babait dhe i tha: -“Ju u treguat i pabindur (ndaj detyrimeve) ndaj birit tuaj, para se ai të bëhej i pabindur ndaj teje.”

Emri i njeriut tregon identitetin e tij. Dhe ky identitet mund të jetë ose etnik (kombëtar) apo fetar. Si muslimanë ne duhet të jemi krenarë për identitetin tonë fetar dhe duhet të bëjmë çmos ta ruajmë dhe ta përçojmë këtë krenari tek fëmijët, duke i emërtuar ata me emra të bukur, ashtu sikurse feja jonë na porosit. Sepse duke mbajtur një emër fetar vërteton se bartësi i emrit nuk është vetëm një musliman, por edhe një besimtar, i cili është krenar për fenë e vet dhe identitetin e tij musliman. Islami nuk specifikon emra që muslimanët obligohen t’i zgjedhin për fëmijët e tyre, kjo është lënë në dorë të prindërve të zgjedhin emrat për fëmijët e tyre, por e rëndësishme është që të jenë emra muslimanë dhe me kuptim të mirë. Ashtu siç na ka porositur edhe Pejgamberi (alejhi selam): “Emërtoni fëmijët me emra të bukur!”

Ndikimi i emrit në personalitetin e njeriut.

Imam Ibn el-Kajjim ka theksuar se ka një marrëdhënie dhe lidhje midis personit dhe emrit të tij, dhe se emrat ndikojnë tek ata që i bartin ato dhe anasjelltas. Ai përmendi një aspekt shumë të rëndësishëm ndërmjet zgjedhjes së emrit dhe edukimit. Ai pohoi se emri i mirë i personit inkurajon dhe e nxit atë që të bëjë vepra të lavdërueshme dhe të largohet nga e keqja, prej turpit nga kuptimi i emrit të tij të mirë që mban. Fëmija lidhet psikologjikisht me emrin e tij. Disa fëmijë vuajnë për shkak se nuk i pëlqejnë emrat e tyre, ngaqë bartin kuptim të keq apo të vështirë, duke i shkaktuar atyre vështirësi të mëdha në komunikim dhe marrëdhënie me shokët, sa herë që ata e prezantojnë veten tek të tjerët. Disa çuditen me kuptimin e emrit të tyre, apo ndjehen keq ngase të tjerët tallen me emrin e tyre. Ky emër që qëndron me njeriun përgjatë gjithë jetës së tij, duke i shkaktuar probleme të cilat pastaj të bëjnë që ai të sillet keq kundrejt babait, nënës apo kujtdo që i ka dhënë atij këtë emër. Nëse prindërit do të zgjedhin një emër të bukur dhe kuptimplotë për fëmijën e tyre, këto situata s’do të ndodhnin dhe do ta bënin fëmijën të kënaqur dhe të lumtur sa herë që ai ta prezantonte veten me dikë dhe sa herë që dikush të tregonte admirimin për emrin e tij.

A duhet të bëhemi imitues të verbër edhe në emërtimin e fëmijëve?

Shikojmë familje muslimane që sot huazojnë emra për fëmijët e tyre, të modelit “tip perëndimor” pa ia ditur as kuptimin, ose mund të jenë edhe fare pa kuptim dhe ia vendosin fëmijës vetëm se mund të tingellojë këndshëm në veshin e njerëzve. Disa të tjerë tregojnë një krisje të madhe përsa i përket identitetit të tyre musliman, ata vendosin ta emërojnë fëmijën me ndonjë emër artisti, lojtari të futbollit. Ka dhe të tjerë që shkojnë akoma më larg duke i vendosur emrin e aktoreve të telenovelave, kështu pranojnë që ta emërtojnë fëmijën me emrin e një njeriu të pamoralshëm dhe ky emërtim do të ndikojë jo pak në jetën e këtij fëmije, i cili do të mundohet të ndjekë modelin prej nga prindërit e kanë huazuar emrin e tij.

Emërtimi i fëmijës në esencë duhet të përmbajë mirësi, jo domosdoshmërisht duhet që emri të jetë TRENDI!!! Nuk është e thënë të tingëllojë modern, por të përçojë një mesazh! Sepse emri nuk qëndron vetëm për një kohë, por ai të ndjek pas, kohë pas kohe deri në amshim.

Emri i fëmijës suaj do t’i shërbejë për tërë jetën, por edhe pas saj.

Është shumë e rëndësishme me cilat emra do t’i emërtojmë fëmijët tanë, sepse emri njeriun nuk e përcjell vetëm prej lindjes deri në vdekje, por edhe pas vdekjes dhe me këta emra do të thirren edhe në Ditën e Gjykimit. Muhammedi (alejhi selam) ka thënë: “ Ju në Ditën e Gjykimit do të thirreni me emrin tuaj dhe të babait tuaj, për këtë arsye vendosni emra të bukur.” (Transmetoi Ebu Davudi)
Ke vendosur të zgjedhësh për fëmijën një emër musliman? Atëherë përkujto, që emrat më të mirë janë ata që tregojnë përulje (nënshtrim) ndaj Allahut, siç thuhet në hadith: “Emrat më të bukur tek Allahu janë Abdullah (Rob i Allahut) dhe Abdurr-Rrahman (Rob i Mëshiruesit)” (Transmeton: Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)
Është e rekomandueshme që t’i emërojmë fëmijët tanë me emra të profetëve dhe njerëzve të drejtë, kjo që të jenë sa më shumë në kujtesën tonë dhe të shpresojmë që ata do të ndjekin rrugën e tyre dhe të bëhen si ata. E preferueshme është emërtimi i fëmijëve me emrat e sahabëve të Profetit (alejhi selam) duke shpresuar në pasimin e shembujve të tyre, nga kjo për të arritur status më të lartë, duke lejuar kështu mirësinë dhe lavdinë të futet në shpirtrat e tyre. Dhe më pas mund ta emërtojmë fëmijën me çdo emër tjetër që ka kuptim të mirë, qofshin këta shqiptarë apo jo. Emri konsiderohet i mirë nëse ka një domethënie të bukur dhe të këndshme.
Kur ta emërtoni fëmijën kini kujdes!

  • Mos e emërtoni atë me një emër që nënkupton robëri ndaj dikujt tjetër përveç Allahut. Siç ka qenë zakon për njerëzit në kohën e injorancës që u emërtonin me emrat e idhujve. Këto emra mund t’i vendosen fëmijës nga prindërit edhe pa e ditur, prandaj mësojeni kuptimin e emrit që dëshironi t’ia vendosni fëmijës, përpara se ta emëroni atë.
  • Muslimani nuk e emërton fëmijën me emra madhështor dhe mburrës. Kjo nisur nga hadithi, “ Emrat më të urryer tek Allahu është njeriu që e thërret veten “mbreti i të gjithë mbretërve”, sepse veç Allahu është Zoti i të gjithë mbretërve” (Transmetuar nga Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
  • Emri duhet të jetë emër i mirë e të mos jetë emër i urryer tek njerëzit apo edhe nga vetë fëmija kur të rritet.
  • Emra të cilat përmbajnë domethënie djalli apo emra njerëzish që janë të njohur për arrogancë e mosbesim, për pamoral dhe diktaturë, e kështu me rradhë.
  • Nuk emërtohen fëmijët as me emrat e Allahut të cilët i përshtaten vetëm Madhështisë së Tij siç është: el-Halik (Krijuesi), el-Rrazik (Furnizuesi), el-Rrab (Zoti) etj., të cilat janë atribute që i takojnë vetëm Allahut. Allahu thotë: “A e njihni dikë që është i ngjashëm me Të?” [Merjem 19:65].
  • Është e papëlqyer të përdoren emra të shëmtuar që i provokojnë njerëzit të tallen me mbajtësin e tij. Të tillë emra janë kundër mësimeve të Profetit (paqja e Allahut qoftë mbi të), i cili na porosit të emërtohemi me emra të bukur…
  • Një zakon i keq që ndodh në vendin tonë tek emërtimi i fëmijës është edhe vendosja e emrave “Mbarime” apo “Hume”, për të treguar me këtë se gjoja mbaroi me këtë fëmijë, kjo vajzë ishte i fundit me të cilën humbi gjinia femërore në atë familje, njëkohësisht ky emër shpreh dhe pakënaqësinë e përcaktimit për vajzë. Këtë emër me këtë pakënaqësi fëmija do ta mbartë mbi veten e saj për tërë jetën, njëkohësisht që do të ndjejë edhe ajo një pakënaqësi për emrin e saj dhe do te kujtojë gjithmonë sa e padëshiruar ka qenë për prindërit e saj, në çastin kur lindi.
  • Është e urryer të vendosen emrat, domethënia e të cilëve i referohet mëkateve, emrave të faraonëve apo mëkatarëve. Profeti (paqja qoftë mbi të) pëlqente emërtimin me emra të bukur dhe ndjente urrejtje ndaj emrave me kuptim të keq, qofshin këta emra njerëzish apo vendesh. Për këtë arsye është transmetuar se ai (alejhi selam) i ndryshonte emrat e këqinj në emra të mirë dhe të pëlqyer, si në rastin e shokut të tij Abdurrahman ibn Auf (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tregon: “Emri im ka qenë Abdul Kabah (i biri qabes) dhe kur jam bërë musliman, i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) më ka quajtur Abdurrahman (rob i Mëshiruesit)”. (Transmetuar nga Hakimi, 3/306. Dhehebiu është pajtuar me të). Ndërsa emrat e tjerë që kishin një kuptim të mirë e që nuk ishin në kundërshtim me frymën islame i miratoi, ashtu siç kishin qenë më parë, në disa raste edhe lutej për bekimin e tyre. Një ditë ai ishte duke kaluar në mes të dy kodrave dhe kur pyeti për emrat e tyre i treguan se ato quheshin Faadhih dhe Mukhzi ( kuptimi i tyre kishte të bënte me diçka të turpshme) ai preferoi të ndryshonte drejtimin e tij duke mos kaluar mes tyre.

A lejohet ndërrimi i emrit? Cilat janë shkaqet që e bëjnë të detyrueshme një veprim të tillë? Në Islam ashtu sikurse bukuria e emrit edhe vazhdimësia e tij ështe shumë e rëndësishme. Emri mund të ndërrohet duke u bazuar tek fjala e pejgamberit: “Ju në ditën e Gjykimit do të thirreni me emrin tuaj dhe të babait tuaj; për këtë arsye vendosni emra të bukur.” Nga ky hadith shikohet mundësia e ndryshimit të emrit, i cili nuk është i pëlqyeshëm në Islam, si ishin emrat të cilët kishin kuptimin e adhuruesve të idhujve. Pejgamberi (paqja e Allahut qoftë mbi të) e ka ndërruar emrin Abdul Haxher (Robi i Gurit) me emrin Abdull-llah (Robi i All-llahut). (Buhari “Edeb’l-mufred”,34).

Ndërrohen gjithashtu dhe emrat, të cilët kanë kuptim negativ apo të urryer. Pejgamberi ia ka ndërruar emrin njërit nga shokët e tij i cili quhej “Gavi” që do të thotë (zhgënjyes) me emrin “Rashid”, i cili do të thotë (në rrugë të drejtë).
Si përfundim, kur të emërtojmë fëmijën ne duhet të mendohemi mirë në mënyrë që ai fëmijë kur të rritet të ndjehet i qetë dhe i kënaqur me emrin që ka dhe mos ta shikojë emrin e tij si një barrierë të pakapëcyeshme ndërmjet tij dhe bashkëjetesës me njerëzit. Nëse ne muslimanët do i emërtonim fëmijët tanë me emra jomuslimanë, që i përkasin kulturave të huaja, do të na conte drejt humbjes së identitetit tonë fetar. Me humbjen e një pjese të fesë e të kulturës njeriu e humbet bashkë me to edhe vetveten. Kjo është cështja mes ndërtimit dhe rrënimit të personalitetit të individit…. Ju çfarë do të zhgjidhnit për femijën tuaj?

Revista “Familja”, Mars -Prill 2012