Falja, drita e mirësisë

109

Falja është një koncept i vjetër e demonëve të Unë-ve, ajo dorëzon karvane të shumta në barqet e fajësisë. Falja është e konceptuar brenda jetësisë, jashtë nesh ajo çngjyros vijësi fytyrësish që nënqeshin paqësisht.

Çfarë është një falje e pazakontë në një situatë të nderë, ku ngërdheshen zbrazëtira mekjesh?

Kur e godet fort një qenie në brishtësinë e tij, në cenet e ngrysura të mbrëmjeve shpirtërore, lëndimet nuk janë të paqta kur turfullijnë mizëri veprimesh që lartojnë pendestarinë. Të prekësh një humnerë ku këmba e shkeli atë truall të kristaltë. Çfarë është një falje për një terren që kriset pafajsisht? Kërshëria e qenies për të rrëzuar tjetrin është e babëzitur, e nepsur, e sëmurë që merr mbi supe, madje edhe përgjegjësinë e rrezikut për të shfarësuar vlerat e tjetrit.

Tjetri përballë nesh ngelet një qenie misterioze që nuk zhbirohet. Ne tentojmë të marrim fajësinë, këtë pjellë të mallkuar të trishtimeve tona për ta veshur me zhdavaritje të pakuptimta të një ecejakje naive të identitetit që kuturiset i pabojë në skenat e realitetit.

Fajësia është e ndarë në dy grupe:

1.e qëllimshme

2.e paqëllimshme

Të qëllosh dikë me vetëdije dhe të tentosh të përmbushësh vetësinë në shkallina që të tejçojnë lart në honet e ngrysjes së mbivlerësimt të Unit dhe sjellja gjuhësore e paqëllimshme që të çon në një mosdashje për të përulur krenarinë e tjetrit gati-gati naive që nuk depërton në skutat e pranisë së tjetrit, por i vë rëndësi egos tënde që shthuret në raport me brendësinë. Pra, brendësia dhe jashtësia janë pa boshtësi, ato nuk hakërrohen por lëvizin të mjeruara në gjëra të tepruara.

Të falësh kur të tërheq nga njëra anë ego-ja e mospranimt të fajësisë dhe në anën tjetër krenaria për të mbajtur qenësinë tënde, pa iu nënshtruar ndryshimeve… kjo është një dysi që as koha nuk e ka zgjidhur dhe që vrazhdëson në çdo mendje thatanike.

Falja nuk është një gjest që rëndom përmendet, ajo vendos disa korniza sjelljesh psikologjike që qetësojnë shtratin e terrtë të nënvetëdijes tënde kur fal, paqësohesh me veten, brendësinë me jashtësinë dhe lë jashtë të rrokullisen brishtësira mëkatesh. Ti vendos një hon ku  bukureza shpirtlartësish ndërtojnë ngrehina mirësie edhe pse në një limë të sertë. Të falësh është si të ndezësh yjet në një natë kur hënës i është dashur të largohet, të ç’mësohet me ndritësinë, të shuhet vetvetiu nga qesënditë që i bën qielli. Të bastisësh botën tënde krenare dhe të mbash pezull një pishtar faljesh. Ti i tregon botës se brëndësia fiton mbi zallahinë dhe mëton të flakë tutje qelqurinat e qejfaprishjes.

Të falësh do të thotë të mbash ndezur drita mirësie në qiellin dhe hapësirat e pamata të dëshirave dhe askush nuk e çngjyros botën tënde.

 Rev. Familja, janar 2015