Estetika dhe arti islam

77

“Sot për sot është e pamundur të thuhet se ekziston një disiplinë e mbiquajtur estetikë Islame. Veprat artistike nuk lindin nga disiplinat estetike; disiplinat estetike lindin nga përpjekja për të kuptuar e shpjeguar veprat artistike dhe konceptet, që në mënyrë të drejtpëdrejtë ndërlidhen me to. Për të krijuar vepra islamike duhet që në thellësi të njohësh Islamin, pra të mendosh, të ndiesh dhe të vështrosh si musliman. Vetëm atëherë artisti musliman, do të shohë se është ndërtuar urë e shëndoshë mes artit islam dhe trashëgimisë historike.” (Beshir Ajvazogllu)

Në mënyrë që të kuptojnë thelbin e artit islam është e nevojshme të kuptojmë  konceptimet e ndryshme të artit vetë.

Deri ne fundvitet e mesjetës, i gjithe arti europian ishte pothuajse kristian. Me zbehjen graduale te Krishtërimit dhe ngritjen e sekularizmit, kufijtë nacional filluan të shfaqen si tipare dalluese të artit. Në këtë mënyrë patëm shfaqjen e artit italian, artit francez (shek.18), artit gjerman i viteve romaneske, artit amerikan (shek.20) e kështu me radhë.

Studiuesit perëndimor filluan të gërmonin në civilizimet e vendeve të ndryshme duke përfshirë këtu dhe vendet islame. Ideja se duhet të ekzistonte nje art islam dhe se duhet të bënte pjesë në nje kategori të caktuar u iniciua nga Titus Burckhardt. Në vitin 1976 u mbajt dhe për herë të parë festivali i botës islame ne Londër. Arti islam nuk u prezantua si art regjional, psh. marokien, indian, apo persian, por si një i vetëm, “Arti islam” edhe pse dallimi midis arteve të regjioneve të ndryshme ishte i dukshëm.

1Nga këndvështrimi modern, kriteri i një kulture artistike qëndron në aftësinë e saj për të përfaqësuar natyrën, për më tepër për të portretizuar njeriun. Vlera, forca dhe bukuria sipas Vitiuviusit ishin tre përcaktuesit e arkitekturës. Ideja e tij rreth të bukurës rridhte nga simetria dhe marrëdhëniet modulare të pjesëve deri ne tërësi të objektit. Vitruvius e shihte arkitekturën  si një imitim të natyrës dhe për këtë arsye ai shpalosi një sistem të përafërt proporcioni gjeometrik dhe simetrie të bazuar në natyrë, në përgjithësi, dhe trupin e njeriut në veçanti, duke  argumentuar se kuptimi i tillë duhet të bazohet në parimet e zbritjes racionale të natyrës.

Ndryshe nga teorite moderne, Islami ka qasjen e tij rreth artit e të bukurës, duke mos e parë atë si një luks, por si një bukuri hyjnore duke qenë se një ndër emrat e Zotit është Al-Xhamil (i Bukur) dhe se Zoti e don të bukurën. Arti islam është në thelb një art soditës, i cili synon për të shprehur mbi të gjitha, një takim me Prezencën Hyjnore. Qëllimi kryesor i artit nuk është imitimi apo përshkrimi i natyrës, pasi puna e njeriut kurrë nuk do të jetë e barabartë me artin e Krijuesit, por formimin e ambientit të njeriut. Pra, arti islam ka për qëllim të ofrojë të gjithë elementet të cilat njeriut i duhen për të ndërtuar jetën, si; një shtëpi, një xhami, një burim uji, një mantel, një qilim, të prodhuara në mënyrë perfekte sipas mundësisë së çdo elementi dhe natyrës së vet.

Escudo_de_la_dinastía_nazarí_Palacio_de_la_Alhambra_SpainArti islam nuk i shton diçka të huaj natyrës së objekteve apo elementeve, por thjesht shfaq cilësistë e tyre themelore.

Estetika islame synon që bukuria e një objekti të jetë e përhapur në të gjithë tërësinë e tij dhe të bëjë të mundur që njeriu të jetë i aftë për ta vështruar, kuptuar dhe shijuar atë. Ai përjeton të njëjtën ndjenjë të paqes dhe gëzimit kur është i ulur mbi një qilim tradicional, duke parë një copë kaligrafie, ose duke u lutur në një nga kryeveprat e arkitekturës islame.

Arti islam është një kristalizim i spiritualitetit islam dhe një çelës për të kuptuarit e këtij spiritualiteti. Nëpërmjet hapësirave që arti islam krijon, i mundëson njeriut një strehë nëpërmjet të cilës ai mund të shijojë paqen dhe harmoninë jo vetëm të natyrës së pakorruptuar por edhe Parajsën e cila reflektohet nëpërmjet natyrës së krijuar. Kështu kopshtet e shatërvanet në arkitekturën islame s’janë gjë tjetër veçse inspirim nga përshkrimi i parajsës së dhënë nga Allahu (xh.sh.), të cilat kanë një qëllim të vetëm: Të krijojnë një ambient relaksues dhe paqedhënës për njeriun.

Në artin islam, bukuria dhe funksioni ecin paralelisht; ato janë dy aspekte të pandashme të përsosjes, te cilat vërehet dhe në traditën profetike: Zoti e përshkruan perfeksionin në çdo gjë.  Kjo lidhet me konceptin e ihsanit, sic përmendet në hadithin e Xhibrilit, ku feja mbështetet në tre parime kryesore: Islami, Imani dhe Ihsani. Ihsani mund të përkthehet si virtyt shpirtëror, ose thjesht virtyt dhe përfshin idetë e bukurisë dhe perfeksionit. Më saktësisht nënkupton, bukurinë e brendshme, bukuri të shpirtit ose zemrës, shndërruese e çdo aktiviteti njerëzor në art dhe çdo art të shërbejë në përkujtimin e Zotit (xh.sh.).

Kur Profeti (a.s.) ka thënë : “Allahu është i bukur dhe Ai e do të bukurën “, do të thotë se Allahu (xh.sh.) na shpërblen për bukurinë që ne sjellim nëpërmjet përpjekjeve tona të mira. Ai e do të bukurën te ne, ashtu si Ai do që ne të posedojmë njohuri, bujari, mëshirë dhe pastërti.

Vetë bukuria është ndër qëllimet e krijimit të Allahut. Zoti (xh.sh.) thotë: “A nuk është Ai i cili krijoi qiejt e tokën, dhe zbriti për ju ujë nga qielli, që të mbijnë në të kopshte të bukura?” (Suretu en- Neml, 60).

“Gjithcka që është mbi tokë Ne e bëmë stoli të saj, për ti provuar ata, se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë”. (Suretu el- Kehf, 7).

Nëse aktivitetet e çdo njeriu ndërlidhen me Islamin, ato mbështesin estetikën islame, pasi Islami vetë është i bukur. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur flasim për artet pamore meqënëse roli i tyre është të manifestojnë cilësitë e fshehta të gjërave. Arti islam merr bukurinë e tij jo nga ndonjë influencë etnike apo regjionale, por nga vetë feja ashtu si shkenca islame ka rrënjët në Kuran dhe Hadith, kështu që forma tipike e artit islam është rrënjosur nën frymën e Islamit.

Janar-Shkurt 2014